​Përmes marshit, kërkohet shkarkimi i profesorit Bekim Bejta

Aktuale

​Përmes marshit, kërkohet shkarkimi i profesorit Bekim Bejta

Më: 12 prill 2023 Në ora: 12:08
Marshi simbolik

Me pankartat "Stilat e Bekimit, me ngacmu, me ofendu, me kërcnu, mos me t'lon me jetu", "Po du m'u shkolli, e jo m'u dhunu, marre po m'vjen për çka jom t'u protestu, "Në Universitet s'ka vend për "të trentë", "Përjashtojeni Bekim Bejten" sot është kërkuar shkarkimi i profesorit, Bekim Bejta.

Përmes një marshi simbolik, Organizata Unioni Demokratik Studentor dhe Këshilli Studentor të Fakultetit të Filologjisë kanë kërkuar përjashtim të profesorit Bejta, pasi sipas tyre, nuk mjafton suspendimi.

Përfaqësuesi i studentëve, Edon Nishori ka thënë se është e turpshme që një profesor i tillë tash e 11 vjet ka ushtruar dhunë psikike dhe nga instancat përgjegjëse nuk është ndërmarrë një dënim konkret ndaj tij.

Nishori: Dhuna psikike, na vjen turp që një profesor tash e 11 vjet ka bërë këso veprime

"Ky është marsh simbolik i organizuar kundër profesorit, Bekim Bejta, i cili tash e sa kohë vazhdon me dhunë psiqike dhe çdo formë tjetër kërcënuese ndaj studentëve të depertamentit të anglishtes, por edhe ndaj depertamenteve tjera, me saktësisht edhe ndaj Këshillit Studentor, të cilët vazhdimisht janë marrë më këtë çështje në manyrat e tyre zyrtare dhe jozyrtare për t'i mbrojtur studentët. Padyshim se dukuritë e tilla nuk janë të mirëpritura dhe neve sot na vjen turp që një profesor tash e 11 vjet ka bërë këso veprime dhe nga instancat përgjegjese nuk është ndërmarrë një denim konkret ndaj tij, por lëshimet që janë bërë ndaj tij vetëm e kanë inkurajuar më shumë që ai t'i kërcënojë dhe t'i shantazhojë studentët. Po ashtu, edhe ne i kemi disa fakte që do t'i adresojmë tek Këshilli i Etikes dhe në instanca tjera", ka thënë Nishori.

Ai është shprehur se edhe pas pezullimit të profesorit në fjalë nuk do të ndalen duke reaguar deri në shkarkimin e tij.

Nishori: E papranueshme që ky profesor pas pezullimit të kthehet në fakultet dhe mos të përjashtohet

"Në mëngjes kuptuam se është pezulluar përkohësisht për një periudhë gjashtë mujore, ku i ndalohet qasja në fakultete dhe në ligjerata, ku studentët nuk duhet brengosur studentët e anglishtes, pasi depertamenti do të merret me mënyrën e organizimit. Por, ky është vetëm fillimi i një fitoreje të studentëve të ngritjes së zërit të tyre, sepse pezullimi me përjashtim ka dallim. Andaj, ne do ta vazhdojmë revoltën tonë me metodat tona që do të njoftoheni ditëve në vijim në drejtim të dekanatit dhe instancave tjera, sepse mendojmë se do të jepen në Këshill të Etikës edhe disa rekomandime apo përgjigje nga instancat përgjegjëse që e kanë indinjuar këtë që sa kohë. Ne do ta bëjmë detyrën tonë më së miri, sepse për ne është e papranueshme që ky profesor pas pezullimit të kthehet në fakultet dhe mos të përjashtohet kur ka kaq shumë fakte dhe kaq shumë dukuri negative, madje përgjigjjet e fundit janë edhe më kërcënuese sesa ato që ishin", ka thënë Nishori.

Madje, sipas përfaqësuesit të studentëve, ka pasur edhe kërcënime nga me të ndryshmet nga profesori, siç ka thënë ai, edhe ngacmime seksuale, porse me kohë do t'i dëshmojnë me fakte.

Nishori: Kemi pas kërcënime nga më të ndryshmet

"Kemi pas kërcënime nga më të ndryshmet, si personale...Ai edhe përmes notave në SEMS, kemi raste se nuk mund të them lirshëm pasi nuk kemi fakte adekuate, por kemi edhe per ngacmime seksuale të studentet, siç i cilëson ka dy metra të bukura, por ne do t'i dëshmojme të gjitha", është shprehur mes tjerash Nishori.

Edhe studenti Festim Tasholli nga kjo organizatë është shprehur i zhgënjyer nga mosveprimi me kohë ndaj profesorit Bekim Bejta nga Këshilli i Etikës, pasi sipas tij, është hera e pestë që i njëjti dërgohet te Këshilli i Etikës.

Tasholli: Nuk do të ndalemi deri të arrijmë përjashtimin e tij nga Universiteti

"Profesori në fjalë është hera pestë që dërgohet në Këshill të Etikës. Katër vendimet e mëparshme të Këshillit të Etikës kanë qenë masa shumë të lehta ku ka marrë vërjetjte me shkrim apo i është ndaluar mentorimi për tema të masterit apo bachelor-it dhe mendoj se kjo është një arsye tjetër që i bënë studentët të hezitojnë të japin deklaratë. Ne nuk do të ndalemi deri të arrijmë përjashtimin e tij nga Universiteti, por edhe gjithë profesorët tjerë që mundohen t'i shkelin studentët", ka thënë ai.

Pas fjalimeve, studentët kanë hyrë në rektorat për të biseduar me rektorin Qerim Qerimi në lidhje me shkarkimin e profesorit Bekim Bejta.

Dy javë më parë në media është publikuar një audioincizim, në të cilin dëgjohet profesori Bekim Bejta, duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

Më 6 prill 2023 aktivistët e organizatës studentore Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV) kanë protestuar para Rektoratit të UP-së me kërkesën që të merren masa ndaj profesorit universitar Bekim Bejta, i cili ligjëron në Fakultetin e Filologjisë. Ndërkaq, është bërë e ditur se profesori Universitar, Bekim Bejta është suspenduar nga puna në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat