Stoltenberg: I mirëpresim masat e Kosovës për shtensionim në veri/ Ja çka thotë për forcat speciale

Aktuale

Stoltenberg: I mirëpresim masat e Kosovës për shtensionim në veri/ Ja çka thotë për forcat speciale

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 15:22 Përditësuar në ora: 15:27 më 07.09.2023
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Stoltenberg pas takimit me Osmanin: Është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme.

Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.

Ai e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Kosovës për zvogëlim të prezencës policore në veri dhe planet për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocimin me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri”.

Ai e ka përmendur që pas trazirave të fundit në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova dhe rajoni i Ballkanit po rrezikojnë të bëhen pika të trazirave për shkak të ndikimit malinj rus dhe agjendave destabilizuese të saj.

“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës”.

Edhe Osmani e ka dënuar dhunën ndaj zyrtarëve të KFOR-it në veri, duke thënë se nëse përgjegjësit e këtyre ngjarjeve nuk do të ndëshkohen, “ka rrezik që keqbërësit ta shohin këtë si dobësinë tonë të përbashkët”, duke shtuar se ata mund t'i përsërisin aktet e dhunës.

Sipas saj, ngjarjet e 29 majit përbëjnë “sulm ndaj NATO-s”, dhe ka thënë se Kosova ka gatishmëri të bashkëpunojë që keqbërësit të sillen para drejtësisë.Që kur u rritën tensionet në fund të majit në veri të Kosovës, NATO vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë faktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që do të rrisnin edhe më shumë tensionet dhe të bëjnë hapa për qetësimin e situatës. Aleanca po ashtu ka përsëritur se mbetet e përkushtuar që përmes KFOR-it të sigurojë qetësi dhe siguri për të gjithë në Kosovë.

Kosova, ndërkaq, ka shprehur ambiciet e saj për të ecur drejt integrimit në NATO, së pari përmes përfshirjes në Programin e Partneritetit për Paqe e më pas të bëhet anëtare e aleancës.

Por, në NATO kanë theksuar se për pranimin e anëtarëve të rinj duhet miratimi i të gjithëve në Aleancë. Në NATO, katër nga 31 anëtarët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.Në një debat të enjten para Parlamentit Evropian, Stoltenberg ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi dy organizata të ndryshme, por ndajmë të njëjtat vlera. Mbi 600 milionë evropianë jetojnë në vendet anëtare të NATO-së. Kur Suedia të bëhet anëtare e aleancës, 96 për qind e qytetarëve të BE-së do të jenë në NATO”, tha ai, duke nënvizuar rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes NATO-s dhe BE-së.

Stoltenberg: Çdo zbarkim i forcave speciale në veri kërkon pajtimin nga KFOR-i

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë se forcat speciale nuk mund të shkojnë në veri pa pajtimin e KFOR-it.

Ai, në një konferencë për media pas takimit me Vjosa Osmanin, ka deklaruar se kjo duhet të bëhet për shkak të sigurisë në Kosovë.

“Nuk është kriter i ri është baza e misionit për një kohë të gjatë tashmë çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin nga KFOR-i dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt midis autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çfarëdo zbarkimi që mund të ndikojë pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.

Osmani para Stoltenbergut: Veriu ka qenë dhe do të jetë pjesë e Kosovës – rajoni rrezikon të bëhet pikë ndezjeje si shkak i Rusisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë konferencës që pati me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg i tha atij se Kosova ka forca keqdashëse të cilat janë të vendosura ta rrënojnë suksesin historik të saj.

Osmani tha se Kosova bashkë me rajonin rrezikojnë të bëhen pikë e ndezjes së konflikteve, për shkak të keqdashjes ruse dhe agjendës destablizuese të duarve të zgjatura, duke aluduar në Serbinë.

“Kosova po përjeton ndërhyrje të paligjshme të huaja dhe obstruksion të autoritetit legjitimit në veri dhe në shumë raste kjo ka sjellur edhe agresion”.

“Që të jem e qartë, veriu i Kosovës ka qenë dhe do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës. Nuk do të lejojmë që veriu të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë”, tha Osmani.

Stoltenberg: I mirëpresim masat e Kosovës për shtensionim në veri, e mbështesim procesin e dialogut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se i mirëpret hapat e fundit të Kosovës që i ka marrë për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Ai, në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, theksoi se e mbështet edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

” Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar këtë vit duke lënë 93 prej tyre të lënduar, disa në masë serioze, kjo është plotësisht e papranueshme, stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varen nga të gjitha palët që i respektojnë betimet ekzistuese”.

“NATO-ja e konsideron këtë të ketë rëndësinë më të lartë dhe kërkon këto të respektohen. Në përputhje me zotimet e Prishtinës nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i FSK-së kërkon pajtimin e KFOR-it dhe presim konsultime me kohë dhe kuptimplotë në çfarëdo lloj zbarkimi që mund të ndikojë në siguri”.

“Për situatën e fundit në veri të Kosovës NATO ka zbarkuar qindra trupa dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të rregullt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”. Neutraliteti dhe paanshmëria janë qendrore për suksesin e misionit tonë”.

“I mirëpresim hapat e fundit të marra nga Kosova për të ulur tensionet duke përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave speciale në veri, dhe planet për mbajtjen e zgjedhjeve. Është esenciale që të shmangen çfarëdo lloj eskalimi me tej, inkurajojmë të gjitha palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO e mbështet procesin e dialogut, e mirëpresim edhe takimin e ardhshëm në Bruksel”, ka thënë Stoltenberg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat