As sot nuk mbahet mbledhja e KQZ-së

Aktuale

As sot nuk mbahet mbledhja e KQZ-së

Më: 12 prill 2023 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do ta mbajë mbledhjen që ishte planifikuar të mbahet sot.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë se janë në përgatitje të materialeve për mbledhje.

“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë”, ka deklaruar ai.

E njëjta mbledhje ishte planifikuar të mbahej dje, mirëpo anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar më shumë informacione për vlerësimin e sigurisë së qendrave të votimit.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, dje për Express tha se e kanë dërguar listën e qendrave të votimit në Policinë e Kosovës dhe kanë marrë përgjigje mirëpo kanë kërkuar informacione shtesë.

“Kemi konsideruar se nevojiten më shumë informacione lidhur me vlerësimin e sigurisë së qendrave të votimit, duke qenë se jemi të obliguar që të hapim qendra të votimit sa më afër vendbanimeve të qytetarëve. Nuk kemi marrë rekomandim të tillë nga organet kompetente. Ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë alternativa në rast se organet e sigurisë e vlerësojnë të nevojshme. Ne tashmë e kemi dërguar listën e qendrave të votimit dhe jemi në pritje të vlerësimit dhe rekomandimeve. Kemi marrë një përgjigje, por kemi kërkuar informacione shtesë, mbi qendrat e votimit ku zakonshëm janë mbajtur zgjedhjet”, tha Elshani.

Kujtojmë që më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat