Mbrojtja e Selimit kërkon më pak redaktime në vendimin mbi konfirmimin e aktakuzës

Aktuale

Mbrojtja e Selimit kërkon më pak redaktime në vendimin mbi konfirmimin e aktakuzës

Më: 8 mars 2023 Në ora: 10:22
Rexhep Selimi

Përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Rexhep Selimit, ka kërkuar që vendimi mbi konfirmimin e aktakuzës të përmbajë më pak redaktime.

Në këtë shkresë, thuhet se mbrojtja kërkon nga trupi gjykues që të riklasifikojë vendimin për konfirmimin e aktakuzës si konfidencial dhe më pak të redaktuar, për të pasqyruar versionin më pak të redaktuar të aktakuzës, të paraqitur më 27 janar 2023 dhe dosjes paraprake të ZPS-së, të paraqitur më 15 shkurt 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Redaktimet e mbetura të aktakuzës, të urdhëruara nga gjyqtari i procedurës paraprake sipas nenit 39 (11) u hoqën dhe një aktakuzë e paredaktuar iu njoftua mbrojtjes më 27 janar 2023 dhe një version më pak i redaktuar i dosjes paraprake të ZPS-së, i paraqitur më 15 shkurt 2023”, thuhet në shkresë.

Sipas mbrojtjes, pasi që redaktimet në vendimin e konfirmimit janë bazuar në këto redaktime të aktakuzës, të cilat që atëherë janë hequr, redaktimet proporcionale në vendimin konfirmues nuk janë më të nevojshme apo të arsyeshme.

Mbrojtja thotë se duke pasur parasysh deklaratën e qartë të trupit gjykues për domosdoshmërinë e një gjykimi publik, vendimi i konfirmimit duhet të riklasifikohet vetëm mbi këtë bazë.

“Megjithatë, aktakuza e paredaktuar zbuloi gjithashtu një sërë pretendimesh të reja kundër Selimit dhe shqyrtimin gjyqësor dhe analizën e këtyre pretendimeve nga gjyqtari i procedurës paraprake në pjesët e redaktuara të vendimit për konfirmim. Marrja e këtij informacioni do të ndihmonte mbrojtjen që të përgatitej në lidhje me këto pretendime”, thotë shkresa.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat