Kurti: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla i patolerueshëm, institucionet ta trajtojnë rastin me seriozitet

Aktuale

Kurti: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla i patolerueshëm, institucionet ta trajtojnë rastin me seriozitet

Më: 12 prill 2023 Në ora: 11:38
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar sulmin e mbrëmshën ndaj gazetarit Valon Syla.

Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.

“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.

Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat