“Kom ba kërcënim”/ Pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

Aktuale

“Kom ba kërcënim”/ Pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 11:24 Përditësuar në ora: 18:08 më 14.07.2023
Rrustem Mustafa

​Komandantët e zonave nuk merrnin urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, thotë Remi në Speciale

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UCK-së nuk ka mundur t’i urdhërojë komandantët e zonave, meqë sipas tij, këta të fundit e njihnin më mirë situatën në zonat që i drejtonin. Ai është intervistuar nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, në ditën e katërt të dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ish-komandant Remi ka thënë se pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm jo gjithmonë kanë qenë të respektuar nga komandantët e zonave.

Mustafa: Ne e kemi përfunduar luftën dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur me qenë hierarki e respektuar për dhënien e urdhëresave njësive vartëse.

Avokati Emmerson: Urdhrave?

Mustafa: Po.

Avokati Emmerson: Kur thoni ata nuk mund të na jepnin urdhra dhe nuk mund të pajtoheshim për asgjë pa pëlqimin e komandantëve të zonave, kjo do të thotë që në fakt ata nuk mund të ju jepnin urdhra apo jo, sepse nuk ishin në pozicion të siguronin zbatimin e këtyre urdhrave?

Mustafa: Ne i kemi njohur shumë pak, shumë vonë, nuk ka pasur besim të ndërsjellë sikur më vonë, nuk kanë mundur të më urdhërojnë të veproj pa dëshirën time, nëse unë nuk jam bind që është në rrugën e drejtë.

Avokati Emmerson: E kuptoj plotësisht që kështu ka qenë realiteti në teren por nuk e kanë pasur të qartë të gjithë këta që janë në sallën e gjyqit se si funksionin gjërat në praktikë.

Tutje Emmerson e ka pyetur atë edhe rreth takimeve që komandantët e zonave i kanë zhvilluar me Shtabin e Përgjithshëm, duke u ndalur të përshtypja që Ramush Haradinaj, ish-komandant i Zonës së Dukagjinit, kishte për pjesëtarët e Shtabit.

Mustafa: E kam vështirë të flas për pikëpamjet e të tjerëve por shpesh herë nuk kanë qenë Shtabi i Përgjithshëm të nderuar nga ne. Nuk po dua të flas personalisht për asnjërin”, ka thënë Mustafa.

Emmerson: Pra në terma të përgjithshëm mund të themi që komandantët e zonave nuk tregonin niveli ne duhur të respektit për shtabin e përgjithshëm. Tani nuk do të flas shumë sepse është bërë një gjykim për zonën e dukagjinit dhe të gjitha janë të dokumentuara, por Ramush Haradinaj për shembull ai mendonte se Shtabi i Përgjithshëm nuk është se po jepte ndonjë kontribut, ai besonte se ishin pikërisht ata burra që mbanin armët, ai ishte në drejtues i fortë, ishte goxha i famshëm në zonën e vet në Kosovë, dhe ai nuk kishte ndjesinë që Shtabi i Përgjithshme jepte kontribut të madh për këtë pjesë, apo jo?

Kjo u pohua nga Rrustem Mustafa ndërsa tutje avokati ka përmendur një takim që Bislim Zyrapi e kishte zhvilluar me komandantë të zonave, në periudhën para Rambujesë.

Sipas Emmerson, Haradinaj aty kishte pasur kritike për emërimet që bëheshin në Shtab duke theksuar se aty duhej të vendoseshin ushtarë e jo akademikë.

A përdori një term, ju kujtohet termi që përdorte rregullisht për të përshkruar Shtabin e Përgjithshëm kur përshkruante në raport me luftëtarët e vërtetë në teren, kishte një term të vetin që e përdorte ai, ju kujtohet?

Mustafa: Shpesh herë i kemi përbuzur në takime, ka pasur raste që i kemi larguar nga takimi.

Avokati Emmerson: Ramush Haradinaj i thërriste turistë, të kujtohet?

Mustafa: Nuk po dëshiroj të lëshohem.

Ish-komandant Remi ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur të bëjë asnjë marrëveshje pa i pyetur komandantët e zonave.

Ai është pajtuar me avokatin Emmerson se në atë periudhë ishte e rëndësishme që të projektohej një imazh i UÇK-së për ndërkombëtarët, në mënyrë që të merreshin seriozisht.

Avokati Emmerson: Kur shihnit një urdhëresë të Shtabit të Përgjithshëm ju kishit përshtypjen mund ta zbatonit ose jo, pra ishte në dorën tuaj, në varësi të vlerësimit dhe nevojave të zonës suaj.

Mustafa: Unë jam përpjekur t’i zbatoj por ka raste kur nuk i kam përfillë.

Avokati Emmerson: A mund të jetë diçka urdhëresë, nëse vendosë ta zbatosh ose jo. Si rregull në ushtri kur jepet një urdhër duhet zbatuar, pa e vënë në dyshim vartësi këtë urdhërese, a mendoni që termi urdhëresë është përkufizimi i duhur nëse dikush vendosë të mos e zbatojë, apo mund të jenë thjesht kërkesa apo sugjerime që dikush pastaj vendosë t’i zbatojë ose jo?

Mustafa: Në ushtritë e rregullta urdhri zbatohet por ne edhe urdhëresat në atë kohë i merrnim si rekomandime, ne besonim se më mirë e njohim situatën ne nga vinim sesa Shtabi i Përgjithshëm, dhe Shtabi i përgjithshëm nuk e njihte...

Avokati Emmerson: Kjo ishte një përgjigje e rëndësishme dhe do të ju pyes prap lidhur me ketë, sidomos sa i takon qasjes së Ramush Haradinajt kundrejt Shtabit të Përgjithshëm. Ti the nuk e njihnin situatën siç e njohim ne në teren do të flasim prap për këtë.

tutje, Emmerson e ka pyetur atë për një takim në Shtabin e Përgjithshëm ku është diskutuar për caktim të pozitave.

Aty, ai e ka përmendur emërimin e Sylejman Selimit në krye të Shtabit, për cka kak thënë se kanë dashur ta kompletojnë Shtabin derisa të tjerët ka thënë se i kanë parë në nivel politik.

Mustafa: Me Sylejman Selimin kemi dashur ta kompletojmë Shtabin, të tjerët i kemi parë në nivel politik

“Ne e kemi menduar vetën në shefin e Shtabit të përgjithshëm me komandantin për shembull Selimi kur ka ardhur komandant, ne e kemi menduar këtë rreth që jemi shtabi i përgjithshëm, jo të tjerët, kemi dashur ta kompletojmë shtabi ne përgjithshëm të tjetër i kemi parë në nivel politik, kurse shefin e shtabit, baskë me komandant të zonave, edhe komandantin në ardhje e kemi parë si Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së... Unë kam menduar me pas një njëri që ka qenë i dëshmuar në teren dhe është sikur ne që ishim në luftë dhe që mund t’i besonim, kjo është mendimi im, sepse fjala kontroll mund të interpretohet ndryshe por mendimi im është kështu”, ka thënë ai.

Ai është pajtuar me avokatin Emmerson se ka pranuar se mbledhje të tilla me Shtabin që ishin disi humbje kohe për komandantët e zonave.

Emmerson duke marrë për referencë disa dokumente e transkripte lidhur me këto takime.

Ndërsa tutje e ka pyetur atë për një telefonatë të përgjuar që siç ka thënë ai ka qenë në mes të Rrustem Mustafës dhe Adem Demaçit.

Por kjo është bërë në seancë private.

Emmerson ka përmendur një mbledhje ku sipas tij ka qenë i pranishëm Kadri Veseli, në periudhën në mes të takimit të parë dhe të dytë të Rambujesë.

Rrustem Mustafa ka pohuar kjo ishte hera e vetme që kishte takuar Veselin në një mbledhje me Shtabin e Përgjithshëm.

Gjatë kësaj dëshmie, Rrustem Mustafa ka thënë se Latif Gashi ishte pjesë e TMK-së pas luftës ndërsa ka pranuar që të njëjtin e kishte njohur pastaj me Kadri Veselin.

“Nuk më kujtohet por me siguri unë e kam njohur me të”, ka thënë ai.

Dëshmia e ish-komandant Remit do të vazhdojë të hënën në Gjykatën Speciale.

Gjatë gjithë ditës të akuzuarit e kanë përcjellur atë nga salla e gjyqit.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykata Speciale: Pranohet si provë materiale intervista e Remit për BBC

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së premtes, është pranuar si provë materiale video dhe transkripta e intervistës së Rrustem Mustafës- Remit, për BBC për kohën e Rambujesë.

Fillimisht mbrojtja e Thaçit, konkretisht avokati Luka Mishetiq ka kërkuar të lëshohet një intervistë që dëshmitari Mustafa e kishte dhënë për BBC pas luftës, në lidhje me kohën e Rambujesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në videon e lëshuar, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se ky kishte qenë për shkuarjen në Rambuje, por jo për të nënshkruar.

“Kam qenë për shkuarjen në Rambuje, jo për nënshkrim po, veç me shku edhe me i thanë kërkesat tona”, dëgjohej të thoshte Mustafa.

Tutje, dëshmitari Mustafa dëgjohej të thoshte se shumica e komandantëve nuk kishin mundur të shkonin për shkak se ka qenë luftë.

“Po kena folë përmes telefonit, por ju kemi thanë se normalisht duhet me shku në Rambuje, me uniformë, me i prezantu qëllimet tona por kurrqysh nuk duhet me u mashtru, nuk bën me u tradhtu edhe duhet me fitu atje”, dëgjohej ai.

Gjithashtu, Mustafa dëgjohej të thoshte se i kanë thirrë në telefon të gjithë anëtarët e grupit dhe se i kanë kërcënuar se nuk guxojnë të nënshkruajnë dhe se nëse e bëjnë, nuk guxojnë të kthehen në Kosovë.

“E kom marrë telefonin, e kemi telefonu edhe kom ba kërcënim, nuk guxoni me nënshkru. M’u kujtohet si sot, i kemi thanë ju e dini se kemi raketa kundër ajrit për raketa edhe do t’i ruajmë ato raketa, s’do t’i përdorim me serbë, po aeroplanin e juaj po zbritet në Sllatinë do ta rrëzojmë”, thoshte Mustafa në atë intervistë.

Ndërkaq, tha se ata kanë vepruar ashtu, duke u kthyer në Kosovë, ashtu që të konsultoheshin.

Pas dëgjimit të kësaj videoje, avokati Mishetiq e ka pyetur dëshmitarin Mustafa në lidhje me atë që Thaçi iu kishte dhënë garanci komandantëve të zonave.

Në lidhje me këtë, dëshmitari Mustafa tha se Thaçi ishte shef i delegacionit të Rambujesë dhe se ka bërë gjithçka për t’i bindur.

Sipas tij, Thaçi i kishte bindur një nga një dhe se i ka siguruar se ai po kontakton me njerëzit më të fuqishëm.

“Kam qenë skeptik derisa ka fillu bombardimi i NATO-së”, shtoi tutje Mustafa.

Po ashtu, avokati Mishetiq e ka pyetur edhe në lidhje me atë se nëse komandantët e zonave do e hiqnin pëlqimin që i kanë dhënë Thaçit.

Dëshmitari Mustafa tha se pa ata, marrëveshja nuk do kishte kuptim.

-------------------------------

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

Dëshmitari Mustafa është dëshmitari i 13-të me radhë në këtë çështje gjyqësore dhe seancën e së premtes ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Luka Misetic, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve ka paraqitur kohën që planifikon për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, ashtu që mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se nuk ka ndryshime në planifikim, mbrojtjes së Veselit i duhen rreth 2 orë, mbrojtjes së Selimit rreth 5 orë dhe mbrojtjes së Krasniqit rreth 4 orë.

Tutje, prokurorja speciale Clare Lawson deklaroi se mund të jetë e nevojshme që t’i bëjë edhe pyetje plotësuese dëshmitarit Mustafa dhe në këto rrethana pritet që dëshmia e tij të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Ndryshe, në seancën e djeshme, ka përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit Mustafa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurores Clare Lawson dhe mbrojtësit të viktimave Simon Laws, pyetjet e të cilit janë bërë në sesion privat.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së  mërkurës dhe të enjtes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat