Hoxha Osman Musliu reagon për sulmin ndaj Valon Sylës, i publikon fotografi kur i bënte ‘like’ thirrjeve për dhunë ndaj tij

Aktuale

Hoxha Osman Musliu reagon për sulmin ndaj Valon Sylës, i publikon fotografi kur i bënte ‘like’ thirrjeve për dhunë ndaj tij

Nga: N. Sh. Më: 12 prill 2023 Në ora: 17:33
Osman Musliu

Hoxha nga Drenica Osman Musliu ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Hoxha përmes një postimi në Facebook, ka publikuar edhe një fotografi e cila tregon se si gazetari Syla e kishte bërë “like” një thirrje për dhunë fizike ndaj tij.

"Madje në këtë foto mund ta shihni se si gazetari në fjalë bën like një thirrje për dhunë fizike ndaj meje. Por unë asesi nuk do ia bëj like as sulmit ndaj tij e askujt tjetër, as ofendimet e sharjeve ndaj tij jo pse ndoshta ky person e meriton por ngase mendoj se këto veprime nuk përkojnë me mësimet e as edukatën Islame", shkruan ai.

Postimi i plotë:

Se sa keqpërdoret liria e shprehjes nga vetë proklamuesit e saj, sidomos gazetarët, këtu s'kemi dyshim. Ofendimet, sharjet, talljet e lajmet e rreme rreth Islamit e muslimanëve çdo ditë janë prezente në media e mjediset tona. Madje në këtë foto mund ta shihni se si gazetari në fjalë bën like një thirrje për dhunë fizike ndaj meje. Por unë asesi nuk do ia bëj like as sulmit ndaj tij e askujt tjetër, as ofendimet e sharjeve ndaj tij jo pse ndoshta ky person e meriton por ngase mendoj se këto veprime nuk përkojnë me mësimet e as edukatën Islame.

Me këtë rast, unë prapë bëj thirrje që hallet, dertet, padrejtësitë, sulmet e ofendimet ndaj muslimanëve nuk mund të zgjidhën ‘bashibozukçe’ nga persona jokompetentë e me mënyra të dhunshme. Institucionet shtetërore e fetare, në këtë rast Bashkësia Islame, duhen të jenë në krye të detyrës duke filluar nga vetëdijësimi, parandalimi e deri tek rrugët gjyqësore që t'i ndalojnë këto sulme e ofendime ndaj Islamit nga qarqe të ndryshme e kundër reagimet euforike ndaj të parëve.

Për ne muslimanët Muhammedi a.s, si personi më i dashur mbi tokë, është vijë e kuqe dhe si i tillë nuk lejojmë nëpërkëmbjën e figurës së Tij. Jemi të hapur për kritika, analiza e kundërshtime parimore por asesi për ofendime, sharje e tallje në emër të lirisë së shprehjës. Ndërsa mënyra, rruga e instanca që duhet të mirret me këtë çështje janë institucionet dhe personat kompetentë përmes mënyrave të duhura që asesi nuk përfshijnë dhunë e sulme fizike. Andaj e dënoj këtë sulm fizik ndaj personit në fjalë nëse ështe bërë në emër të fesë siç e denoj nxitjen e urrejtës fetare që bëhet në emër të lirisë së fjalës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat