Dalin detaje nga takimi me Abazoviqin, Osmani “godet” Serbinë

Aktuale

Dalin detaje nga takimi me Abazoviqin, Osmani “godet” Serbinë

Më: 15 prill 2023 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 13:47 më 15.04.2023
Vjosa Osmani dhe Dritan Abazoviq

Abazoviq pas takimit me Osmanin: Falënderoj Kosovën për mikpritjen

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë sot se pas takimit me presidenten Vjosa Osmani se dëshiron bashkëpunim të afërt dhe zhvillim ekonomik për të gjitha vendet e rajonit.

Abazoviq në një postim në Twitter ka falënderuar për mikpritjen e këndshme që i është bërë gjatë qëndrimit treditor në Kosovë.

“Ishte kënaqësi që bisedova me presidenten Vjosa Osmani…. Falënderoj Kosovën për mikpritjen e këndshme gjatë qëndrimit tim tre ditësh. Dëshirojmë bashkëpunim më të afërt dhe zhvillim ekonomik për të gjitha vendet e rajonit…”, shkruan Abazoviq.

Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës thuhet se e para e shtetit Vjosa Osmani në takimin me Abazoviqin ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. 

Osmani: Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të shtunën në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Takimi ndërmjet Osmanit dhe Abazoviqit është duke u zhvilluar në presidencë.

Kryeministri Abazoviq dje ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Kryeministri i Malit të Zi, dje gjatë ditës ka pasur takime edhe me zyrtarë të ndryshëm shtetëror, biznese si dhe ka takuar edhe liderët e partive politike.

Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë sot do ta vizitojë edhe komunën e Pejes, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

Abazoviq për vizitë zyrtare ka mbërritur në Kosovë gjatë së enjtes.

Sot takohen Abazoviq dhe Osmani

Dritan Abazoviq, kryeministri i Malit të Zi, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Takimet e djeshme i ka pasur me krerë të opozitës, teksa me homologun e tij  Albin Kurtin, kanë nëshkruar marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të të dy shteteve.

Gjatë ditës së sotme, Abazoviq planifikon të vizitojë edhe qytetin e Pejës, për të parë ecurinë e projektit të përbashkët të IPA-s si dhe për të parë nga afër disa nga bizneset kryesore të qytetit.

Këtyre vizitave do iu paraprijë një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Takimi është njoftuar të nisë në ora 10:00, në Kabinetin e Presidentes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat