Kurti: Kemi ndarë 18 milionë euro për të blerë pajisje digjitale për shkolla

Aktuale

Kurti: Kemi ndarë 18 milionë euro për të blerë pajisje digjitale për shkolla

Më: 14 prill 2023 Në ora: 11:55
Albin Kurti

Kryeministri Albin  Kurti ka thënë folur sot tryezën e rrumbullakët të MAShTI-it në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Bashkimin Evropian, me temën “Nga politika në praktikë: Transformimi i Arsimit përmes Mësimit Digjital”.

Kurti tha se aspekti i parë i rëndësishëm në shtyllën e digjitalizimit në arsim janë sistemet, proceset dhe të dhënat në fushën e arsimit.

“Të dhënat analitike dhe sistemet e ndërlidhura do të mundësojnë transparencë dhe llogaridhënie politikbërje të bazuar në fakte në fushën e arsimit. Platforma digjitale do të rezultojë në përmirësimin e gjithëmbarshëm të cilësisë dhe shërbimeve arsimore”, tha Kurti.

“Gjatë pandemisë, video-materialet mësimore ishin një shtyllë shumë e rëndësishme për mësimin në distancë, por në rrethana të vijimit normal në shkolla, nevojiten video-materiale mësimore digjitale, multi-modale e shumë më të pasura, duke përfshirë përmbajtje audio-vizuele, animacione, elemente interaktive, laboratorë virtual dhe lojëra edukative”, shtoi ai.

Tutje Kurti tha se strategjia synon që këtë mundësi të mund ta gëzojnë të gjitha kategoritë shoqërore në vend, ‘prandaj plani i veprimit përfshin përgatitjen e materialeve mësimore digjitale, edhe në gjuhët e komuniteteve, si dhe për fëmijët me nevoja të veçanta’.

“Për të përmirësuar qasjen në mësimin digjital, shkollat kanë nevojë për lidhje me internet, si dhe për pajisje elektronike, si për mësuesit, ashtu edhe për nxënësit. Edhe këtu gjithëpërfshirja mbetet një parim kyç. Përmes projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, Qeveria me mbështetje në fonde nga Banka Botërore, ka arritur që 100 përqind, pra të gjitha vendbanimet në Kosovë, të kenë qasje në internet brezgjër. Në kuadër të këtij projekti, është bërë lidhja e 107 shkollave me internet brezgjërë”.

I pari i Qeverisë tregoi se institucioni të cilin ai e drejton ka ndarë 18 milionë euro nga bugjeti, për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla.

“Natyrisht se shkollat kanë nevojë për pajisje elektronike, kompjuterë, tabela inteligjente dhe printera. Sipas një raportin nga viti 2021, del se mesatarshit, në shkolla ka një kompjuter për 35 nxënës. Kjo është larg mesatares së BE-së, andaj, duke e konsideruar se kjo është një nga fushat prioritare ku duhet të ndërhyjmë, ne kemi dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare, që në masë të madhe do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu tregoi se këtë vit kanë marrë kërkesa për furnizim me pajisje digjitale nga 432 shkolla, të cilat janë duke u shqyrtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat