Projektligji për mbrojtje i Senatit siguron mbështetje ushtarake të ShBA-së për Kosovën

Aktuale

Projektligji për mbrojtje i Senatit siguron mbështetje ushtarake të ShBA-së për Kosovën

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Projektligji vjetor për mbrojtje i Senatit do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane gjatë kohës kur tensionet janë të rritura në Ballkan.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë diskutimet këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t'i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, listë kjo e vendeve, e cila përfshin edhe rivalin e Kosovës, Serbinë.

Si një anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Serbia organizon rregullisht stërvitjet ushtarake “Platinum Wolf” me SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO dhe synon ta bëjë këtë përsëri këtë vit.

“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t'iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride.”, bëhet e ditur në një raport të komisionit që shoqëronte projektligjin.

Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit "mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike" me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, potencohet në raport.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i sigurisë, Agim Musliu u shpreh se do të jetë një mundësi e madhe për Kosovën, si aleate më e fortë e SHBA-së në Evropë!

“Kosova do të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s.”, shkroi ai në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat