Qeveria merr disa vendime, Kurti jep lajmin e mirë që vjen nga BE-ja

Aktuale

Qeveria merr disa vendime, Kurti jep lajmin e mirë që vjen nga BE-ja

Më: 12 prill 2023 Në ora: 08:37 Përditësuar në ora: 12:31 më 12.04.2023
Qeveria e Kosovës

Qeveria ndan 287 mijë euro për delegatët e legjislaturës së vitit 1990

Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-vendimin për miratimin e kompensimit financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

Zëvendësministri i Financave, Resul Makreshi, tha se me këtë vendim parashihet që të ndahen mjete në vlerë prej 287 mijë euro.

“Ministri e Financa Punës dhe Transfereve ka propozuar për miratim vendimin për miratimin e kompensimit financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës të vitit 1990”.

“Mjetet financiare në vlerën prej 287 mijë euro ato do të ndahen proporcionalisht sipas numrit të deputetëve. Për ata deputet që kanë ndërrua jetë përfitojnë bashkëshorti ose bashkëshortja, fëmijët deri në moshën 18, dhe nëse fëmijët janë në studime deri më moshën 26 vjeçare”, tha ai.

Shkarkohet Dedaj - Emërohet bordi i përkohshëm i ndërmarrjes publike “TrainKos”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka propozuar sot në mbledhjen e qeverisë shkarkimin e Nol Dedajt si kryesues i ndërmarrjes Publike “TrainKos” përkatësisht emërimin e bordit të përkohëshem.

Propozimi i saj është miratuar nga qeveria si rrjedhojë të emëruarit e Bordit të Përkohshëm të “TrainKos” janë Riza Spanca kryesues, Astrit Mehaj, Hasan Preteni dhe Shaban Neziri anëtarë.

“Neni 19.3 I ligjit për ndërmarrje publike i kërkon qeverisë të shkarkojë anëtarët e Bordit të Drejtorëve për të cilat ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat feduciare (për vepruar me ndershmëri më të lartë ndaj ndërmarrjes)”.

“Sipas nenit 17.2 të Kodit të Etikës dhe të qeverisjes korporative kryesuesi është përgjegjës për udhëheqjen e Bordit duke siguruar efikasitetin të gjitha aspektet e rolit të tij, dhe vendosjen e vitit 2022. Bordi është formuar për t’i kërkuar përgjegjësi për rënien e vazhdueshme  performancës dhe shkeljet e evidentuara nga Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit 2016-2021 dhe nuk ka marrë masa të domosdoshme të shpenzimeve në raport të hyrat e ndërmarrjes”.

“Tre anëtarë të Bordit kanë dhënë dorëheqje duke njoftuar  aksionarin se e kanë të pamundshme të përmbushin detyrat feduciare për shkak të mos pajtimeve me kryesuesin për organizimin e punës së Bordit dhe pamundësimit të vendimeve të domosdoshme dhe urgjente për ndërmarrjen. Dy anëtarë të tjerë kanë dhënë dorëheqje më herët për shkaqe personale, kështu kryesuesi ka mbetur i vetmi anëtar i Bordit”.

“Këto rrethana japin arsye për të besuar se kryesuesi i Bordit ka shkelur detyrat feduciare dhe nuk i ka përmbushur përgjegjësit e parapara…rrjedhimisht propozojë shkarkimin e Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes përkatësisht të kryesuesit si anëtar të vetëm të mbetur z.Nol Dedaj“, deklaroi Rizvanolli.

“Tutje propozoj emërimin e një bordi të përkohshëm, i cili do të shërbejë deri në emërimin e bordit me mandate të rregullt, por jo më gjatë se 6 muaj me përbërje si në vijim z.Riza Spanca kryesues, Astrit Mehaj anëtar, Hasan Preteni anëtar dhe Shaban Neziri anëtar“, ka thënë ministrja.

“Kundër nuk ka, abstenim nuk ka konstatojë që miratohet kërkesa”, tha kryeministri Kurti derisa mbylli mbledhjen e qeverisë.  

Kurti për Ligjin e ri për zgjedhjet: Lehtësohen procedurat për votimin e diasporës, ambasadat qendra

Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur miratimin e draftit të reformës zgjedhore nga Komisioni Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Kurti ka shtuar se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet do të ketë shumë lehtësime për votimin e diasporës.

Sipas tij, drafti i të cilit u tha se do të shkojë shpejt për opinione në Qeveri, do t’i shndërrojë ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në qendra votimi gjatë zgjedhjeve.

Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë”.

Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”.

Votuesit nga mërgata në të kaluarën përgjithësisht janë përballur me dy sfida. Së pari, regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara e burokraci. Së dyti, afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta, krahas kostos së lartë financiare. Sipas draft ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike”.

“Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet Online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve, të cilat kryhen sot në platformën e-Kosova. Ndërsa, për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione: I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës”.

Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt; si dhe Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”.

Mërgata jonë përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit, të cilët të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe me një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë. Për shkak të barrierave dhe procedurave burokratike, interesimi i tyre për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes.  Uroj që ky projektligj të kalojë sa më parë të gjitha procedurat e parapara deri në miratimin në Kuvend”.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të ndërmarrim të gjitha veprimet  e nevojshme për të përgatitur e përshtatur infrastrukturën në ambasada e në konsullata edhe për këtë shërbim ndaj bashkatdhetarëve tonë”.

Qeveria me Projektligj për përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Arbitrazh

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ministria që e udhëheq ajo e ka për qëllim fuqizimin e Avokaturës Shtetërore.

“Që nga marrja e mandati kemi punuar në fuqizimin e Avokaturës dhe kemi rritur numrin e avokatëve shtetëror sepse numri i tyre ka qenë i vogël”.

“Mënyrën e raportimit të avokatit, rregullimin e statusit juridik të avokatit të komunës, obligimin për bashkëpunim e të tjetra. Kjo është edhe njëra prej qëllimeve tona që të fuqizojmë avokaturën shtetërore”, tha ajo.

Qeveria miraton 14 prillin si ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Qeveria e Kosovës e ka miratuar datën 14 prill si ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Kryeministri Albin Kurti në propozimin e kësaj pike në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se ky vendim është për njohjen e dhimbjes dhe vuajtjen e viktimave të kësaj dhune gjatë luftës së fundit.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për caktimin e 14 prill si ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Duke e njohur dhimbjen dhe vuajtjen e grave dhe vajzave edhe të burrave dhe djemve si të mbijetuar të dhunës seksuale, në bashkërendim me presidenten e Kosovës, zonjën Vjosa Osmani-Sadriu, propozojmë caktimin e datës 14 prill si ditë memoriale e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kurti. 

Programi IPA 2022 – Kosova përfiton 62 milionë euro nga BE-ja

Është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022.

Sipas kryeministrit Albin Kurti nga kjo marrëveshje Kosova përfiton mbi 62 milionë euro nga BE-ja.

Ai tha se më hyrjen në fuqi të marrëveshjes, me një pjesë të financimit edhe të Qeverisë vlera totale e projekteve kap vlerën e mbi 90 milionë euro.

“Qëllimi është që të krijohet bazë ligjorë për projekte e IPA. Kemi nënshkruar marrëveshjen në mars. Kjo marrëveshje mundëson që të ketë projekte deri në 62.25 milionë euro nga BE”.

“Për integrim dhe rikthim të komunitete, efiçencë të energjisë, trajtimi i ujërave të zeza e të tjera. Përmes hyrjes në fuqi të marrëveshjes, vlera totale e projekteve kap vlerën e 91.83 milionë euro”, tha ai.

Qeveria e ndryshon Planin Legjislativ – dërgon në Kuvend edhe 12 projektligje

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Kreu i Qeverisë ka thënë se pas këtij ndryshimi 12 projektligje dërgohen në Kuvend.

“Në ndryshimin e programit shtohen në programin 12 projektligje, pas aprovimit vendimi i dërgohet Kuvendit”, tha kryeministri Kurti.

​Kurti: Drafti për reformë zgjedhore shqyrtohet së shpejti në ekzekutiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur dakordimin në Kuvend për reformën zgjedhore.

Ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se drafti për reformë zgjedhore së shpejti do të sillet në ekzekutiv për shqyrtim.

Sipas tij, përmes të njëjtit mërgata shqiptare do të mund të votojë në ambasada dhe konsullata.

Në anën tjetër, Kurti dënoi sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, derisa i bëri thirrje organeve të rendit që përgjegjësit t'i sjellin para drejtësisë.

Kurti: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla i patolerueshëm, institucionet ta trajtojnë rastin me seriozitet

Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar sulmin e mbrëmshën ndaj gazetarit Valon Syla.

Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.

Kurti i thërret ministrat, në 11:00 mbahet një mbledhje e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar ministrat në një mbledhje të Qeverisë.

Mbledhja është caktuar të mbahet të orën 11:00, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje nuk u bënë të ditura.

Kjo do të jetë mbledhja e parë e Qeverisë këtë muaj. E fundit u mbajt më 31 mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat