Ish-drejtori i Policisë: Situata në veri e tensionuar, por zgjedhjet duhet të mbahen

Aktuale

Ish-drejtori i Policisë: Situata në veri e tensionuar, por zgjedhjet duhet të mbahen

Më: 15 prill 2023 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Tashmë kur data e mbajtjes së zgjedhjeve në veri po ofrohet, në atë pjesë të vendit vetëm kanë filluar të ndodhin incidente.

Madje, gjatë ditës së djeshme presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është takuar me serbët në Rashkë, ku edhe ka bërë thirrje komunitetit serb që mos të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

E, ka kohë që situata në veri të vendit është e tensionuar e thotë ish-drejtori i Policisë tani deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

Qalaj, thotë se Vuçiqi ka tendencë që situata në veri të tensionohet sa më shumë.

“Ju e keni parë dje ka qenë një takim në Rashkë ku presidenti i Serbisë ka ftuar përfaqësuesit e Listës Serbe dhe po ashtu i ka bërë thirrje komunitetit serb në veri që mos të marrin pjesë në zgjedhje dhe po ashtu në këtë takim pastaj kanë qenë edhe disa pika ku sipas presidentit të Serbisë duhet sa më shpejtë që realizohen dhe kjo është tendencë e presidentit dhe e Serbisë që situata në veri të tensionohet sa më shumë”, ka thënë Qalaj, për Fo.

Qalaj: Shteti dhe institucionet e sigurisë duhet të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

 Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj thotë se pas situatës së tensionuar në veri dhe incidenteve atje, shteti i Kosovës dhe institucionet e sigurisë duhet të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Po sigurisht, krejt kjo është duke u bërë sidomos për të parandaluar, pamundësuar që të mbahen zgjedhjet në veri. Unë mendoj që shteti i Kosovës, institucionet e sigurisë duhet të krijojnë kushte nga aspekti i sigurisë që qytetarët që dëshirojnë të votojnë të dalin dhe të votojnë në mënyrë të sigurt, ndërsa për ata që kanë vendosur mos të dalin është e drejtë e tyre”, është shprehur ai.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që ditëve në vijim mund të ketë edhe incidente të tjera.

“Edhe mund të ketë incidente, po për atë punë është Policia dhe institucionet e sigurisë dhe çfarë do incidenti ata duhet fillimisht nëse ka mundësi ta parandalojnë e pastaj ta menaxhojnë”, ka deklaruar Rashit Qalaj.

Duke parë situatën atje, ditëve të fundit janë shtuar zërat që është mirë që këto zgjedhje të shtyhen dhe të mos mbahen më 23 prill.

Por, Qalaj deklaron se të njëjtat duhet të mbahen dhe se nuk mund të pritet derisa Lista Serbe të vendos a do të marrë pjesë apo jo.

“PDK-ja kërkon që të zbatohet ligjshmëria dhe Kushtetuta e Kosovës edhe në pjesën e veriut të vendit, pra zgjedhjet duhet që të mbahen gjithsesi dhe këto zgjedhje nuk kanë alternativë duhet të mbahen, ne nuk mund të presim deri në pafundësi që Lista Serbë të vendos a do të marrë pjesë apo jo. Presidentja njëherë i ka shty zgjedhjet, dhe prapë Lista Serbe nuk është bindë dhe edhe sa duhet të pritet që Lista Serbe të aplikojë për certifikim dhe pastaj të merr pjesë në zgjedhje. Unë mendoj që gjithsesi zgjedhjet duhet të mbahen”, ka thënë ndër të tjera Qalaj.

Rashit Qalaj për incidentin në veri: Kam informata se reagimi ka qenë jokonform procedurave policore

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka folur edhe për rastin e plagosjes se një pjesëtari të komunitet serb në Zveçan e ku dyshohet se në këtë rast ishin të përfshirë katër zyrtarë policor.

Sipas tij, kjo që ka ndodhur e ka ngarkuar edhe më shumë situatën e sigurisë në veri, por ka dëmtuar edhe policinë dhe shtetin e Kosovës.

“Rasti si rast e ka ngarkuar edhe më tej situatën e sigurisë edhe ashtu të rënduar në veri, ka qenë një rast i panevojshëm, një rast që e ka dëmtuar Policinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës dhe mendoj se raste të tilla nuk duhet të ndodhin për shkak se sipas gjitha gjasave dhe informatat që unë kam realisht reagimi ka qenë jokonform procedurave policore”, ka thënë ai.

Si shkak i plagosjes që ka ndodhur dy ditë më parë kanë nisur një peticion, përmes së cilit po kërkojnë largimin e të gjitha forcave speciale nga veriu.

Lidhur me këtë Qalaj, thotë se është kërkesë që ka dalë edhe në takimin e djeshëm që presidenti Vuçiq pati në Rashkë me serbët.

“Ky peticioni në fakt ka të bëjë edhe me kërkesën që ka dalë nga takimi i djeshëm ku presidenti i Serbisë dhe përfaqësuesit e komunitetit serb kërkuan dhe po kërkojnë që Policia të tërhiqet nga veriu meqenëse sipas tyre ata janë jashtëligjshëm atje dhe të formohet sa më shpejtë Asociacioni, por është një presion i cili realisht ka të bëjë me kërcënimin direkt që i bëhet banorëve të veriut të komunitetit serb”, ka thënë Qalaj.

Qalaj: Policia e Kosovës duhet të jetë më shumë prezente në veri të vendit

 Deputeti Rashit Qalaj, njëherësh ish-drejtor i Policisë së Kosovës, i pyetur se a ka nevojë që në veri të vendit të shtohet numri i patrullimeve qoftë nga ana e EULEX-it e po ashtu edhe e KFOR-it, Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës duhet të jetë më shumë prezentë në atë pjesë.

“Unë them që ka nevojë që Policia e Kosovës me qenë më shumë prezente, ndërsa shtimi i forcave ose i patrullave të EULEX-it nuk është një sinjal i mirë për shkak se në një farë mënyre po e deligjitmojnë Policinë e Kosovës atje, pra Policia e Kosovës është ajo e cila duhet të patrullojë dhe e cila duhet të monitorojë çdo situatë atje, ndërsa shtimi i patrullave të EULEX-it ose KFOR-it mund të bëhet vetëm nëse Policia e Kosovës i kërkon ato”, është shprehur ish-drejtori Qalaj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë shpallur fillimisht për 18 dhjetor 2022, por, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, janë shtyrë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre.

Presidentja Vjosa Osmani e kishte caktuar 23 prillin si datë të zgjedhjeve në veri, pas konsultimeve me subjektet politike.

Lista Serbe në vazhdimësi ka deklaruar se do t’i bojkotojë këto zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.

Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat