Memli Krasniqi thotë se të bijtë e dy martirëve po e lëshojnë Kosovën për shkak të keqqeverisjes

Aktuale

Memli Krasniqi thotë se të bijtë e dy martirëve po e lëshojnë Kosovën për shkak të keqqeverisjes

Më: 3 mars 2023 Në ora: 19:37
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se të bijtë e dy martirëve, po detyrohen ta lëshojnë Kosovën për shkak të keqqeverisjes.

Bëhet fjalë për Bekim Prendin, i biri i martirit Viktor Prendi nga fshati Korenicë e Gjakovës si dhe për Domeniku Prendin, të birin e Sokol Prendit.

“Bekim Prendi, 24 vjeçar, djali i martirit Viktor Prendi nga fshati Korenicë e Gjakovës, po e lë Kosovën për të emigruar në Gjermani. Bekimi, i cili nuk ka arritur ta njoh fare babanë e tij, të vrarë nga forcat serbe, i zhgënjyer dhe i pashpresë si pasojë e keqqeverisjes po detyrohet t’i kthejë shpinën familjes dhe atdheut”.

“Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Domeniku, po ashtu djalë martiri, i cili ka bërë gati valixhet për të emigruar në SHBA. Palina, nëna e Domenikut e gruaja e martirit të Kosovës, Sokol Prendi, është tejet e pikëlluar dhe e zhgënjyer me atë që po ndodhë me rininë dhe familjen e saj”.

“Në luftën e fundit në Kosovë, familja Prendi i ka dhënë 10 martirë Kosovës, pesë prej të cilëve vëllezër, djemtë e Nanës Zojë Prendi, të cilët u masakruan në Mejë të Gjakovës”.

Sipas tij, sot, të rinjtë e kësaj familjeje, sikur dhjetëra mijëra të rinj të tjerë në Kosovë, gjatë dy viteve të fundit – po e braktisin Kosovën për një jetë më të mirë në mërgim.

“Fatkeqësisht, përgjigja e Qeverisë ndaj këtij eksodi masiv është tërësisht anemike dhe aspak serioze. Qytetarët po varfërohen çdo ditë si pasojë e çmimeve të larta, pagave të ulëta, mungesës së shërbimeve shëndetësore publike e degradimit të sistemit arsimor”.

“Koha është për rikthim të punës, zhvillimit, progresit, përgjegjësisë, qeverisjes së mirë dhe, mbi të gjitha, besimit të qytetarëve në shtetin tonë. Kjo është beteja që duhet ta fitojmë – dhe duhet ta fitojmë së bashku, duke lënë mënjanë interesat partiake dhe politikën ditore. Ky duhet të jetë misioni ynë, për çdo parti, për çdo politikan dhe për të gjithë shoqërinë tonë. Besoni në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat