Votim për vizat në PE, dalin detaje edhe për ceremoninë e nënshkrimit

Aktuale

Votim për vizat në PE, dalin detaje edhe për ceremoninë e nënshkrimit

Më: 14 prill 2023 Në ora: 13:46
Parlamenti Evropian

Në agjendën e seancës së 18 prillit të Parlamentit Europian do të hidhet në votim edhe dosja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i PE’së, Janne Ojamo, fillimisht ka thënë se s’do të ketë votim në Parlament, por vetëm se do të miratohet.

“Meqë kjo marrëveshje është në lexim të dytë, do të miratohet në seancë pa votim”, ka thënë dje ai.

Përmes një email-i shtesë, Ojamo sot tha se megjithatë votim do të ketë. Ai tregoi edhe procedurën dhe ceremoninë e nënshkrimit një ditë më pas ku tha se pjesëmarrëse do të jetë edhe presidentja e PE-së, Roberta Metsola.

“Tashmë kemi më shumë informata: pas së gjithash, do të ketë një votim të martën , duke filluar nga ora 12. Sipas planit aktual, në ceremoninë e nënshkrimit të mërkurën do të marrin pjesë presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola dhe Jessika Rosëall, ministrja suedeze e BE-së që përfaqëson presidencën e Këshillit të BE-së”.

Ojamo shtoi se në këtë ceremoni janë ftuar gjithashtu edhe kryetari i komitetit LIBE, Juan Fernando López Aguilar dhe raportuesi për Kosovën, Thijs Reuten.

Parlamenti Europian në vitin 2018 kishte dhënë pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Europian se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.

Ky institucion i Bashkimit Europian për vite me radhë ka kërkuar që t’i jepet fund padrejtësia e mbajtjes në izolim për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, vitin e kaluar pati thënë se thirrjet e tyre për këtë çështje po shkojnë në vesh të shurdhur.

“Me gjithë faktin se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat tona, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Europian. Thirrjet e përsëritura të Parlamentit Europian kanë hasur në veshë të shurdhër. Jo vetëm se kjo është e pandershme, por edhe e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bën më të dobët”, pati thënë ajo.

Sipas marrëveshjes së dakorduar, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.

Pas miratimit në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:

–  Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

–  Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

–  Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian

–  Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi

–   Liberalizimi i vizave hyn në fuqi

Që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat