Vuçiq pendohet për dy pika, reagon Shea: Ai e dinte se çka po nënshkruante në Ohër

Aktuale

Vuçiq pendohet për dy pika, reagon Shea: Ai e dinte se çka po nënshkruante në Ohër

Më: 12 prill 2023 Në ora: 11:04
Jamie Shea

Ish-zëdhënsi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea thotë se marrëveshja e Ohrit është një ndër më të mirat që mund të kishim shpresuar, teksa thotë se Kosova do ta ketë më të lehtë me Serbinë, edhe pse njëherë s’ka njohje reciproke.

Jamie Shea inkurajon vendet e tjera ta njohin shtetin e Kosovës.

“Duke pasur parasysh kontekstin e refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të njohur Kosovën dhe tensionet e fundit midis dy vendeve, kjo është ndoshta marrëveshja më e mirë që mund të kishim shpresuar. Kjo do t’i mundësojë Kosovës të ecë përpara dhe të ketë një marrëdhënie më të lehtë të përditshme me Serbinë edhe nëse çështja e njohjes është shtyrë njëherë. Marrëveshja duhet gjithashtu ta bëjë më të lehtë për Kosovën hyrjen në organizatat ndërkombëtare dhe shpresojmë që të inkurajojë vendet e tjera në komunitetin e OKB-së që nuk e kanë njohur zyrtarisht Kosovën deri më tani për ta bërë këtë”, thotë ai.

I pyetur për deklaratën e fundit të presidentit serb Vuçiq ku tha se nuk do të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, Jamie Shea thotë se ai e ka ditur shumë mirë për cfarë u dakordua dhe sipas tij, presidenti serb kishte kohë të mjaftushme për të menduar një gjë të tillë, i mbetet vetëm të zbatojë krejt çka thuhet.

“Besoj se është më mirë të shihet se si po zbatohet marrëveshja përpara se të vendoset për të refuzuar të gjithë atë ose pjesë të saj. Marrëveshja u negociua nën kujdesin e BE-së gjatë disa muajve përpara se të përfundohej së fundmi nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq në Maqedoninë e Veriut. Kështu që presidenti Vuçiq e dinte shumë mirë se çfarë po nënshkruante dhe kishte mjaft kohë për të menduar për këtë përpara se të miratonte dokumentin. Pra, ajo që është negociuar me mirëbesim duhet të zbatohet me mirëbesim dhe nga të dyja palët”, tha ai.

Por, kush po qëndron prapa këtyre deklaratave të Vuçiqit? Shea thotë se udhëheqja politike ka të bëjë me guximin për të bërë gjëra të nevojshme, por të vështira, me formimin e opinionit publik dhe jo thjesht ndjekjen e tij.

Sa i përket raporteve Kosovë-Serbi, Jamie Shea thotë se shembulli më i mirë për t’u bazuar është marrëdhëniet mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut që sipas tij, tashmë janë frymëzim për vendet tjera në rajon.

“Presidenti Vuçiq është më i miri për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Nga ana ime do të thosha vetëm se nëse të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për të krijuar paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve do të duhej të kishin vlerësime 100% të miratimit nga opinioni publik vendas, nuk do të krijohej kurrë paqe. Udhëheqja politike ka të bëjë me guximin për të bërë gjëra të nevojshme, por të vështira. Ka të bëjë me formimin e opinionit publik dhe jo thjesht ndjekjen e tij. Shikoni marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Disa vite më parë të gjithë thanë se këto dy vende nuk do të bënin kurrë kompromis për emrin e Maqedonisë së Veriut. Pastaj erdhën dy liderë të guximshëm politikë, të cilët e zgjidhën çështjen. Pati disa protesta të shkurtra nga kampet nacionaliste të pakicave në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut dhe më pas heshtje. Të gjithë vazhduan dhe u përqendruan në mundësitë e së ardhmes dhe jo në antagonizmat sterile të së shkuarës. Mund të shpresoj vetëm se ky shembull i mirë i lidershipit politik do të frymëzojë të tjerët në rajon”, tha Jamie Shea.

Ndryshe, pak ditë më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do ta zbatojë totalisht marrëveshjen e arritur së fundmi me Kosovën.

Vuçiq i tha televizionit publik serbe se disa pika nuk do të zbatohen nga ana e Serbisë. Nga kjo deklaratë e tij ka pasur reagime të ndryshme nga pozita dhe opozita në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat