Opozita me kritika ndaj pushtetit rreth diskutimeve për veri e Asociacion

Aktuale

Opozita me kritika ndaj pushtetit rreth diskutimeve për veri e Asociacion

Më: 10 shtator 2023 Në ora: 20:30
Foto ilustrim

Partitë opozitare kritikojnë ekzekutivin për prishje të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Ato thonë se çështja e veriut dhe zgjedhjet atje nuk do të duhej të ishin temë e diskutimeve në Bruksel.

“Është bërë një kontribut bashkë me partnerët për të futur pjesën veriore të Republikës së Kosovës në institucione, kurse veprimet e pamatura të kësaj qeverie e kanë nxjerrë nga institucionet dhe mendoj që nuk është dashtë të bëhet temë veriu, në Bruksel, por është dashtë të bëhet temë njohja reciproke mes dy shteteve”, tha për RTK Hajdar Beqa nga PDK.

“Në asnjë mënyrë nuk është dashtë që çështja e veriut të shkojë në Bruksel. Kjo është një qasje e papërgjegjshme e kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotëri Kurti”, tha Agim Veliu nga LDK.

“Zotëri Kurti e ka pru punën me diskutua jo vetëm për veriun por me diskutua edhe për zgjedhje, a me marr pjesë serbët atje apo jo?”, tha Besnik Tahiri nga AAK.

Por partia në pushtet për të gjitha këto probleme fajin ia vë opozitës për kohën kur ishte në pushtet.

 “Opozita duhet ta shikojë veten në pasqyrë se çfarë i ka bërë shtetit të Kosovës me ato marrëveshje e jo të kritikojë një qeveri e cila ka qëndrime të cilat tanimë mbështeten në masë të madhe nga qytetarët, mbështeten edhe prej faktorëve tjerë në Ballkan edhe ndërkombëtarë”, tha Agon Batusha nga LVV.

Sa u përket kushteve për themelimin e Asociacionit të vëna ndaj Kosovës, opozita thotë se kushte duhet t`i vihen Serbisë.

 “Kushti duhet me qenë edhe për Serbinë dhe jo vetëm për Kosovën. Nuk mendoj që është e drejtë t’i vihen kushte vetëm Kosovës, por duhet edhe për Serbinë jo vetëm për Kosovën. Por, mendoj që kryeministri duhet të jetë më transparent për qytetarët, por edhe për institucionet”, tha Beqa.

“Qeveria e Kosovës është dashtë ta ketë një draft statut të Asociacionit dhe mbi bazën e atij drafti të diskutohet, të nxirret varianti më i mirë për Kosovën”, tha Veliu.

 “Siç shihet është bllokuar dialogu dhe zhbllokimi mund të vijë vetëm nga angazhimi i SHBA-së pak më fuqishëm në këtë proces”, tha Tahiri.

E nga partia në pushtet thonë se janë duke u munduar që të nxjerrin më të mirën nga marrëveshja me sa më pak dëme për Kosovën.

 “Ne po përballemi me disa marrëveshje të cilat janë të këqija, po për të cilat nuk mund të themi se nuk ekzistojnë. Duhet të merremi dhe të menaxhojmë dhe të nxjerrim më të mirën që mundemi për shtetin tonë duke e mbrojtur kushtetutshmërinë dhe sovranitetin”, tha Batusha.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket të jetë edhe kusht i qytetarëve serbë të katër komunave veriore të Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhje të cilat pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat