Takimi në Bruksel - Miratohet Deklarata për të Zhdukurit, Vuçiq: Kurti s’e pranoi draft-statutin për Asociacionin

Aktuale

Takimi në Bruksel - Miratohet Deklarata për të Zhdukurit, Vuçiq: Kurti s’e pranoi draft-statutin për Asociacionin

Nga: Bota sot Më: 2 maj 2023 Në ora: 15:15 Përditësuar në ora: 22:53 më 02.05.2023
Bruksel, 2 maj 2023.

​Kurti: Drafti-statuti i propozuar i papranueshëm, propozova draft-vizionin tim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka prezantuar sot në Bruksel një draft-vizion për rregullimin e komunitetit serb në Kosovë.

Pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar sot ishte fundametalisht i papranueshëm për Kosovën.

Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për "Republika Srbska" në Kosovë.

"Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë", tha ai.

Borrell i shqetësuar me zgjedhjet në veri të Kosovës: Mund të ketë kriza të reja

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pas takimit të nivelit të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq,  ka thënë se mbetet i shqetësuar për numrin e vogël të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor për katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas tij, këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate dhe mund të sjellin tensione të reja nëse palët nuk e zgjidhin këtë çështje.

“Pika e fundit që është më pak pozitive, ne diskutuam për situatën në terren. Kemi shprehur shqetësimin e thellë për situatën në veri me një pjesëmarrje të vogël në procesin e votimit”.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë një zgjidhje afatgjate. Kjo nuk është çka ne dëshirojmë të kemi. Unë i kam inkurajuar palët që të gjejnë një zgjidhje që serbët të kthehen në pozicionet e tyre që i kanë braktisur”.

“Liderët nuk mundën të arrijnë një marrëveshje sonte dhe jam i shqetësuar që mund të kemi kriza të reja”.

Borrelli për draft-statutin e Asociacionit: Palët ende me qëndrime të largëta

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, është deklaruar pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin.

Duke folur për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u prezantua sot për herë të parë nga ekipi menaxhues në kuadër të takimit trepalësh në Bruksel, ai tha se ky është vetëm hapi i parë drejt statutit final të AKS-së.

“Palët morën një hap të rëndësishëm përpara rreth Asociacionit, palët ishin pajtuar 10 vjet më parë dhe sonte u prezantua drafti i parë dhe nuk është drafti final. Ky është në linjë me marrëveshjen e re”, tha Borrelli, duke iu referuar marrëveshjes së Ohrit.

Ai tha se Kurti në takim i ka thënë qëndrimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb, por shtoi se “siç është pritur, qëndrimet e palëve janë të largëta rreth Asociacionit”.

“Ata janë pajtuar që t’i nisin negociatat në një të ardhme të afërt, duke e marrë këtë draft si një pikë-nisje. Ne kemi shumë modele të asociacioneve në Evropë”, tha mes tjerash shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. 

BE shpalosi një plan për veriun e Kosovës, Serbia e pranoi menjëherë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga ekipi menaxhues.

Pas takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiq para gazetarëve tha se për palën kosovare draft-statuti ka qenë i papranueshëm.

“Për ta është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën, sepse ata nuk dëshirojnë një Republikë Serbe edhe pse sipas të gjitha pikave të statutit kërkohet qartë në bazë të marrëveshjeve të më hershme dhe pikave të marrëveshjes së 2015-es. S’ka asnjë pikë që nuk është nënshkruar dhe marrë vesh më parë.”, tha ai.

Në lidhje me situatën në veri pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiq deklaroi se Bashkimi Evropian ka shpalosur një propozim të cilën ai e ka pranuar menjëherë, por Kosova do ta shqyrtojë dhe uron të ketë një përgjigje deri në takimin e ardhshëm që pritet të mbahet me gjasë brenda këtij muaji.

Në lidhje me Deklaratën për Personat e Zhdukur, Vuçiq tha se do të jenë bashkëpunues dhe presin që edhe Kosova të dëshmojë të njëjtën vullnet.

Përfundon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka përfunduar tashmë takimi në Bruksel, i pari pas atij të Ohrit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ende nuk janë dhënë detaje se si, ka përfunduar ky raund i diskutimeve, por së shpejti pritet që të ketë një konferencë për media, nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Vuçiq: Kosova s’e pranoi draft-statutin për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sot kemi ardhur te muri”, tha Vuçiq, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në rend dite ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e këtij asociacioni.

Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Vuçiq tha se draft-statuti është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj.

Prezantohet draft-statuti për Asociacionin

Në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit është paraqitur draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton REL.

Ekipi Menaxhues - i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb - përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë - paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni.

Danijella Vujiçiq, nga ky ekip, ka thënë se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj - nga prilli 2018 deri në gusht 2018.

"Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018", u tha Vujiçiq gazetarëve.

Vujiçiq, sipas Radio Televizionit të Serbisë, ka raportuar për “skena të pakëndshme gjatë prezantimit të draft-statutit” nga pala kosovare. 

Borrell: Urgjente që procesi i identifikimit të varrezave të përfundojë sa më shpejt

Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka thënë se e mirëpret arritjen e marrëveshjes ku Kosova e Serbia e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta për ta lehtësuar situatën e familjeve të tyre,

Borrell tha se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuti.

“Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur”, është shprehur Borrell.

Më tej, ai tha se Kurti e Vuçiq kanë rënë dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të nivelit të kryenegociatorëve.

Shefi i diplomacisë evropiane, tutje tha se zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur tashmë nuk është veç detyrim humanitar, por edhe mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.

“Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të varrezave të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar”.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”, është shprehur Borrell.

Ai tha se nga 6 mijë e 65 persona të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000, 1 mijë e 621 persona mbesin edhe të zhdukur.

“Më shumë se njëzet vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, të pavetëdijshëm për vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre ashtu si shoqëria në përgjithësi”, tha Borrell.

Borrell deklarohet pasi Kurti dhe Vuçiq miratuan Deklaratën për të Zhdukurit

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka thënë se BE-ja mirëpret miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në takimin e sotëm Kosovë- Serbi në Bruksel.

Pas miratimit, Borell ka thënë se dy palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për "detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve".

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja...pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.

Ai ka shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit të saj do të monitorojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me këtë çështje.

Miratimi i kësaj deklarate ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Ja deklarata e dakorduar nga Kurti-Vuçiq për të pagjeturit

Është publikuar deklarata e dakorduar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, për Personat e Zhdukur me Forcë.

Më poshtë mund ta gjeni deklaratën e plotë:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave ende të zhdukur për t'i mbyllur vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

 Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

 Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

 Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

Ne angazhohemi së bashku:

-Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

-Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,

-Për të siguruar qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,

-Të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave ende të zhdukur,

-Për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,

-Të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

-Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

-Të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,

-Të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.

-Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat