Rama vizitë në vendet e rajonit, më 6 korrik në Prishtinë

Aktuale

Rama vizitë në vendet e rajonit, më 6 korrik në Prishtinë

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:47
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kryeministri Rama do të ndërmarrë ditën e enjte një tur 2-ditor në të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai do të komunikojë me liderët e këtyre shteteve për të çuar përpara axhendën e Procesit të Berlinit.

Ndalesa e parë do të jetë Shkupi në datën 6 Korrik dhe pasditen e po kësaj dite do të jetë në Prishtinë për t’u takuar dhe dalë përpara mediave në krah të Albin Kurtit.

Ndërsa të premten Rama do të fluturojë drejt Sarajevës, Podgoricës e Beogradit. Në këtë të fundit do të përmbyllë dhe takimet e tij si lideri i vendit pritës të mbledhjes së radhës të Procesit të Berlinit në Tetor në Tiranë.

Rama deklaroi javën e shkuar se misioni i Ballkanit të Hapur përfundoi me sukses dhe tani të gjitha vendet e rajonit duhet t’i përqendrojnë energjitë te Procesi i Berlinit.

Media ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës për të konfirmuar vizitën e Ramës në Prishtinë dhe nëse do të ketë takim me kryeministrin Kurti.

Kryeministri Rama kishte anuluar mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive e planifikuar të mbahej më 20 qershor në Gjakovë.

Këtë e kishte bërë me arsyetimin lidhur me situatën në veri dhe kishte kërkuar një takim të një formatit tjetër mes dy kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

Qeveria e Kosovës kishte thënë se anulimi i një mbledhje të dakorduar në mënyrë të njëanshme ka ndodhur për herë të parë, duke thënë se formati i takimit të propozuar nga Rama do të mund të mbahej po atë ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat