Nga Juli në “Big Brother” tek Ganimete Musliu në Kuvend/ Shpend Ahmeti përshkruan gjendjen aktuale të shoqërisë në Kosovë

Aktuale

Nga Juli në “Big Brother” tek Ganimete Musliu në Kuvend/ Shpend Ahmeti përshkruan gjendjen aktuale të shoqërisë në Kosovë

Më: 8 mars 2023 Në ora: 18:48
Shpend Ahmeti

Ish kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë një përshkrim të gjatë të gjendjes shoqërore e kulturore në vendin tonë.

Ai ka folur për sulmet ndaj daputetes Ganimete Musliu, për emisionin Big Brother VIP Kosova etj.

Për ish kreun e Prishtinës, diskutimet në Kuvend ditëve të fundit, e edhe ato në Big Brother (po janë të ngjashme në këtë temë) tregojnë se racizmi kulturor, regjionalizmat dhe misogjinia (jo të radhitura për nga rëndësia) janë të rrënjosura thellë në shoqërinë tonë.

Postimi i plotë:

Mundemi me u shit tosh, e në facebook me desht me u duk mirë por e vërteta është kjo. Po ashtu siç thotë Chris Rock (stand up comedian) në këtë valën e korrektësisë politike ka shumë Selective Outrage (zemërim selektiv, reagim selektiv).

Trajtimi i Drenicës si kulturalisht inferior është i njohur për secilin prej nesh nga tavolinat tona joformale të shoqnisë. Për plotë prej nesh aq sa ka qenë i papranueshëm Thaçi për korrupsionin etj ka qenë edhe për prejardhjen - me na udhëheq ”katunaria” e Drenicës. Ende qeshim kur dëgjojmë dikënd tu thonë Atu për aty. Këto janë barcoleta të vogla por treguese të gjendjes. Kjo nuk vlen veç për Prishtinën, p.sh. dimë se edhe Gjakova mendon se është intelektualisht “superiore” ndaj të tjerëve.

As Drenica nuk o pa faj, që më së miri e përshkruan Fatmir Limaj (e di prej nga është) kur në intervistë thotë “çka kena bo na ish desht 400 vjet me udhëheq” apo Juliana në BB “mos të kish qenë Drenica ku ishim kon sot, ku ish kon Kosova”. Kjo tregon që Drenica ndjen një “superioritet” moral ndaj të tjerëve për shkak të luftës edhe pse kanë luftuar edhe të tjerët. Ata që kanë shku në Bllace janë frikacakë, se “kanë mujt me luftu”. Ky superioritet moral sipas disa prej tyre, ju jep të drejtën me bo çka të dojnë me shtet. Kush çuditet nga votat në BB, duhet me dit që ka pas më shumë njerëz në Bllace se në UÇK.

Deri të kalojmë të misogjinia. Mos-reagimi i monitoruesve kujdestar të deklaratave për Ganimeten tregon se diskriminimi gjinor është po aq më i thellë se ai regjional. Më mirë me u dok misogjen se sa në përkrahje të Ganimetes. Ganimetja nuk ka nevojë për mbrojtje fizike e besa as për sulmet nga Rrusta por precedentet janë të rrezikshme. Sepse japin porosi për gjeneratat tjera. A nuk po mbrohet pse po i thotë çurshi, a pse thotë atu, a pse mendojmë që ajo s’din s nuk po e di çka, por përkundër paragjykimeve, përkundër mospajtimeve që i kemi me të se është në PDK, ajo në intervistat e saj ka më shumë sens e mendim racional se sa plotë deputetë të tjerë që kur një herë në dy vjet dalin në foltore e kujtojmë se kush janë. Çelne gojën jo për shkak të Ganimetes po për shkak të gjeneratave tjera.

Gëzimi jem më i madh ka qenë kur djali jem 10 vjeçar më ka pyet çka është fjala “maxhup”. Kur vajza ime më ka korrigjua kur kam bërë një koment për peshën e dikujt. Pjesën më të madhe të qenit të drejtë e kanë mësu vetë duke mos shiku tv-të e rrjetet tona sociale.

Nuk jeni më superior veç pse keni lind në Prishtinë. Nuk jeni moralisht superior se vini nga regjioni i Adem Jasharit. Nuk keni më shumë të drejta pse regjipni juaj ka luftu ma shumë se sa i atyne që janë detyrua me kalu nëpër Bllace. Ishalla s’keni luftu për me na udhëheq 400 vjet.

Juliana nuk e kupton që nuk e lufton pabarazinë gjinore tu nejt në kuzhinë e tu la tesha në lavanteri se vec po i betonon stereotipet. E Vedati edhe fiton vota me komandanta por sigurt pa qëllim betonon lejimin e sulmeve të tilla. Na mundemi me desht me u duk me te hapur e më të barabartë, por veprat janë tjera.

Jemi shumë më mirë se sa kemi qenë para 20 viteve dhe krejt shtetet i kanë këto por shtetet tjera s’po më interesojnë. Ti thojmë të bardhës e bardhë e të zezës e zezë dhe lëvizim.

Vicat e atu e të komandantëve janë humoristike për momentin dhe mund të jenë të padëmshme për tavplina por bëhen të dëmshme kur shfaqen në vrasje në QKUK, në nepotizmat e qeverisjes, në diskriminimet e punësimit, ndarjes së buxhetit, e deri te hakmarrjet me pushtet. Racizmat dhe diskriminimet krijojnë komplekse, komplekset krijojnë mbiveprime joracionale, që shfaqen si debatet këto ditë, në mënyrën më të keqe. Folni!

Mund ta kem krejt gabim por pa fol as nuk mendojmë se çka është gabim e çka është mirë. Natyrisht edhe këto janë relative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat