Gecaj tregon disa nga dëmet që mund t’i vijnë FSK-së për shkak të vendimeve politike

Aktuale

Gecaj tregon disa nga dëmet që mund t’i vijnë FSK-së për shkak të vendimeve politike

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 18:36
Hysen Gecaj

Njohësi i Sigurisë, Hysen Gecaj, tregon disa nga dëmet që mund t’i vijnë Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për shkak të vendimeve politike të Qeverisë së Kosovës.

Gecaj, thotë se largimi nga “Defender Europe ‘23”, është dëmi më i madh që i ka ndodhur FSK-së.

“Vetë largimi nga “Defender Europe ‘23” është një sanksion, një dëm i madh që i është bërë FSK-së, edhe Kosovës në përgjithësi, sepse Kosova llogarit në një institucion siç është FSK-ja dhe populli i Kosovës. Prandaj, secili dëm që i është bërë FSK-së i është bërë edhe Kosovës, nuk është bërë dëm vetëm ndaj FSK-së”, tha ai.

Tutje, ai thotë se përveç kësaj, FSK-së mund t’i vijnë edhe dëme tjera siç përmendi embargot e ndryshme në blerjet e armatimit, municioneve, pajisjeve transportues, etj.

“Dëmet tjera që mund t’i vijnë FSK-së janë edhe embargot e ndryshme në blerjet e armatimit të nevojshëm dhe municioneve për FSK-në, blerjet e pajisjeve transportuese qofshin të blinduara ose jo, po ashtu sanksion tjetër që mund të jetë shumë i dëmshëm është edhe ndërprerja e shkollimeve të kadetëve të FSK-së, të cilët shkollohen nëpër disa akademi anë e mbanë botës”, tha Gecaj.

Sipas njohësit të sigurisë, këto sanksione do të ndikonin në kapacitet operative dhe në ngritjen e personelit.

“Këto do të ishin disa sanksione tejet të rënda për FSK-në, të cilat direkt do të ndikonin edhe në kapacitetet e tyre operative, por edhe në ngritjen e personelit, gjithësisht aftësimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së”, tha ai.

Përfund, ai tha se largimi nga “Defender Europe ‘23” ka shkaktuar pasoja për FSK-në.

“Veç largimi nga ‘Defender Europe ‘23’ ka shkaktuar pasoja për FSK-në, sepse në atë trajnim është dashur që të testohet për herë të parë një poligon në Babaj të Bokës, të cilin FSK-ja nuk e ka pasur në të kaluarën dhe të shihet prakticiteti i atij poligoni, në mënyrë që ai të certifikohet dhe të arrij një standard të poligoneve siç i ka edhe NATO-ja”, shtoi ai.

Stërvitja “Defender Europe 23”, e cila udhëhiqet nga SHBA-ja, ka qëllim krijimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërinë mes Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Në kohën kur u njoftua suspendimi i pjesëmarrjes së Kosovës nga ShBA-ja, aktivitetet e Kosovës në kuadër të “Defender Europe ‘23”, ishin afër fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat