Mbledhja e Qeverisë, ja vendimet e ndërmarra

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë, ja vendimet e ndërmarra

Më: 8 mars 2023 Në ora: 08:41 Përditësuar në ora: 11:39 më 08.03.2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria do të shpallë konkurs ndërkombëtar për kompleksin “Adem Jashari”

Qeveria do të investojë për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe për këtë do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.

Në mbledhjen e sotme të Ekzekutivit u miratua vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dha më shumë detaje në mbledhjen e Qeverisë.

Kjo ishte pika e parë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë në 25-vjetorin e rënies së familjes Jashari se kanë qëllim ta shndërrojnë këtë fshat në “peizash kulturor historik”.

Miratohet Projektligji për produktet medicinale – çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka prezantuar Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

Ky Projektligj mori mbështetjen e plotë të kabinetit qeveritar.

Gjatë prezantimit të tij ministri Vitia tha se kjo është një politikë e re në mbrojtjen e qytetarëve tanë.

“Kjo nismë rregullon çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësve të autorizimit për marketing dhe institucionet publike. Projektligji ka për qëllim që kostoja e barnave në tregun farmaceutik të jetë e përballueshme të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit madje edhe më lirë, dhe vendet e tjera referente dhe çmimi i një bari do të jetë njësoj në çdo barnatore”, ka thënë Vitia.

Vitia shtoi se duke përcaktuar nivelizimin e çmimit të barnave dhe përcaktimin e çmimeve maksimale për blerje nga institucionet publike krijohet për herë të parë sistemi rregullativ në Kosovë.

“Miratimi i këtij Projektligji konsiderohet me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësinë publike, duke ofruar qasje më të përballueshme të popullatës në barna të nevojshme. Ky sistem rregullativ është parakusht për themelimin e sistemit të rimbursimit të barnave”, tha Vitia. 

Vazhdohet edhe për 2 vite aplikimi për njohjen e statusit për personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të vazhdohet edhe për dy vite, konkretisht deri më datën 15 maj 2025, statusi për njohjen e personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

Këtë pikë e prezantoi ministri i Financave Hekuran Murati.

“Gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës kanë pasur mundësinë që të parashtrojnë kërkesë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës deri më datën 5 shkurt të këtij viti dhe me njohjen e statusit mundësohet edhe e drejta në mbështetje dhe benificione të tjera të përcaktuara në këtë ligj.

Duke konsideruar ndjeshmërinë në trajtimin e rasteve të dhunës, faktorët shoqërorë që mund të ndikojnë në raste të tilla që të lajmërohen në organet kompetente e poashtu marrë parasysh edhe faktin e vështirësisë së krijuar gjatë pandemisë ku është pamundësuar lëvizja e lirë, e kemi vlerësuar që është e domosdoshme që ky afat të shtyhet edhe për dy vite të tjera.Pra aplikimi për njohjen e statusit për personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për 2 vite tjera, deri më 15 maj 2015”, tha Murai.

Kjo pikë është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Miratohet propozim-vendimi për shpronësim për ndërtimin e rrugës Kijevë-Zahaq

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mes të tjerash është votuar edhe për kërkesën për shpronësim të pronave të paluajtshme në rrugën Kijevë-Zahaq.

Të gjithë pjesëtarët e Qeverisë ishin “pro” kësaj kërkese, teksa zëvendësministri Hysen Durmishi bëri të ditur se qysh sot do të nisë procesi i prokurimit për këtë rrugë.

Ai tha se do të mbahen dëgjime publike me pronarët e pronave që preken nga procesi i shpronësimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria miratoi si pjesë të buxhetit për vitin 2023, edhe projektin infrastrukturor për rrugën Kijevë-Zahaq.

Buxheti i ndarë për këtë projekt është 4 milionë euro.

​Gazmend Hoxha, drejtor i ri i Policisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka emëruar Gazmend Hoxhën drejtor të Policisë së Kosovës.

Procesi i konkursit sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra ka shkuar në rregull dhe sipas kritereve të parapara.

Ndërkaq, qeveria themeloi edhe komisionin për vlerësimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike.

Kurti për 8 mars: Vazhdojmë betejën për barazi gjinore

Kryeministri Albin Kurti sot ka hapur mbledhjen e Qeverisë me urim për Ditën e Grave, duke dhënë zotime se do të luftojë për barazi më të madhe gjinore.

“Ditë e shënuar, javë historike. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, të të gjitha grave, nderojmë sukseset që ato i kanë arritur historikisht, sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave që nuk janë më dhe luftojmë bashkë me gratë dhe vajzat për më shumë të drejta dhe barazi. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë barrën e padrejtësive që ato mbajnë mbi supe. Vazhdojmë përpjekjet dhe betejën për barazi shoqërore, për barazi gjinore. Prej shtëpisë deri në institucione”.

Kurti përmendi edhe veprën e grave në luftën çlirimtare të vendit, ndërsa përmendi edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Këtu ai lavdëroi guximin e Vasfije Krasniqit që doli publikisht për të rrëfyer historinë e saj dhe u bë zë avokues për të gjitha gratë e përdhunuara në luftë.

“Sot nderojmë veprën e grave ne luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë tonë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe që shteti e ka obligim që ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të luftës seksuale gjatë luftës. Një prej parakushteve për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në vend. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Kransiqi-Goodman, që vazhdon të jetë avokuese e zëshme në vend dhe ndërkombëtarisht”.

Po ashtu, Kurti foli edhe për Ditën e Mësuesit që u shënua dje, si dhe Epopenë e UÇK-së.

Kurti i thërret ministrat, sot mbahet një mbledhje e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ministrat në një mbledhje të Qeverisë.

Mbledhja është caktuar të mbahet të orën 10:00, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje nuk u bënë të ditura.

Mbledhja e fundit e Qeverisë u mbajt më 24 shkurt, në formë elektronike.

Në atë mbledhje, Qeveria miratoi ndarjen e mjeteve financiare për vizitën e delegacionit të Luginës së Preshevës në Uashington D C.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat