​Protesta e punëtorëve të sigurimit në KEK, Llumnica: Po tenderohet jashtëligjshëm

Aktuale

​Protesta e punëtorëve të sigurimit në KEK, Llumnica: Po tenderohet jashtëligjshëm

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 11:46
Pamje nga protesta

Dhjetëra punëtorë të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë protestuar të mërkurën para Qeverisë së Kosovës. Protestuesit me pankarta në duar dhe me vuvezela kanë kërkuar nga ekzekutivi që të përmbushë premtimet e dikurshme të fushatës, që këta punëtorë të kthehen në kuadër të sektorit publik e jo kompanive private. Drejtues të Sindikatës së KEK-ut theksuan se në vazhdimësi po tenderohet jashtëligjshëm nga kjo kompani dhe qeveria nuk po merr masa.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se punëtorët fizik janë të diskriminuar e të dëmtuar rrënjësisht.

Llumnica: Qeveri - edhe sot po tenderohet jashtëligjshëm

"Në vitin 2007 është tenderuar paligjshëm nga kjo kompani, sepse huazimi në bazë të ligjit të punës duhet t’i kthehet dhe të vjen në vendin e vend. Kjo qeveri që është tani kur ishte në opozitë ishte njëzëri me neve dhe sigurisht thoshte që keni të drejtë, këta tenderë në vazhdimësi po bëhen të paligjshëm, të jashtëligjshëm. Nuk na kanë dëgjuar asnjëherë deri më sot. Protestat e këtij departamenti ka pasur në vazhdimësi, nuk është dëgjuar zëri dhe nuk është respektuar ligji, janë tenderuar pra. Por, nuk mund të themi që sot jemi të drejtë. Prandaj, qeveri e nderuar edhe sot tenderohen këta jashtëligjshëm”, deklaroi ai.

Më tej, ai pati edhe kërkesë ndaj kryeministrit Albin Kurti, ku tha se këta punëtorë meritojnë të kthehen në kuadër të KEK-ut.

Llumnica: Kërkoj nga kryeministri që të anulohen këto tenderime të paligjshme

“Unë kërkoj nga kryeministri i Kosovës, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nga bordi i KEK-ut që të anulohen këta tenderë për këta punëtorë në mënyrë të paligjshme. Sepse edhe sot jeni të paligjshëm. Nëse dje kanë qenë të paligjshëm, nëse dje nuk na kanë dëgjuar, ndoshta edhe për 15 vite, nuk ju shfajëson juve që sot mos të na dëgjoni edhe ju. Këta punëtorë meritojnë të kthehen në vendin e tyre. Janë dëmtuar rrënjësisht, nuk është shkëputur asnjëherë kontrata me KEK-un, kjo tregon qartë se këta kanë të drejtë", tha ai.

Kërkesë për kthimin e këtyre punëtorëve në kuadër të sektorit publik, pati edhe Nexhat Murati, i cili është kryetar i sindikatës “Mbrojtja dhe Siguria”.

Murati: I bëjë thirrje qeverisë që të ndërhyjë sa më parë ne KEK

“Në mënyrë të paligjshme nga viti 2004 deri më tani, po vazhdojnë të japin tendera në mënyrë të paligjshme. KEK-u e di shumë mirë këtë punë, por pa ndryshime. Ata nuk kanë mundësi të punojnë sepse e rrezikojnë vetën e vet dhe shokët e vet për këtë ata vazhdojnë të keqpërdorin punën për arsye të përfitimeve personale, ku këtu nuk e përjashtojmë bordin dhe disa persona në Zyrën Ligjore të KEK-ut....I bëjë thirrje qeverisë që të ndërhyjë sa më parë në KEK dhe te bordi, sa më shpejt që është e mundur që të pastron nga krimi dhe korrupsioni, boll më me këtë diskriminim ndaj punëtorëve të sigurimit të KEK-ut”, tha ai.

Ai paralajmëroi që të ketë protesta edhe më radikale edhe brenda objektit të KEK-ut.

Tash e rreth 40 vjet, Milazim Makolli punon në sigurimin e KEK-ut, ku tha se tashmë nuk kanë asnjë të drejtë në këtë korporatë.

Makolli: Kemi mbetur në cilësinë e qenve që enden në qytet

“Të jeni të bindur që një qen që unë e mbaj te shtëpia e ka një kotec (kushte më të mira) se sa një punëtor i sigurimit të KEK-ut. As kemi kushte, as kemi ushqim si duhet. Punëtorët e KEK-ut e gëzojnë të drejtën, të cilët i marrin nga 5 euro e 20 cent shujtë, e ne kemi qenë në kuadër të KEK-ut dhe kemi numrat e punës, na kanë larguar në mënyrë të paligjshme nga shtëpia e madhe. Na huazojnë kompani pas kompanie, këta po pasurohen e ne po mbesim e s’jemi në gjendje as të shkollojmë fëmijë, as të bëjmë kurrfarë gëzimi në shtëpi. Kemi mbetur në cilësinë e qenve që po enden në qytet”, deklaroi ai.

Për më tepër, ai shtoi se dikur i kanë pasur kushtet më të mira të punës.

Makolli: Votën ma mirë me ja dhënë armikut

“Kam punuar me shpirt e kam dashur këtë KEK, por na demoralizuan me këto firma private. Kurrfarë kushtesh nuk kemi, nuk kemi as gardërobë as veshje të dimrit. Përpara i kemi pasur të gjitha. Kështu që mbetet qeveria nëse ndërmerr diçka. Përndryshe na ka ardhur votën me ja dhënë armikut, prej mllefit po duhet me thënë që ma mirë paskan qenë ata se këta që janë”, shtoi ai.

Edhe Vehbi Islami, i cili punon tash e më shumë se katër dekada në sigurimit e KEK-ut tha se qeveria u kishte premtuar përmirësim të kësaj kushteve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Islami: Punëtorët e sigurimit po kërkojnë të kthehet departamentin ku ka qenë

“Punëtorët e sigurimit po kërkojnë të kthehet departamenti ku ka qenë. Nuk është shfrytëzuar asnjë aset, nuk është shfrytëzuar 20 përqindëshi, gjitha asetet e këtij shërbimi i kanë shfrytëzuar kompanitë e KEK-ut. Kështu që kompania e sigurimit po kërkon të kthehet në njësinë e KEK-ut, aty ka qenë. Sepse aty kemi qenë prej vitit 1983. E kanë marrë kompanitë private, me miliona tenderë kanë përfituar, me miliona nga ky shërbim. Ne do të protestojmë deri në fund, do të vazhdojnë protestat. Na ka premtuar qeveria në fushatën e vet “që ju keni të drejtë, do të ktheheni në momentin që ne të startojmë në qeveri”, u shpreh ai.

Protestuesit në shenjë simbolike me kërkesën që të ulen në tavolinë e të bisedojnë me përfaqësuesit e qeverisë, janë ulur para objektit të qeverisë. Megjithatë, protesta ka përfunduar pa biseduar e takuar me institucionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat