​Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe nesër

Aktuale

​Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe nesër

Nga: Bota sot Më: 12 prill 2023 Në ora: 08:32 Përditësuar në ora: 18:13 më 12.04.2023
Pamje nga seanca në Hagë

​Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe nesër

Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet edhe të enjten në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Të martën dhe të mërkurën ajo ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe intervistimi i saj është bërë tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Avokatët e krerëve të UÇK-së fillojnë me pyetje për dëshmitaren e parë: Seanca sërish e mbyllur

Ka vazhduar sot gjykimi në Dhomat e Specializuara të Hagës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me dëshminë e saj po vazhdon dëshmitarja e parë në këtë proces gjyqësor.

Ashtu sikur dje, edhe sot seanca ka nisur e mbyllur. Sipas asaj që u bë e ditur në fillim, Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të kësaj dëshmitareje.

Si rezultat, fjala iu dha avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Kur ai mori fjalën, seanca kaloi në private.

Sot për dëshmitaren do të kenë pyetje edhe avokatët e ish-liderëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse, gjatë kësaj jave është paraparë edhe dëgjimi i dëshmitarit të dytë.

Nuk dihet se sa është numri i dëshmitarëve të tillë të cilët dëshminë e tyre do ta japin në masa strikte mbrojtëse. Kjo me qëllim që identiteti i tyre të mos zbulohet.

Megjithatë, ka pasur një numër dëshmitarësh që e kanë konfirmuar publikisht se do të jenë në Hagë. Së pari ka qenë Gani Geci lidhur me komunikatën 59, e mbrëmë edhe Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit që u vra në nëntor të vitit 1999.

Publikisht pritet të flasin edhe disa ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të tregojnë lidhur me organizimin dhe strukturën e UÇK-së.

Ngjashëm edhe në gjykimin e Salih Mustafës, publiku kosovar ka qenë në një “mjegull” speciale. Kjo pasi pjesa më e madhe e seancave dhe e dëshmive kanë qenë absolutisht private, dhe nuk ka pasur mundësi të dëgjohet asnjë detaj.

Gjykata Speciale që nga themelimi i saj gjatë tërë kohës ka folur për “tentativat që ka në Kosovë lidhur me frikësimin e dëshmitarëve dhe viktimave”. Megjithatë, juristë vendorë e ndërkombëtarë kanë vlerësuar se nëse shumica e procesit zhvillohet e mbyllur për publikun, ka rrezik të ndikojë në bueshmërinë e vendimit dhe procesit në tërësi.

Pasi seancat e para po zhvillohen të mbyllura, ka reaguar Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

“Pak po ju duket që i fshehet fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku.

Një reagim e ka pasur edhe avokati kosovar, Naim Rudari.

“Pra, prokuroria e di që në fillim se nuk ka prova për atë që ka akuzuar, por lë të kuptohet se do të thirret në rrethana tjera sikurse u pa që të akuzuarit u mundua t’i nëncmojë e përqeshë qysh në fjalën hyrëse pa përmendur prova konkrete. Në seancën e sotme veç e kuptuam se dëshmitari i parë shqip po flet!”, ka shkruar Rudari.

Ashpër ka reaguar zyrtari i Nismës dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Zafir Berisha.

“Gjykata e Hagës me dëshmitar të fshehur, që nuk kanë fytyrë, si dhe Panturoviqi i Dugagjinit me dëshmitat skizofrena dhe dhunues të fëmijve, në ofenzivë për të njëllosur UÇK-së. Me vetëdije apo pa të, po i shërbejn përpjekjeve serbe për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së dhe për ta barazuar atë me luftën gjenocidale të Serbisë. UÇK-së ka përballuar dhe ka dalur fitimtar para shumë sfidave dhe betejave edhe më të rënda, do të dalën fitimtare edhe në këtë betejë”, ka shkruar ai.

Avokati i Thaçit e dorëzon një provë në fillim të seancës, gjykimi vazhdon me dëshmitaren

Dëshmitarja e Prokurorisë së Specializuar në Hagë po vazhdon t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale.

Seanca e sotme nisi me një kërkesë nga Luka Mishetiq, avokati i Thaçit.

“Dëshiroj ta dorëzoj një provë materiale”, i tha ai kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith.

Smith e pyeti Prokurorinë nëse kanë ndonjë kundërshtim për këtë dhe një nga prokurorët tha “jo”.

“Pranohet si provë”, tha gjykatësi Smith.

Më pas, asistentët u urdhëruan që ta sjellin në sallën e gjyqit dëshmitaren.

“Sot do të vazhdojmë me kundërpyetjet nga Mbrojtja e Thaçit”, tha gjykatësi.

“Ju lus t’i përgjigjeni qartë pyetjeve, me fjali të shkurtra”, i tha ai dëshmitarës pasi ajo u fut në sallën e gjyqit.

Më pas, seanca u mbyll për publikun.

Nën masa të rrepta sigurie, mbrojtja e Thaçit fillon ta merr në pyetje dëshmitaren e parë

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon marrjen në pyetje të dëshmitares së parë në rastin ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve tjerë të UÇK-së.

Dëshmitarja e parë e Prokurorisë, identiteti i të cilës është mbrojtur, po merret në pyetje në një seancë të mbyllur për publikun.

Njëjtë, në seancë të mbyllur ajo u mor në pyetje edhe të martën.

Ajo është dëshmitare e Prokurorisë.

Edhe sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vazhdon dëgjimi i dëshmitares në masa të rrepta sigurie

Vazhdon sot seanca në Gjykatën e Hagës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kalendarit në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, seanca pritet të fillojë në orën 09:00. Seanca pritet të transmetohet rreth 45 minuta me vonesë për publikun. Seanca të tilla pritet të ketë sot e nesër.

Seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.

Asnjë dëshmi nga e tërë marrja në pyetje nga Prokuroria e dëshmitares së parë gjatë katër seancave të ardhshme nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar. Asnjë pyetje ndaj gruas së panjohur dhe asnjë përgjigje e saj.
Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

Prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

“Është pak proces i çuditshëm kështu”, u tha nga ana e mbrojtjes.

Gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e të tjerëve shumë herë është ankuar për dy vjet e gjysmë të mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, për redaktim masiv të informatave lidhur me akuzat, vonesa ekstreme si dhe fshehje të dëshmive shfajësuese nga Prokuroria.

Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat