Situata në veri, eurodeputetja Burkhard mbështet Kosovën: ShBA dhe KE të ndryshojnë rrugën

Aktuale

Situata në veri, eurodeputetja Burkhard mbështet Kosovën: ShBA dhe KE të ndryshojnë rrugën

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 11:44
Delara Burkhardt është takuar dje në Francë me presidenten Vjosa Osmanin

Zëvendëskryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën, Delara Burkhardt është takuar dje në Francë me presidenten Vjosa Osmanin, me ç’rast kanë biseduar për situatën në Kosovë.

Burkhard ka mbështetur Qeverinë e Kosovës lidhur me veprimet e fundit në veri të Kosovës, derisa ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar me qasjen karshi Kosovës.

“Ne socialistët dhe demokratët në Parlamentin Evropian qëndrojmë fuqishëm në anën e Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit. SHBA-të, si dhe Komisioni Evropian po marrin rrugën e gabuar në konfliktin Kosovë-Serbi, në mënyrë që ta lidhin Serbinë më ngushtë me kampin euroatlantik. Kjo politikë injoron rolin destabilizues të regjimit të Vuçiqit, i cili instrumentalizon rregullisht pakicat serbe në rajon për të vepruar kundër qeverive kombëtare në Ballkanin Perëndimor dhe shtetit të Kosovës. Kjo është dritëshkurtër.", është shprehur ajo.

Eurodeputetja e SPD-së, Burkhard ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Evropian duhet ta ndryshojnë rrugën e tyre. Ajo e ka konsideruar të mirë planin pesë-pikësh të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin në veri.

"SHBA dhe Komisioni Evropian duhet të ndryshojnë rrugën e tyre. Ne duhet të emërtojmë dhe të kundërveprojmë politikën e jashtme destabilizuese të Serbisë në mënyrë që të mbështesim Republikën Demokratike të Kosovës të drejtuar nga vlerat e BE-së. Plani 5-pikësh i qeverisë Kurti është një pikënisje e mirë.", ka shtuar tutje ajo.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat