Aksioni antidrogë në Prizren, Gjykata merr vendim për katër të arrestuarit

Aktuale

Aksioni antidrogë në Prizren, Gjykata merr vendim për katër të arrestuarit

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Shkodran Pulaj, Xhavahir Koqina, Muharrem Pulaj dhe Flamur Shala, të cilët u arrestuan në aksionin e djeshëm në lagjen ‘Bajram Curri’ në Prizren.

Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitjae paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Po ashtu, Shkodran Pulaj do të hetohet edhe për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Nga data e pavërtetuar e ne vazhdimësi, të pandehurit M.P., Xh.K., F.Sh., në bashkëveprim me të pandehurit Y.K., dhe L.K., pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Y.K., dhe i pandehuri Sh,.P., blenë substanca narkotike të llojit Kokainë dhe Kanabis në sasi të mëdha nga persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, dhe pastaj e sjell në villen e tij e cila gjendet në lagjen Tusuz, të cilën më pas në bashkëveprim me të pandehuri M.P., Xh.K., L.K., dhe F.Sh., e ndajnë në sasi-qese të vogla me qëllim të shitjes apo shpërndarjes tek përdoruesit e këtyre substancave narkotike në Regjionin e Prizrenit.

I pandehuri Sh.P., Nga koha e pavërtetuar e deri me datë 05.09.2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pushkë gjuetie, dy tytëshe, horizontale me numër serik …….- 64, nëntë fishek të kalibrit të pa njohur të pistoletës, një kafk e pistoletës me numër serik ….., një kuti municioni brenda saj me dhjetë fishekë të pistoletës të kalibrit të pa njohur, njëmbëdhjetë fishekë të kalibrit të pa njohur, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës., si dhe janë gjetur pjesët përcjellëse si: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve ngjyrë e zezë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kujtojmë se sinjalizues të Sinjalit kanë bërë me dije se Pulaj, i cili ka qenë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për asamblist në Prizren në zgjedhjet lokale të vitit 2021, njihet si person që ka pasur krahun e fortë dhe asnjëherë nuk është prekur nga organet e rendit.

Veprimtaria e tij nuk është ndalur, teksa shoqërimi i tij me ish shefin e Antidrogës, Enver Bujari, në kohën sa ai mbante këtë pozitë ka vazhduar e madje edhe është bërë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat