Daka: Dorëheqja e kryetarëve në veri, mënyra e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve

Aktuale

Daka: Dorëheqja e kryetarëve në veri, mënyra e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve

Më: 1 gusht 2023 Në ora: 21:00
Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se mënyra e vetme dhe më e drejta për mbajtjen e zgjedhjeve ne veri do të ishte që kryetarët aktual në katër komunat në atë pjesë të Kosovës të dorëzojnë mandatet e tyre.

Daka tha se edhe dorëheqja me presion do te nënkuptoni shkelje ligjore.

“Natyrisht se dorëheqja është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë e shpalljes së zgjedhjeve të reja, sepse në momentin që kryetarët do të jepnin dorëheqje, do të fillonin procedurat ligjore për shpalljen e zgjedhjeve dhe do të vazhdonin ashtu siç janë mbajtur edhe më herët. Megjithatë, dhënia e dorëheqjes duhet të jetë një akt vullnetar i kryetarëve të komunave, sepse në të kundërtën, çdo dhënie e dorëheqjes në mënyrë të pavullnetshme do të konsiderohej shkelje dhe se ata kryetarë nën presion kanë dhënë dorëheqje”, deklaroi Daka për RTV 21.

Ish-kryetarja e KQZ-së tha se para se të vendoset për zgjedhje të reja, “duhet të gjendet një marrëveshje politike”, pasi sipas saj, mospjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhje do të sjellë të njëjtën situatë sikur pas zgjedhjeve të prillit.

Tashmë Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Pas pajtimit që Kurti bëri për shtensionim të situates në veri të vendit, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore, raporton Gazeta10.

Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat