​Radoniqi fton qytetarët të votojnë: Siguria është në nivel, procesi i rregullt

Aktuale

​Radoniqi fton qytetarët të votojnë: Siguria është në nivel, procesi i rregullt

Më: 23 prill 2023 Në ora: 10:34
Kreshnik Radoniqi

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i zgjedhjeve në katër komunat veriore është duke vijuar pa probleme dhe siguria është në nivel. Pas vizitës në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut, Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të formohen institucionet legale.

Paraditen e sotme bashkë me anëtarë të tjerë të KQZ-së, Radoniqi ka vizituar një qendër votimi në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku tha se të gjitha qendrat janë hapur me kohë.

Radoniqi: Procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem

“Pamë që procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem. Gjithashtu dua të ftoj gjithë qytetarët e komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zupin Potokut që të dalin në zgjedhje, në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe me këtë mënyrë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ndërtojmë institucionet legale, demokratike”, tha kryesuesi i KQZ-së.

Para gazetarëve, Radoniqi u shpreh se kanë ndërmarrë të gjitha masat bashkë me policinë që këto zgjedhje të jenë të qeta.

Radoniqi: Po shpresojmë që procesi të përfundojë i qetë

“Ne si KQZ, siç kam deklaruar edhe më herët i kemi ndërmarrë të gjitha masat në bashkëpunim me policinë që ky proces të shkoj në rregull, të ketë qetësi, të hapen vendvotimet, të cilat të gjitha janë hapur në kohë, siç është paraparë dhe gjithçka ka shkuar sipas planit. Dhe po shpresojmë që gjithë procesi do të përfundojë i qetë”, ka shtuar Radoniqi.

Kryesuesi i KQZ-së nuk ka dhënë shifra se sa është numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Radoniqi: Nga kjo qendër votimi kanë dalë rreth 60 persona

“Saktësisht nuk mund të them tani, por sa munda të kuptoj nga kjo qendër e votimit, nga ky vendvotim, deri më tani kanë dalë rreth 60 persona. Për më tutje do të shohim”, u shpreh ai.

Radoniqi shtoi se nuk ka urdhër që të mos lejohen mediat për të filmuar në qendrat e votimit, për çka tha se janë të lira për të kryer punën e tyre.

Radoniqi: Siguria është në nivel, nuk ka ndonjë problem

“Me sa e pash edhe me sa kam informacione, siguria është në nivel. Edhe ju vet po e shihni se nuk ka ndonjë problem.... Kontejnerët kanë qenë një zgjidhje më e përshtatshme, duke marrë parasysh rrethanat që janë krijuar. Unë nuk besoj që përdorimi i kontejnerëve do të jetë pengesë në votim. Qytetarët janë të lirë, kanë qasje në këto qendrat e votimit dhe është një mundësi që KQZ ju ofron qytetarëve për të votuar, përmes këtyre kontejnerëve”, ka vijuar Radoniqi.

Në katër komunat në veri të Kosovës, po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku të drejtë vote kanë mbi 45 mijë qytetarë. Për këto zgjedhje të jashtëzakonshme janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat