Avokati i PDK-së liston arsyet pse sipas tij Projektligji për Byronë është kundërkushtetues

Aktuale

Avokati i PDK-së liston arsyet pse sipas tij Projektligji për Byronë është kundërkushtetues

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 19:37
Faton Fetahu

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas avokatit të PDK-së, Faton Fetahut ky projektligj është kundërkushtetues në disa pika.

Sipas tij ligji cenon kushtetutën me rastin e mveshjes me imunitet të zyrtarëve të Byrosë.

“Kur dihet se në bazë të Kushtetutës, imunitet gëzojnë vetëm bartësit e institucioneve qendrore të qeverisjes, anëtarët e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Andaj, mospërmbushja e standardeve kushtetuese nga neni 142 i Kushtetutës nga ana e këtij institucioni të themeluar me ligjin kontestues, nënkupton pamundësi kushtetuese dhe ligjore që t’iu ofrohet imunitet funksional zyrtarëve të këtij institucioni”, ka shkruar Fetahu në Facebook.

Gjithashtu sipas tij projektligji nuk e përcakton në asnjë dispozitë as edhe një kualifikim të vetëm dhe ekspertizën e nevojshme që duhet ta kenë zyrtarët e këtij institucioni.

“…Duke mundësuar që pjesë e tij të bëhen anëtarët më të besueshëm të partisë në pushtet, si mënyra më e mirë për t’a kapur këtë institucion dhe për t’a përdorur si instrument ndaj cilitdo zyrtar shtetëror që nuk i nënshtrohet dhe nuk i bindet partisë në pushtet”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq!

Edhe ashtu siç kam paralajmëruar rreth dy vite më parë, kur u miratua koncept dokumenti për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që i parapriu miratimit të projektligjit, por edhe tani, kur ky i fundit u miratua edhe në lexim të dytë, një nismë e tillë është jokushtetuese.

Edhe përkundër vërejtjeve të mëdha nga Komisioni i Venecias dhe jo vetëm, Qeveria, përkatësisht shumica parlamentare, të njëjtat nuk i adresoi mjaftueshëm. Si rezultat, Ligji Nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u hartua dhe miratua me shumë defekte, të cilat qëllimisht nuk u trajtuan në mënyrë që i njëjti të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Pra, ky pushtet nuk është serioz e as nuk e ka qëllim të njëmend luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por thjeshtë këtë temë e ka përdorur ekskluzivisht për përfitime elektorale. Dhe është lajm jashtëzakonisht i mirë dërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese, si e vetmja rrugë ku kjo çështje njëherë e mirë do të marrë epilog përfundimtar.

Projektligji konsiderojmë se është kundërkushtetues, përveç tjerash, edhe për këto arsye:

– Propozon themelimin e një institucioni “të pavarur”, duke shkelur parimet dhe kriteret nga neni 142 (Agjencitë e Pavarura) i Kushtetutës.

– Ligji i kontestuar qartazi cenon edhe nenin 4 (Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit) të Kushtetutës, në rastin e mveshjes me imunitet të zyrtarëve të Byrosë, kur dihet se në bazë të Kushtetutës, imunitet gëzojnë vetëm bartësit e institucioneve qendrore të qeverisjes, anëtarët e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Andaj, mospërmbushja e standardeve kushtetuese nga neni 142 i Kushtetutës nga ana e këtij institucioni të themeluar me ligjin kontestues, nënkupton pamundësi kushtetuese dhe ligjore që t’iu ofrohet imunitet funksional zyrtarëve të këtij institucioni.

– Nga ana tjetër, ky ligj, përkundër vërejtjes substanciale të evidentuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, nuk e përcakton në asnjë dispozitë as edhe një kualifikim të vetëm dhe ekspertizën e nevojshme që duhet ta kenë zyrtarët e këtij institucioni, duke mundësuar që pjesë e tij të bëhen anëtarët më të besueshëm të partisë në pushtet, si mënyra më e mirë për t’a kapur këtë institucion dhe për t’a përdorur si instrument ndaj cilitdo zyrtar shtetëror që nuk i nënshtrohet dhe nuk i bindet partisë në pushtet.

– Cenon parimin e sigurisë juridike, si vlerë nga neni 7 i Kushtetutës dhe si element thelbësor i sundimit të ligjit, kur në nenin 2 (Fushëveprimi) të tij, nga njëra anë, përcakton se zbatohet ndaj subjekteve brenda dhjetë (10) viteve nga momenti kur të njëjtit pushojnë së ushtruari funksionin e tyre, ndërsa në nenin 22 të tij (Periudha e verifikimit të pasurisë), par. 3, ky verifikim nuk mund të jetë me gjatë se pesë (5) vite pas përfundimit të funksionit publik të personit zyrtar. Kolizioni ligjor në mes të këtyre neneve ka për pasojë cenimin e sigurisë juridike dhe cenimin e parimit të ligjshmërisë në procedurë.

– Projektligji, në mënyrë të çuditshme, në nenin 69 (Funksionalizimi i Byrosë) përcakton se deri në funksionalizimin e Byrosë, funksionin e saj e ushtron Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

– Po ashtu, në nenin 15 (Procedura e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm) të tij, nga njëra anë, përcakton që zgjedhja e Drejtorit bëhet nga ana e Kuvendit dhe nga ana tjetër, në rast të dështimit për dy herë radhazi që ky i fundit të zgjedhë kreun e Byrosë, përgjegjësinë për zgjedhjen dhe emërimin e tij do ta marrë Komisioni Mbikëqyrës i Byrosë. Një normë e tillë është kontradiktore, paradoksale dhe arbitrare.

– Projektligji dështon të ofrojë garancionet e nevojshme kushtetuese për të drejtën në pronë nga neni 46 i Kushtetutës, duke mundësuar privim arbitrar të kësaj të drejte në shpërputhje me parakushtet për kufizimin e të drejtave themelore nga neni 55 i Kushtetutës dhe dështimit për ta kaluar testin e GJEDNJ-së për vlerësimin e kufizimit të të drejtave themelore.

Këto shkelje janë vetëm një pjesë e vogël e listës së gjatë të tyre të cilat i kemi ngritur në Gjykatën Kushtetuese, ku jam i bindur se të njëjtat do të konfirmohen dhe ky ligj në tërësi nuk do t’a kalojë testin e kushtetutshmërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat