Kurti: Rindërtimi i kadastrit dhe transformimi digjital prioritet i yni

Aktuale

Kurti: Rindërtimi i kadastrit dhe transformimi digjital prioritet i yni

Më: 18 prill 2023 Në ora: 13:43
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur sot gurthemelin e objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Kurti tha se ndërtimi i objektit të ri të AKK-së do të kushtojë 2.1 milionë euro dhe ka gjithsejtë katër mijë metra katror. Ai theksoi se vetëm gjatë gjysmës së mandatit të tij, ekzekutivi ka investuar 16 milionë euro në fushën e kadastrit.

“Për njëzet vjet në Kadastrin e Kosovës gjithsej janë investuar rreth 20 milionë euro, mirëpo vetëm gjatë gjysmës së mandatit të qeverisjes sonë po investohen 16 milionë euro. Kjo do të thotë se për gjysmë mandati sa 80 për qind të qeverive paraprake marrë së bashku gjatë dy dekadave të kaluara. Në anën tjetër, kjo ndërtesë që kap vlerën diku 2.1 milionë euro do t’i ketë katër mijë metra katror në mënyrë që kushtet e punës për të punësuarit këtu të jenë adekuate për reformat e shumta të cilat ne do t’i ndërmarrim. Rindërtimi i kadastrit dhe transformimi digjital, komunikimi i bazave të ndryshme të dhënave të shtetit tonë të ketë komunikim të brendshëm të lehtë. Në këtë mënyrë pasqyra e shtetit siç është kadastri të jetë e qartë dhe saktë”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti u zotua se në dy vjetët e ardhshme të mandatit të tij do të përmbyllet çështja e numrave të objekteve dhe emrave të rrugëve në 38 komunat e Kosovës.

“Deri tash në 11 komunat të Kosovës e kemi përmbyllur çështjen e numrave të objekteve dhe emrave të rrugëve. Brenda 2 dy vjetëve do ta përmbyllim këtë proces në gjithsej 38 komuna, anë e mbanë Republikës sonë”, tha ai.

Bashkë me Kurtin në vendosjen e këtij gurthemeli ishin edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AKK-së Avni Ahmeti.

Mirëpo, para se të vendos gurthemelin e objektit të ri, Kurti qëndroi në zyrat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Ai aty tha se janë të vendosur për reformimin e kësaj agjencie, derisa bëri të ditur se vetëm gjatë dy viteve para të mandatit të tij janë paguar 75 milionë euro për shpronësimet nga borxhi prej 188 milionësh.

“Brenda dy viteve kemi arritur të përfundojmë pagesat për 75 milionë euro nga borxhi i gjithmbarshëm i shpronësimeve që ishte 183 milionë euro. Ndërkaq 25 milionë euro të tjera janë buxhetuar për këtë vit”, tha ai.

Ndërkaq, ministri Aliu tha se fusha e kadastrit ka shumë sfida, mirëpo janë të vendosur për të gjetur zgjidhje.

“Uroj që objekti që do të vendosim gurthemelin sot të na krijojë kushtet e mira që më lehtë të përballemi me sfidat në fushën e kadastrit. Fusha e kadastrit vërtet është fushë me sfida të mëdha, vendi ynë ka kaluar në faza dhe etapa të ndryshme historike, andaj kadastri i vendit tonë është ndikuar nga situatat politike. Rindërtimi i kadastrit nuk është çështje e lehtë, është mjaft sfiduese, por ne jemi të vendosur që të gjejmë një zgjidhje dhe të punojmë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat