Krimi brenda familjes në Pejë ku djali vrau nënën, flasin Prokurorja dhe Avokati - tregojnë çka po ndodhë me rastin

Aktuale

Krimi brenda familjes në Pejë ku djali vrau nënën, flasin Prokurorja dhe Avokati - tregojnë çka po ndodhë me rastin

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

U.H., 30-vjeç, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij me 14 prill të këtij viti në shtëpinë e tyre në Pejë është marrë në pyetje nga prokuroria këtë të hënë. Prokurorja e rastit Sahide Gashi tha se janë intervistuar edhe dëshmitarët dhe rasti ndodhet në fazën e ngritjes së aktakuzës.

Prokurorja Gashi e ka pranuar edhe një ekspertizë të ekzaminimit psikiatrik nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike për gjendjen e 30-vjeçarit dhe për të njëjtën tha se se është “private dhe duhet mbrojtur”.

“Ekzaminimi psikiatrik ka zgjatë shumë, kemi marrë dëshmitarët e rastit, këtë të hënë është marrë edhe U.H., dhe jemi në fund, në fazën e ngritjes së aktakuzës”, tha prokurorja Gashi.

Lidhur me rastin,media ka kontaktuar edhe avokatin e U.H., Asdren Mekaj, i njëjti konfirmoi se ndaj klientit të tij është kryer një ekspertizë e detajuar me ç’rast është dhënë një konstatim profesionist.

“Deri tani, prokuroria ka ndërmarrë disa hetime të rëndësishme për të zbardhur ngjarjen. Në kuadër të këtyre hetimeve, është kryer një ekspertizë e detajuar në lidhje me ekzaminimin e të pandehurit. Rezultatet e kësaj ekspertize kanë ofruar një konstatim dhe mendim profesionist”, tha Mekaj.

Mekaj tha se klienti i tij po qëndron në paraburgim nën trajtimin adekuat mjekësor.

“I njejti pas ekzaminimit, është kthyer në Qendër Paraburgimi, nën trajtim adekuat mjekësor.  Po ashtu ju njoftoj se janë proceduar disa familjarë nga prokuroria, poashtu dhe i pandehuri është ftuar të deklarohet, prandaj dhe unë si mbrojtës i tij, jam në pritje të veprimeve të mëtejme nga prokuroria”, tha avokati Asdren Mekaj.

Tutje ai tha se “për shkak të kufizimeve të informacionit dhe integritetit të procedurave, nuk kam mundësi të jap detaje të thella rreth rastit”.

U.H., dyshohet se privoi nga jeta nënën e tij 58-vjeçare me përdorimin e thikës.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte theksuar se një ngjarje e tillë makabre nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Pas krimit në vendin e ngjarjes kishte shkuar gruaja e axhës së të dyshuarit më pas edhe familjarë të tjerë, të cilët edhe e kishin lajmëruar policinë.

I dyshuari për një kohë kishte jetuar dhe punuar në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat