Edhe Britania pranon letrën e parlamentarëve: Po punojmë për gjithë Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Edhe Britania pranon letrën e parlamentarëve: Po punojmë për gjithë Ballkanin Perëndimor

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 19:40
James Cleverly

Letrën e 56 parlamentarëve nga Europa dhe SHBA, që kërkojnë qasje më të barabartë karshi Kosovës dhe Serbisë, e ka pranuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Në një përgjigje për median, britanikët thonë se do t’i përgjigjen në kohën e duhur deputetëve.

Një zëdhënës nga Zyra për Politikë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë për Gazetën Express se janë duke punuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor për krijimin e një rajoni të sigurt.

“Ne po punojmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor për të krijuar një rajon të sigurt, të qetë dhe të begatë, të ndërtuar mbi themele të forta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.

MPJ britanike e thekson se kanë kërkuar uljen e tensioneve në veri të vendit, të cilat u ngritën pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë nëpër objektet komunale.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë ne kemi kërkuar de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe inkurajuam një kthim në dialogun konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve”, thuhet më tej në përgjigje.

Këtë kërkesë për qetësimin e situatës ia bëri kryeministrit Kurti edhe vetë Sekretari i Jashtëm britanik gjatë takimit që pati me të në Londër më 26 qershor.

“Siç ia kam bërë të qartë kryeministrit Kurti, tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik të arriturat me vështirësi në Kosovë gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë”, pati thënë Sekretari i Jashtëm James Cleverly pas takimit me Kurtin.

Dje përmes një letre drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, 56 parlamentarë shprehën kërkesën e tyre që për një balancim të politikës së këtyre tri fuqive ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letër.

Ata u ankuan se qasja aktuale nuk po funksionon, derisa kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe “të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi”.

“Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmeë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha në letër”.

Një nga nënshkruesit e kësaj letre, deputetja britanike Alicia Kearns, herë pas herë e ka shtruar këtë temë edhe në Parlamentin britanik.

Ajo shpërndau këtë letër, duke thënë se “kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat