Qeveria hesht për shtetasit e Kosovës që Gjermania i bëri edhe serbë

Aktuale

Qeveria hesht për shtetasit e Kosovës që Gjermania i bëri edhe serbë

Më: 16 maj 2023 Në ora: 23:41
Foto ilustrim

Se kosovarët kanë probleme me shtetësinë e fëmijëve të tyre në këto dy lande të Gjermanisë, Shtutgart dhe Munih, është në dijeni edhe Qeveria e Kosovës.

Bazuar në intervistat që kemi pasur me konsullatat në këto lande, ky problem i është kumtuar secilës qeveri të pas Pavarësisë në Kosovë.

Por ato nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për ta larguar shtetësinë e tretë që është ajo serbe, që vendoset në certifikatat e fëmijëve të kosovarëve, prindërit e të cilëve kanë shtetësi gjermane.

KIKS Kosova ka më shumë se një javë që është përpjekur të marrë një deklarim nga ana e institucioneve të Kosovës, nëse e ka trajtuar këtë problem apo ka në plan ta bëjë atë në të ardhmen.

Fillimisht, KIKS-i i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës më 8 maj, duke kërkuar një përgjigje nga ta për rastin konkret, atë të Abdullah Thaçit, i cili u ballafaqua me këtë problem në momentin kur provoi ta regjistrojë djalin e tij të porsalindur në Komunën Rathaus Buhl, në Shtutgart kur edhe pa se djalit të tij i figuronte shtetësia gjermane, kosovare dhe ajo serbe.

Por as sot, kur është data 16 maj, Ministria e Jashtme e as Qeveria Kurti nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, madje as konfirmim se e kanë marrë kërkesën e KIKS Kosovës.

Pas këtij e-maili, dy ditë më vonë, KIKS-i u ka shkruar sërish institucioneve kosovare, kësaj radhe direkt ministres Gërvalla, Ministrisë së Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla dhe Qeverisë së Kosovës.

Në e-mailin e datës 10 maj, KIKS-i kërkoi të kuptojë më tepër, jo vetëm për problemin e Thaçit, por edhe të të gjithë kosovarëve që janë ballafaquar me të njëjtën gjë.

Asnjëra nga këto institucione nuk dha sqarim në këto pyetje të KIKS Kosovës.

Mbesim me shpresë që kjo thirrje publike do të rezultojë që institucionet të përgjigjen dhe të nisin procedurat për ta zgjidhur këtë problem, i cili, sipas të gjitha gjasave, ka të bëjë më tepër me marrëveshje bilaterale mes dy shteteve dhe është i mënjanueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat