Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, kjo është arsyeja

Aktuale

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, kjo është arsyeja

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 11:01
Bedri Rexhepi

Me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti, është shtyrë seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Sipas prokurorit Hamiti, pasi i dëmtuari/dëshmitari Ismet Rexhepi, i cili mungoi në këtë seancë, ka angazhime tjera jo biznesore por zyrtare dhe në seancën e kaluar ka mbetur në gjysmë marrja e dëshmisë së tij, kërkoi që seanca e sotme të shtyhet.

Kërkesën e prokurorit Hamiti, e mbështetën edhe të dëmtuarit Teuta dhe Vedat Rexhepi, ndërsa nuk u kundërshtua nga të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu dhe as nga mbrojtësit e tyre, avokatët Shemsedin Piraj dhe Ndrecë Dodaj.

Pas kësaj, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Medie Bytyqi, mori vendim që seanca e sotme të shtyhet për 5 tetor 2023.

Ndryshe, dëshmitari Ismet Rexhepi, në seancën e 5 korrikut 2023, ndër të tjera deklaroi se që nga momenti kur kanë kuptuar për zhdukjen e tani të ndjerit Rexhepi, është munduar që të gjejë çfarëdo informacioni që mund të çojë deri në zbardhjen e së vërtetës.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.

Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat