Qeveria e Kosovës ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë - adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e sotme

Aktuale

Qeveria e Kosovës ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë - adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e sotme

Më: 10 maj 2023 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 13:26 më 10.05.2023
Qeveria e Kosovës

​Kurti: Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së për insulinat

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të shkarkojë nga detyra anëtaren e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi për shkak të tenderit me insulina. Qeveria, po ashtu ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë. Ndërkaq, i ka dhënë dritë të gjelbër edhe marrëveshjes 28 milionëshe me GIZ-in gjerman për projektin e promovimit të sipërmarrjes në zonat rurale bujqësore.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së, ku lejohet importi i insulinave pa autorizim të marketingut, që garanton cilësinë e tyre. Andaj, ai është shprehur se është e domosdoshme të merren masa, fillimisht duke shkarkuar anëtaren e penalit përzgjedhës të OShP-së që e ka marrë këtë vendim.

Kurti: Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim marketingu, e cila shpie direkt tek rrezikimi i shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për trajtim me insulinë. Qeveria ka detyrë të jetë e përgjegjshme dhe të shmangë çdo rrezik që qytetarëve tanë do t’iu kanoset. Për këtë detyrohemi të marrim masa në pajtim me legjislacionin në fuqi. Andaj, sot të marrim vendim që t’i propozojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës shkarkimin e anëtares së OShP-së, zonjës Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin e cila ka marrë vendimin e dëmshëm në dëm të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka paraqitur para kabinetit qeveritar disa nga sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë të harmonizuara me pakon e dhjetë të sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së.

Gërvalla: Kosova po përditëson në vazhdimësi sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

“Eksportet e teknologjisë kritike dhe mallrave industriale, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, sigurimin e kapacitetit të depozitimit të gazit për rusët, tranzitin përmes Rusisë të mallrave dhe të teknologjisë së eksportuar të BE-së me përdorim të dyfishtë...Republika e Kosovës edhe pse nuk është e obliguar në bazë të marrëveshjeve kontraktuale që ka me BE-në, pasi ende nuk e gëzon statusin e vendit kandidat të BE-së, në vazhdimësi i ka përditësuar dhe zbatuar sanksionet e BE-së dhe ShBA-ve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci është shprehur se marrëveshja me GIZ-in gjerman fokusohet në dizerfikimin e fermave bujqësore në zonat rurale.

Peci: Fokusi është në sektorin e bujqësisë në zonat rurale

“Nisma në fjalë është iniciuar duke pasur parasysh përvojën e mirë të ndërtuar gjatë kësaj periudhe kohore ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe GIZ-it gjerman, në kuadër të fondeve nga Qeveria e Gjermane. E njëjta ka për qëllim dezifirkimin e fermës dhe aktiviteteve në zonat rurale të Kosovës”, ka theksuar ministri Peci.

Krahas këtyre, qeveria ka dhënë mendim pozitiv edhe për nisëm legjislative të Kuvendit për Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Ajo ka miratoi edhe Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri.

Qeveria i propozon Kuvendit që ta shkarkojë anëtaren e OShP-së, Kimete Gashi

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit të Kosovës, shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

Kryeministri Albin Kurti në një fjalë rasti ka thënë se Kimete Gashi ka udhëhequr në marrjen e një vendimi për furnizim me insulina, i cili sipas tij, është i dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”.

“Detyrohemi të marrim masa. Sot i propozojmë Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, zonjës Kimete Gashi e cila ka udhëhequr vendimin e dëmshëm për qytetarët e Kosovës”.

Qeveria me Udhëzim Administrativ për riintegrimin në shoqëri të fëmijëve viktima të abuzimit

Qeveria ka miratuar Projekt-Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri.

Gjithashtu në mbledhje është miratuar edhe themelimi i komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në procesin e rekrutimit të kandidatëve për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës me përbërje të: Agron Gashit, Fahrije Qorrajt, Shkurte Krasniqit

Pas dorëheqjes së dy anëtarëve të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Qeveria ka miratuar emrat e Behrije Ramaj dhe Ylber Gjocaj për anëtarë të rinj.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 142-të të Qeverisë

Të nderuara zëvendëskryeministre, Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,

Të dashur qytetarë,

Para dy javëve, Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026.

Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35%.

Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.

Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro.

Në atë mbledhje, Komisioni i Granteve miratoi buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetit me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80%.

Në fillim të prillit, në një takim, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e komunave, hapëm thirrjen publike për Komuna për masat e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike.

Në maj të vitit të kaluar, nënshkruam “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, në kuadër të agjendës sonë të gjelbër.

Javën tjetër, do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me Kryetarët e Komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, që është edhe ministri i linjës, është në komunikim dhe dispozicion të përhershëm me krerët e komunave, pa dallim.

Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta, të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëpunim të afërt të Qeverisë me komunat.

Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike.

Ju falemnderit.​

Kosova ashpërson sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me situatën me Ukrainën.

Ekzekutivi ka harmonizuar me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në pakon e dhjetë të sanksioneve ndaj Federatëa Ruse dhe Bjellorusisë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme të Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë sot se në kuadër të sanksioneve ekonomike do të përfshihen edhe ndalimi i eksporteve të teknologjisë kritike në Rusi dhe kufizimin e shtetasve rus në çfarëdo pozicioni insitucional.

Krahas kësaj, Qeveria në mbledhjen e sotme ka dhënë mendim pozitiv për nismën legjislativie të Kuvendit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për zgjedhje të përgjithshme.

Kurti: Qeverisja lokale po i bënë opozitë nivelit qendror, kjo është gabim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja lokale po i bënë opozitë nivelit qendror.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se dikur niveli qendror i bënte opozitë nivelit lokal, kurse tash po ndodh e kundërta, e cila sipas tij është gabim.

Ai paraqiti disa shifra që dëshmojnë rritjen e përkrahjes finaciare të qeverisë së tij ndaj komunave.

"Buxheti komunal tani është 742 milionë euro, 200 milionë euro më shumë për komuna se ish-qeveritë e kaluara. Kjo vlerë rekorde vjen si rezlutat i të hyrave për buxhetin", tha ai.

Derisa, paralajëmroi se javën e ardhshme do të ketë takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Kurti thotë se disa komuna po i bëjnë opozitë nivelit qendror: Është gabim, qeveria është e të gjithëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka lavdëruar kabinetin e tij për bashkëpunim me qeverisjen lokale.

Ndërkohë duke thënë se sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror.

“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me kryetarët e komunave, të katërtin deri më tani me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët. Janë dëshmi të forta të mbështetjes së qeverisë për komunat.

Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë, gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi, të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve, prandaj edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave, e komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”.

Kurti përmendi edhe ndarjen e granteve për komunat për periudhën 2024-2026.

“Para dy javëve komisioni i granteve mbajti një takim të rëndësishëm ku i miratua  ndartja e granteve për komuna për periudha 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisjes së mëparshme. Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro. Kjo vlerë rekorde vjen si rezultat i drejtpërdrejt rritjes së të hyrave për buxhetin e shtetit. Granti për shëndetësi ka rritje për 16 për qind për 2024, krahasuar me 2023. Ndërsa për arsim është rritur për 18.5 për qind”, u shpreh ai.

Mblidhet sot Qeveria

Qeveria e Republikës së Kosovës sot të zhvilloj mbledhjen e radhës.

Mbledhja pritet të filloj nga ora 10:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Nuk është dhënë detaje tjera më të hollësishme se çfarë do të bisedohet.

Mirëpo zhvillimet e fundit mund të jenë pjesë e kësaj mbledhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat