​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

Aktuale

​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, do të mund të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

“Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur ti plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri ka thënë po ashtu se pensionistët duhet që brenda këtij muaji të regjistrohen në një formular online, e pastaj ata do të ftohen më radhë nga zyrat e pensionistëve për paraqitje të aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive.

“Para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, shkruan ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat