Nominimi i O’Brien për ndihmëssekretar, flet ambasadori Hovenier

Aktuale

Nominimi i O’Brien për ndihmëssekretar, flet ambasadori Hovenier

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 15:36
Jim (James) O’Brien

Ambasadori Hovenier sot në diskutimin me gazetarë ka folur edhe për nominimin e Jim (James) O’Brien, në postin e ndihmëssekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Edhe pse tha se praktika është që të komentohet derisa ai të marrë konfirmimin nga Senati amerikan, ambasadori Hovenier theksoi se shpreson që O’Biren të zgjidhet në këtë post për të “avancuar qëllimet strategjike të SHBA-së në Kosovë.

“E gjitha që mund të them është që presidenti [amerikan Joe,] Biden beson se ka nominuar dikë që është shumë i aftë për këtë pozitë. Unë kam pasur kënaqësinë që në të kaluarën të punoj me zotin O’Brien për çështje të rajonit. Qartësisht ai ka shumë njohuri për rajonin dhe po ashtu ka njohuri dhe eksperiencë për Kosovën dhe Serbinë”, tha Hovenier.

O’Brien ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

Ai po ashtu ka shërbyer në dy administrata amerikane, si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu si këshilltar i lartë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, dhe i dërguar presidencial për Ballkanin.

Ndërkaq, që nga viti 2022, punon si shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën e ambasadorit, në Departamentin amerikan të Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat