Analiza e DW-së për plagosjen e një serbi në Kosovë/ Kërkohen hetime të plota

Aktuale

Analiza e DW-së për plagosjen e një serbi në Kosovë/ Kërkohen hetime të plota

Më: 12 prill 2023 Në ora: 09:56
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka deklaruar, se ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë policorë lidhur me rastin, ku mbeti i plagosur një qytetar serb. Lista Srpska kërkon largimin e njësisë speciale nga veriu i Kosovës.

Policia e Kosovës bëri të ditur se dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në gjuajtjen me armë zjarri në një incident të hënën në mbrëmje në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një qytetar serb. Policia tha se nuk dihen motivet, ndërsa, qytetari serb është jashtë rrezikut për jetën. "Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast”, thuhet në njoftimin e policisë. Disa orë më herët, policia e Kosovës e kishte mohuar përmes një komunikimi se është e përfshirë në gjuajtjen me armë, por, më vonë e pranoi duke u arsyetuar se polici i përfshirë nuk e kishte raportuar rastin. Policia tha se janë marrë masa të pezullimit nga detyra edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast. Policia tha se "do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi”.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, lidhur me rastin shkroi  në facebook se "sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J." 

Lista Srpska: Njësia speciale e Kosovës të largohet nga veriu

I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Srpska e cila kërkoi që ”njësia speciale e policisë së Kosovës duhet të largohet   nga veriu.  "Lista Serbe dënon ashpër tentativën për vrasjen e serbit Milan Jovanoviq nga forcat speciale të Kurtit në Urën e Bistricës, në rrugën Mitrovicë-Leposaviq dhe kërkon tërheqjen urgjente të të gjitha njësive speciale që janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, duke shtuar se "përgjegjësit për sulmet ndaj serbëve fshihen nga autoritetet më të larta në Prishtinë”.

Kërkohen hetime të plota

Reagime pas incidentit pati nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jefry Hovenier ka shprehur shqetësimet e SHBA-së lidhur me incidentin në veri  dhe tha se duhen zhvilluar hetime të plota. "Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, çon përpara një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi ambasadori amerikan Jeffry Hovenier në Twitter.

Incidenti në veri në kohën e thirrjeve nga BE e SHBA për zbatimin e marrëveshjes

Incidenti i fundit në veri dhe disa të tjera të mëhershme përfshirë edhe djegien e disa veturave të serbëve që i ndërruan targat nga ato të Serbisë në targa të Kosovës kanë ndodhur në kohën kur kërkohet zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë. BE dhe SHBA u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjen e arritur më 27 shkurt për normalizim marrëdhëniesh dhe aneksin e saj më 18 mars. Zyrtarë të BE-së, thanë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative. Këto komente pasuan deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për RTS, ku tha se "do t'i zbatojë disa pjesë të marrëveshjes, por disa të tjera nuk do t'i pranojë” dhe se një gjë të tillë ua ka bërë të qartë edhe zyrtarëve të lartë evropianë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha të martën se "ky është detyrim politik që morën mbi vete të dyja palët dhe shtetet anëtare të BE presin zbatimin e tij”. "Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kuadrit negociues në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka detyrim kontraktual që të zbatojë pikat e marrëveshjes, nëse dëshiron të përparojë në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një detyrim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj", tha zëdhënësi Stano.

Ai paralamëroi pasoja për cilëndo palë që refuzon të zbatojë ndonjë pjesë të marrëveshjes. "Vëzhgimi i zbatimit në terren i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja duke u zbatuar. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacionin por edhe pasoja financiare”, tha Peter Stano. Marrëveshja Kosovë-Serbi që u arrit me 27 shkurt, parasheh marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të njëra tjetrës. Po ashtu marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat