​Kurti priti në takim senatorin Reed

Aktuale

​Kurti priti në takim senatorin Reed

Më: 8 gusht 2023 Në ora: 20:38
Kryeministri Albin Kurti priti në takim senatorin amerikan, Jack Reed

Kryeministri Albin Kurti priti në takim senatorin amerikan, Jack Reed, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-ve. Sipas njoftimit të Qeverisë, senatori vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive.

Në njoftim thuhet se Kurti, i cili shoqërohej nga ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e njoftoi atë për zhvillimet e fundit dhe arritjet kryesore të vendit.

“Kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Ioëas në Kuvajt. Me këtë rast, ai e falënderoi atë personalisht, për përfshirjen e Kosovës në Aktin fiskal të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, që ia mundëson Kosovës të jetë pjesëmarrëse në ushtrime ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin dhe përshtatshmërinë me trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Kurti ndau të dhënat e fundit të treguesve ekonomikë dhe demokratikë, që sipas tij dëshmojnë progresin e arritur.

“Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij. Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive”, theksohet në njoftim.

Në këtë takim, senatori amerikan ishte i shoqëruar nga ambasadori Jeffrey Hovenier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat