Paralajmëron Loshi: Marrëveshja e së hënës do ta largojë Kosovën nga Serbia, por ja çka do të ndodhë me Kurtin dhe Ramën

Aktuale

Paralajmëron Loshi: Marrëveshja e së hënës do ta largojë Kosovën nga Serbia, por ja çka do të ndodhë me Kurtin dhe Ramën

Nga: A.Zh Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 08:29
Liri Loshi dhe Albin Kurti

Ish-kandidati për deputet të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka thënë se marrëveshja që pritet të nënshkruhet të hënën mes Kosovës dhe Serbisë, do ta bëjë Kosovën edhe më të largët për Serbinë.

Sipas tij, Kosova do të vazhdojë të jetojë me realitetin e pavarësisë, kurse Serbia do të vazhdojë të jetojë mes ëndrrave për kthimin e Kosovës, përcjell Bota sot.

Në një analizë të publikuar në Facebook, ish-mjeku i UÇK-së, ka theksuar, se pas të hënës, Edi Rama dhe Albin Kurti do ta kenë më vështirë ta konservojnë mandatin moral për ta drejtuar popullin drejt perspektivës perëndimore.

Ai ka kërkuar nga shqiptarët që të mos pushojnë në asnjë çast së punuari për veten e tyre.

Reagimi i plotë i Loshit:

Krejt çfarë duhet të na interesojë në këtë moment, jo vetëm neve, por edhe Albin Kurtit si nënshkrues potencial, është se a do ta ofrojë, apo largojë Kosovën nga Serbia nënshkrimi i pritur i Marrëveshjes në Bruksel.

Që nga marrëveshja e Rambujesë, Kosova nuk i është afruar Serbisë asnjëherë, por vetëm i është larguar. Edhe Marrëveshja e radhës pritet ta bëjë Kosovën edhe më të largët për Serbinë. Kosova do të vazhdojë të jetojë me realitetin e pavarësisë, kurse Serbia do të vazhdojë të jetojë mes ëndrrave për kthimin e Kosovës nën sqetullën e saj dhe realitetit të Kosovës së pavarur dhe definitivisht të humbur për Serbinë, por edhe për serbët në përgjithësi. Më s’ka projekte për zhvendosjen e shqiptarëve dhe degdisjen e tyre në Turqi dhe nuk pijnë ujë as projektet për popullzimin e Kosovës me rajet serbe. Një trend i tillë i shpërfytyrimit të strukturës demografike më nuk kthehet kurrë, sepse pavarësia i ka këputur rrënjët atij kanceri që zhduk shqiptarët dhe mbinë serbët në trojet e tyre. Dhe pa këtë strukturë demografike në favor të Serbisë, Kosova gjithmonë do të jetë shqiptare.

Tash shtrohet pyetja meritë e kujt është kjo marrëveshje? Kjo është meritë e shovenizmit serb të udhëhequr nga Millosheviqi dhe e atij rus, të udhëhequr nga Putini, por mbi të gjitha është meritë e perëndimit demokratik në luftë me mbeturinat e shovenizmit dhe autokracisë. Është fati ynë në fatkeqësinë që kemi pësuar në luftën e fundit, por edhe këtë fat e kemi farkuar vetë, me një kombinim të shkëkqyeshëm të politikës paqësore dhe luftës si mjet i çmuar dhe jo i perjashtuar.

Tani Serbia ka shansin ideal që të kthehet mbarë dhe të fillojë të gjykojë racionalisht për të tashmen dhe të ardhmen e vet europiane, ku ndikmi i Rusisë do të jetë tërësisht minimal. Shqiptarët pas kësaj marrëveshje nuk kanë asnjë arsye që të sillen si kali rreth mullarit serb. Shqiptarët duhet të organizohen, të konsolidohen dhe ta çlirojnë veten nga kompleksi i inferioritetit në gjeopolitikën e re. Për këtë çështje duhen liderë të rinj, të ditur, diligjentë dhe të vendosur. Kësi liderësh ende nuk po duken nën qiellin shqiptar.

Pas të hënës, Edi Rama dhe Albin Kurti e kanë më vështirë ta konservojnë mandatin moral për ta drejtuar popullin drejt perspektivës perëndimore. Asnjëri dhe as tjetri nuk i kanë kontribuar në masën e pritur kohëzionit kombëtar të popullit shqiptar. Pa këtë kohezion ne jemi të humbur në gjeopolitikën e re. Një Serbi demoktatike do ta ketë shumë më lehtë për t’u lidhur me civilizimin europian, sesa dy shtete të vogla dhe të përpara shqiptare. Gara do të jetë e ashpër dhe fatkeqësisht ne nuk jemi të përgatitur për këtë garë.

Koha për politikanë të rinj, me ide integruese panshqiptare, por edhe me ide dhe qëndrime të qarta ndaj integrimit eurpian, po troket. Europa ka qenë dhe mbetet në luftë permanente me të gjitha by-produket që prodhojnë kulturat e Lindjes: me autokracinë, me ekstremizmat fetarë dhe me korrupsionin. Fatkeqësisht, filozofia politike e dy liderëve aktualë shqiptarë, është bazuar në premisat e tërheqjes së sa më shumë votuesve për t’i etabluar pushtetet e tyre dhe jo në interesat e vërteta strategjike nacionale.

Kur Serbia gjen forcë për t’u shkëputur nga gjiri i nënës Rusi, shqiptarët duhet të motivohen edhe më shumë për t’u shkëputur nga çdo lidhje emocionale e veçanërisht nga lidhjet fomale me vendet e Lindjes. Nuk mund të jemi edhe me lindjen, edhe me perëndimin kur ato janë në konflikt permanent me njëra tjetrën. Edhe Marrëveshja e së hënës (apo e një dite tjetër) është një episod i fitores së perëndimit në suaza të kësaj lufte permanente. Nëse shqiptarët nuk marrin qartë anë nga Europa, kanë mundësi ta humbin jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë. Do të jetë pra, një zhbërje e ngadalshme ekonomike dhe kulturore me fajin e vetë shqiptarëve.

Sidoqoftë, koha punon për shqiptarët, por me kusht që ata të mos pushojnë në asnjë qast së punuari për veten e tyre. Historia ka shënuar shumë raste kur një popull favorit ka humbur atë primat si pasojë e liderëve të dobët politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat