Mustafa i përgjigjet videos së VV-së, i quan Dejonën, Elvisin e Hysamedinin “pionerë” të Enver Hoxhës

Aktuale

Mustafa i përgjigjet videos së VV-së, i quan Dejonën, Elvisin e Hysamedinin “pionerë” të Enver Hoxhës

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 14:16
Besian Mustafa

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka reaguar ndaj videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare se “nuk u del zëri për zgjedhje të reja”.

Në një postim në Facebook, ish-ministri i bujqësisë i ka quajtur pionerë të Enver Hoxhës, Dejona Mihalin, koordinatore e Komiteteve në VV, Elvis Hoxhën, këshilltar i kryeministrit, Albin Kurti dhe Hysamedin Feraj, po ashtu këshilltar i Kurtit.

“Pionierët e Enver Hoxhës, Dejona, Elvisi e Hysamedini më paskan përfshirë në videon e radhës, plot ankesa se po ju pengoj ta kthejnë Kosovën në shkretëtirë enveristo-marksist-leniniste të stilit “edhe bar do hamë”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka vijuar “Bari ju bëftë mirë juve pionierë të xhaxhit, unë e dua Kosovën të begatshme e krahpërkrah Amerikës”.

Mustafa ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke u uruar edhe gjithë shqiptarëve që “dëshirojnë të jetojnë krahpërkrah me popullin amerikan, e jo kundër tij”.

Po ashtu edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas publikimit të kësaj videoje të VV-së.

Ajo ka thënë se ka mungesë të kreativitetit në këtë video si dhe sipas saj ka “sondazhe fake, video propaganduese dhe panikë”.

“Më pyeti dikush dje, A thu çka ka me qenë reagimi i pushtetit për iniciativën e LDK-së”, i thash Sondazhe fake, video propaganduese, panikë. Më paska ikë mungesa e shijes/kreativitetit në video “, ka shkruar Kica-Xhelili.

Ndryshe, Në një video të publikuar së fundmi, partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka kritikuar partitë opozitare, duke e titulluar atë “Kjo opozitë me koordinim a pa koordinim?!”

Në videon e shkurtër, ata hedhin akuza ndaj partive opozitare për veprime të mëparshme dhe ndërveprimet e tyre në politikën e vendit.

LVV-ja në videon e saj akuzon partitë opozitare se flasin për izolim, ndërsa sipas tyre, “në periudhën kur ishin në pushtet, ata kanë nënshkruar marrëveshjen e njohur si ‘Zajednicë’, kanë kryer shitblerje dhe vjedhje të pasurive publike, duke e mbajtur popullin për 20 vjet të izoluar”.

“Në nismat e tyre që janë më afër Serbisë, e larg popullit të Republikës. Këta shpresojnë që duke u dorëzuar me partitë e tyre të vogla mund të vijë në pushtet”, thuhet në videon e LVV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat