Pendohet që i braktisi institucionet e Kosovës, mbeti pa pagën e premtuar nga Serbia

Aktuale

Pendohet që i braktisi institucionet e Kosovës, mbeti pa pagën e premtuar nga Serbia

Më: 12 prill 2023 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

U paguan një kohë, por kjo pagë e premtuar nga Qeveria e Serbisë i është ndërprerë. Suzana Millunoviq, një nënë vetushqyese nga Leposaviqi thotë se kjo po ndodh për shkak se nuk janë simpatizant dhe mbështetës të Listës Serbe. Ajo ka fajësuar edhe zyrtarët e komunës së Leposaviqit dhe kryetarin Zoran Todiq. Millunoviq thotë se ajo dhe të tjerët që mbetën pa paga janë mbështetës të Partisë së serbëve të Kosovës.

Suzana Millunoviq është njëra nga punëtorët që me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, i ka braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Pagën e premtuar nga Beogradi, së fundi nuk e ka marrë dhe shprehet se është e manipuluar.

Ajo thotë se për padrejtësitë që i bëhen nga Lista Serbe dhe zyrtarët e komunës së Leposaviqit do t’i drejtohet institucioneve ndërkombëtare dhe atyre të Kosovës.

”Gjashtë vjet prej se ka ardhur kjo Listë Serbe jemi të shantazhuar dhe i kemi të gjitha dyert e mbyllura. Thuajse nuk ekzistojmë në Leposaviq. Njerëzit, besoni, jetojnë nën frikë, popullata në Leposaviq dhe më gjerë po e mbështet luftën për të drejtat tona, por nuk guxon ta ngris zërin kundër Listës serbe”, ka thënë Millunoviq për Radio Dukagjinin.

Ajo ka theksuar se është penduar që është larguar nga vendi i punës. Ajo është shprehur e gatshme që t’i rikthehet punës.

“Po, po meqë thjesht kemi parë që jemi manipuluar nga komuna e Leposaviqit dhe kryetari Zoran Todiq. Na dhanë disa kontrata, një letër të thjeshtë që nuk ka kurrfarë vlere. Por, do të luftojmë. Planifikojmë që në rast se në afat sa më të shkurtër mungon përgjigja nga Komuna e Leposaviqit, t’u drejtohemi për ndihmë institucioneve ndërkombëtare dhe Qeverisë në Prishtinë, që nëse ka mundësi të na kthejnë në vendet e mëparshme të punës”, shtoi ajo.

Millunoviq thotë se e tëra është çështje politike nga ana e Listës Serbe, derisa potencon se kanë të drejtë të mendojnë me kokën e tyre.

Tetë banorë të Leposaviqit, të cilët në nëntor të vitit të kaluar u larguan nga institucionet e Kosovës dhe u transferuan në sistemin serb, pohojnë se nuk kanë marrë pagat këtë muaj.

Sipas mediumit lokal serb Kossev, ata e kanë fajësuar Listën Serbe dhe komunën e Leposaviqit, për ndërprerjen e pagës, pas transferimit të tyre nga institucionet e Kosovës në sistemin serb.

“Kush nuk mendon me kokë siç mendon Lista Serbe dhe liderët e saj, ai në Kosovë e ka problem”, ka theksuar për KoSSev një banor i Leposaviqit.

Për ndërprerjen e pagës, ata nuk kanë marrë asnjë paralajmërim apo sqarim.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat