“Kombi malazez nuk zhduket”: Çka i tha Abazoviq nga distanca Kurtit pak orë para se të takohet me të?

Aktuale

“Kombi malazez nuk zhduket”: Çka i tha Abazoviq nga distanca Kurtit pak orë para se të takohet me të?

Më: 14 prill 2023 Në ora: 09:41
Dritan Abazoviq

Dritan Abazoviq, kryeministër në detyrë i Malit të Zi, po qëndron në Kosovë për një vizitë 3 ditore, ku pritet të takohet edhe kryeministrin e Kosovës. Por, pak orë para se ta takonte shefin e ekzekutivit kosovar, Abazoviq e dha një intervistë të gjatë në “Rubikon”.

Nga studio televizive, Abazoviq kishte edhe disa mesazhe për Kurtin, teksa shefi në detyrë i Qeverisë së Malit të Zi e komentoi edhe një deklaratë të homologut të tij kosovar. Në fakt, Abazoviq e komentoi një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, në të cilin Kurti alaramonte në lidhje me rrezikun e shuarjes së kombit malazez nëse humb Milo Gjukanoviq, ish-president i Malit të Zi.

Përkundër se ishte i qartë, Abazoviq u tregu edhe diplomatik, duke thënë fillimisht se e respekton Kurtin, e pastaj duke ia kthyer një përgjigje këmbëngulëse. Sipas tij, kombi malazez nuk do të zhduket, por do të fuqizohet.

“Unë kam respekt për kryeministrin e Kosovës dhe e respektoj mendimin e çdokujt. Nuk do të hyjë në një polemikë. Mendoj se Mali i Zi është shtet më i organizuar dhe më i fuqishëm se sa mendojnë se dikush mundet me zgjedhje të thjeshta me ndryshu. Dhe gjithashtu jo që nuk mendoj që kombi malazez do të zhduket, por do të jetë më i fuqishëm kur t’i ketë institucionet shumë më të mira, të relaksuara dhe të fshira nga ata njerëz që kanë të bëjnë me korrupsion” – deklaroi z. Abazoviq.

Politikani me qëndrime interesante, pra Abazoviq, u tregua i përmbajtur, duke thënë se nuk dëshiron të hyjë në detaje. Nga studio, Abazoviq foli edhe me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dyert e Malit të Zi janë të hapura për të gjithë qytetarët.

“Kaq, nuk do të doja të hyja në detaje, secili e ka mendimin e vetë. Ndoshta kjo vizitë e imja në Kosovë dhe takimi që do të kem me kryeministrin, është një mundësi e mirë që t’i tregojë popullit të Kosovës që dyert e Malit të Zi janë të shumë hapura për të gjithë nga Kosova dhe kurgjo nuk ka ndryshuar në mënyrë të keqe, por përkundrazi.” – deklaroi Abazoviq.

Tutje, Abazoviq foli edhe për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se një marrëveshje përfundimtare do të ishte e mirëseardhur për të gjithë rajonin. Në një përgjigje të tij, Abazoviq dukej se i jepte një "këshillë" Kurtit.

“Normalisht, ndoshta duhet që disa të drejta u duhet dhënë më shunë edhe komunitetin serb në Kosovë.” – deklaroi Dritan Abazoviq.

Ai e shpjegoi edhe arsyen prapa këtij mendimi.

“Mendoj se, aty duhet të gjendet një kompromis minimal dhe me ecë drejt një përfundimi për të cilin se do të kishte qenë i suksesshëm për të gjithë.” - thotë ai.

Pak kontekst

Ndryshe disa ditë më parë, Abazoviq e kishte bërë edhe një koment në lidhje me deklaratat e çuditshme të Kurtit, i cili vlerësoi në mënyrën më negative të mundshme mundësinë e fitores së Jakov Millatoviqit, i cili në fakt edhe fitoi në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.

“Unë jam shumë i brengosur për ato zgjedhje. Nuk e kam fare për shkak të prejardhjes, por nëse fiton kundërkandidati i presidentit aktual, unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez” – theksonte Kurti në “Rubikon”.

Në deklaratën e mëhershme, Abazoviq kishte theksuar që Kurti nuk ka nevojë të brengoset për Malin e Zi.

“Unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për kryeministrin e Kosovës, por mendoj që gjithkush ka problemet edhe në shtëpi të vet. Për Mal të Zi nuk ka nevojë me u brengos kërkush, pos nesh. Unë nuk kam qef me kriju një keqkuptim, por mendoj që çdokush mundet me fjet rahat sa i takon Malit të Zi. Mali i Zi për dy vite është duke bërë vetëm rezultate të mira, është duke shku në drejtim të duhur edhe sa i takon sundimit të ligjit, drejtësisë dhe ekonomisë. Nëse na flejmë mirë në Mal të Zi, atëherë nuk ka nevojë kërkush me qenë i brengosur në rajon. Ne jemi një shtet shumë paqësor dhe do të mundohemi edhe në të ardhmen të merremi me këto çështje.” – deklaroi z. Abazoviq.

Tashmë ka filluar takimi mes Kurtit dhe Abazoviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat