Pas kalimit të fazës së parë, Ahmeti optimist për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në KiE

Aktuale

Pas kalimit të fazës së parë, Ahmeti optimist për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në KiE

Më: 24 prill 2023 Në ora: 17:34
Kreshnik Ahmeti

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti është optimist se Kosova shumë shpejtë do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Pas kalimit të fazës së parë për anëtarësim në KiE, Ahmeti deklaroi për KosovaPress se institucionet e Kosovës janë të gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha procedurave që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës të ecë sa më shpejtë. Përkitazi me këtë, ai tha se raportet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të dëshmojnë se Kosova ka Kushtetutën më progresive në Evropë, në raport më të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë.

Ahmeti, i cili gjendet në Strasburg dha detaje për miratimin e aplikimit të Kosovës të Komitetit të Ministrave në nivel të ambasadorëve.

Ahmeti: Aplikimi ynë është votuar me 2\3 e votave

“Sot është arritur një sukses në rrafshin multilateral për Republikën e Kosovës. Aplikimi ynë për në Këshillin e Evropës është miratuar nga Komiteti i Ministrave në nivel të ambasadorëve. Kjo nënkupton se proceduralisht ka përfunduar faza e parë në gjithsej tri faza deri në anëtarësimin e plotë, por në kuptimin politik njëra ndër fazat më të rëndësishme. Mbledhjet e komitetit të ministrave janë të mbyllura dhe për detaje nga ato nuk kemi qasje, kanë qasje vetëm anëtarët aktual të Këshillit të Evropës. Por, nga ajo që kemi kuptuar është se aplikimi ynë është votuar me mbi dy të tretat e nevojshme të anëtarëve të Këshillit të Evropës”, tha ai.

Sipas tij, tani aplikacioni i Kosovës tani do të kalojë në nivel të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët do të caktojnë disa raportues për të bërë raporte për përputhjen legjislative të Kosovës në raport me Konventat e Këshillit të Evropës. Pastaj, të njëjtat duhet të miratohen sërish me dy të tratat e votave në asamble dhe t’i rikthehet sërish Komitetit të Ministrave për votim, por kësaj radhe në nivel të ministrave të punëve të jashtme.

Ahmeti: Asambleja do të përpilojë një numër raportesh për Kosovën

“Tash Komiteti i Ministrave e përcjell aplikimin tonë tek Asambleja Parlamentare e cila duhet të përpilojë një numër raportesh mbi Kosovën, në lidhje me përputhjen legjislative në raport me Konventat e Këshillit të Evropës. Ne tashmë e dina se qëndrojmë mirë pasi në formën ultilaterale i kemi adoptuar një numër konventash të rëndësishme. Raporti përfundimtar pastaj votohet nga të gjithë anëtarët e Asamblesë Parlamentare mbi 320 deputetë me dy të tretat e votave. Pastaj shkon si opinion jo obligative tek Komiteti i Ministrave përsëri, por kësaj radhe në nivel të ministrave dhe jo të ambasadorëve. Nuk do të jetë një periudhë e lehtë, do të jetë një periudhë komplekse dhe me shumë punë, por institucioneve tona janë të përgatitura t’iu përgjigjen të gjitha nevojave që ky proces të ecë sa më shpejtë”, shtoi ai.

I dyti i MPJD-së është optimist se i tërë procesi i anëtarësimit të plotë të Kosovës në KiE nuk do të vonojë.

Ahmeti: Jam optimist për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

“Këto janë çështje procedurale. Kjo sigurisht se do të përcillet këtë javë apo javën tjetër. Pastaj vetë asambleja ka procedurat e saj, përcaktimin e raportuesve përkatës për çështje të ndryshme, pastaj ata raportues do të bëjnë raportet e tyre për Kosovën, pastaj një raport do të votohet nga e tërë asambleja parlamentare në njërën nga sesionet e ardhshme...Prandaj, unë jam optimist se procedura do të jetë relativisht e shpejtë dhe ne si institucionet jemi të gatshme dhe përgatitura tanimë që kjo procedurë mos të bllokohet”, deklaroi ai.

Përkitazi me këtë, Ahemti nënvizon se Kosova ka kushtetutën më progresive në Evropë në raport me të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komunitetit joshumicë.

Ahmeti: Kosova ka Kushtetutën më progresive në Evropë

“Republika e Kosovës është një shtet që ka kushtetutën më progresive në Evropë, ndoshta edhe në botë në raport me të drejtat nga komunitetet joshumicë. Sigurisht se kjo është një përparësi në rrugën tonë drejtë anëtarësimit të plotë në Këshill të Evropës”, tha ai.

Ahemti potencoi se pavarësisht lobimit të madh të Serbisë, ajo nuk arriti qëllimin për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Ahmeti: Nuk kemi informacion për diskutimet brenda mbledhjes, por nuk mund të dyshojë se Serbia ka qenë kundër

“Disponimi ka qenë i mirë që nga aplikimi, sepse koordinimi ka qenë paraprak. Ka qenë një periudhë më pak se 12 mujore ku kemi bërë lobim intensiv dhe ka pasur suksese paraprake, para këtij suksesi të rëndësishme sot, siç është opinioni pozitiv ligjor nga Departamenti ligjor i vet KiE por edhe e drejta e fjalës të delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare që është siguruar për herë të parë. Nuk kemi informacion për diskutimet brenda mbledhjes, por nuk mund të dyshojë se Serbia ka qenë kundër, duke marrë parasysh edhe deklaratat publike të kohëve të fundit”, përfundoi ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në 12 maj të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat