Reforma e skemave sociale nuk dihet se kur pritet të ndodhë

Aktuale

Reforma e skemave sociale nuk dihet se kur pritet të ndodhë

Më: 29 mars 2023 Në ora: 23:26
Ilustrim

Buxheti i Kosovës në një masë të madhe është i orientuar në skema sociale.

Partia në pushtet ka premtuar se do të bëjë një reformë të skemave sociale ku do të përfshihet edhe reforma e skemave pensionale, mirëpo ende nuk dihet se kur pritet që kjo të ndodhë. Megjithatë, është e paqartë nëse kjo do të ndodhë deri në afatin e fundit të dhënë nga Kushtetuesja më 15 korrik për ta draftuar nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Për dy muaj e 18 ditë, Fatmir Bajramit nga Komuna e Prishtinës nuk po i njihet e drejta në pension si kontributpagues. Bajrami bashkë me punëtorë të tjerë të Radiotelevizionit të Prishtinës më 5 korrik të vitit 1990 ishin larguar nga puna nga forcat policore serbe. Edhe pse me kamerën e tij, ishte bërë dëshmitar i shumë ngjarjeve me vite të tëra, ai tani merr vetëm 100 euro si pension.

Kjo e drejtë nuk po u njihet edhe shumë pensionistëve tjerë të cilët me dhunë u dëbuan nga puna gjatë viteve të 90-ta nga regjimi serb. Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim përmes të cilit ua njihte kontributin punëtorëve të larguara nga puna gjatë atyre viteve.

Ndonëse afati i përcaktuar nga Kushtetuesja për të draftuar nenin 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti është 15 korriku I këtij viti, mbetet e paqartë nëse do të arrihet që deri atëherë të ndodhë ndryshimi.

Media ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës nëse ka nisur ndonjë iniciativë në këtë drejtim, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, edhe nëse Ligji për Skemat Sociale nuk ndryshohet deri në korrik, pensionistët të drejtën e kontributit mund ta fitojnë përmes padisë.

Janë rreth 150 mijë pensionistë që marrin pensionin bazik prej 100 eurove dhe rreth 49 mijë që e marrin pensionin kontributdhënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat