Ku ishte fshehur dhe si u dorëzua në Polici i dyshuari për vrasjen në Klinë

Aktuale

Ku ishte fshehur dhe si u dorëzua në Polici i dyshuari për vrasjen në Klinë

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 22:17
Tush Frroku

Në arrati që nga dita kur kishte ndodhur rasti në Klinë, më 7 gusht, Tush Frroku, i dyshuar për vrasje, është dorëzuar sot në Polici, në Pejë.

Dhjetëra bastisje në lokacione të ndryshme ishin kryer nga forcat e rendit që nga dita tragjike kur ishte shpallur në kërkim por Frroku nuk ishte gjetur.

Dyshohet se për këto 8 ditë ai ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar në Burojë të Skenderajt.

Avokati i Frrokut, Gani Kelmendi, ka rrëfyer detaje për momentin e kontaktit me klientin e tij, takimin me të dhe dorëzimin në Polici.

“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”,ka treguar avokati Kelmendi për kallxo.

Avokati tha se kur kanë shkuar në Polici, Tush Frroku është bastisur nga Policia dhe ka qenë i paarmatosur.

“Kemi ardhë, jemi dorëzu në Pejë. I kam thirr Policinë, na kanë pritë para dere, kemi hy brenda, e kanë bastisë, ka qenë i paarmatosur. Është mbrojtur në heshtje. Policia e kanë marrë në pyetje por ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur me dhënë një deklaratë”, tha avokati.

Avokati Gani Kelmendi ka thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë siç është e paraparë me ligj.

Mediat kanë publikuar pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë të momentit kur Frroku i armatosur hyn brenda një lokali në Klinë, shkrep armën disa herë në drejtim të viktimës dhe del nga aty.

Pas rastit, Frroku dyshohet se me një veturë të një qytetari u largua nga vendi i ngjarjes drejt fshatit Kosh të Istogut prej nga është ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat