“Ai është kryesori i bandës” – flet babai i Triumf Rizës pas arrestimit të “Lizës”, bashkëpunëtorit të Sekiraqës

Aktuale

“Ai është kryesori i bandës” – flet babai i Triumf Rizës pas arrestimit të “Lizës”, bashkëpunëtorit të Sekiraqës

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 12:30
Shefqet Riza

Shefqet Riza, babai i policit të ndjerë Triumf Riza, e ka vlerësuar pozitivisht arrestimin e Ilir Abdullahut, të njohur si “Liza”, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e policit Riza.

Babai i policit të ndjerë ka thënë se “Liza” është kryesuesi i, siç tha ai, bandës së Enver Sekiraqës.

“Nuk është vonesë e drejtësisë, sepse ai ka qenë në arrati. Policia e ka bërë punën e tyre, mirë që e ka arrestu. Është një prej kryesorëve të bandës së Enver Sekiraqës, ai është i nxitun, ai ka marrë pjesë… Nuk jemi kontaktuar nga policia, lajmin e kemi marrë nga mediat”, deklaroi ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e Ilir Abdullahut, bashkëpunëtorit të Enver Sekiraqës, të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar në Batllavë të Podujevës.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur  me nofkën “Liza”. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

I dyshuari ka qenë në kërkim nga Interpoli nën akuzat për organizim të vrasjes së policit Riza.

Arben Berisha është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e policit.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat