Lirim Gashi “shpërthen” ndaj politikanëve të pasluftës: Fajet dhe mëkatet e pafalshme po ia hedhin Albin Kurtit

Aktuale

Lirim Gashi “shpërthen” ndaj politikanëve të pasluftës: Fajet dhe mëkatet e pafalshme po ia hedhin Albin Kurtit

Nga: A.SH Më: 13 shtator 2023 Në ora: 20:59
Albin Kurti

Analisti Lirim Gashi përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me shpifjet dhe qëllimet të rrezikshme anti kombëtare që sipas tij po i bëjnë mediat.

Sipas tij, “politikanët tanë dominues të pasluftës, po përpiqen t'i fshehin autorët dhe shkaktarët e vërtetë të problemeve të rënda me të cilat po ballafaqohemi sot, nën efektet fatale anësore të politikave kriminale dhe tradhtare të njëzet viteve të fundit”.

Shkrimi i plotë:

NUK MUND TË GJYKOJMË DREJTË, PA E NJOHUR DHE PRANUAR TË VËRTETËN

Mediat tona të fëlliqura jo vetëm me pleh mendor dhe me qëllime të rrezikshme anti kombëtare, por edhe me para toksike të shërbimeve sekrete serbe e ruse dhe me para të shqiptarëve të ndershëm të Millosheviqit që u bënë oligarkë në kohën e tij dhe që i korruptuar politikanët tanë dominues të pasluftës, po përpiqen t'i fshehin autorët dhe shkaktarët e vërtetë të problemeve të rënda me të cilat po ballafaqohemi sot, nën efektet fatale anësore të politikave kriminale dhe tradhtare të njëzet viteve të fundit.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ata po përpiqen që fajet dhe mëkatet e pafalshme të financuesve të tyre t'ia hedhin Albin Kurtit, i cili është e kundërta e tyre.

Për fat të mirë, njerëzit si unë që e shkruajnë vazhdimisht të vërtetën pa përtesë, pa frikë, pa lodhje dhe pa pagesë dhe që e sjellin atë nën dritën e diellit, ia hapin sytë shumë njerëzve të tjerë.

Njerëzve si unë madje nuk u intereson fare nëse puna e tyre vlerësohet sepse e vërteta është shpërblimi i tyre më i madh.

E kam thënë dhe po e përsëris :

Fatkeqësinë më të madhe njerëzimit ia sjellin njerëzit e fiksuar pas Zotit dhe patriotizmit të rrejshëm, pas pushtetit të përjetshëm politik dhe pas pasurimit të pafundmë material.

T'i vrasësh ata njerëz do të thotë t'i çlirosh ata nga mundimi i tyre i brendshëm, prandaj askush nuk duhet t'ua marrë atyre jetën duke i pushkatuar dhe duke i fëlliqur duart e pastra me gjakun e tyre të pistë, por duke i mbyllur përjetësisht në një burg skajshmërisht të ashpër dhe duke i trajtuar si pisllëkun me të qelbur, deri sa ta kuptojnë se çfarë dhimbjesh i kanë shkaktuar njerëzve të pafajshëm.

Motrat dhe vëllezërit tanë, të cilët në një situatë në dukje të pashpresë ku bëhej fjalë për jetë a vdekje, vendosën të sakrifikojnë jetën e tyre, duke drejtuar pushkën në drejtim të armikut shumë herë më të fuqishëm serb, sepse ajo thënia e famshme e pleqve tanë të urtë "ata ose ne" ishte bërë realitet, për fat të keq nuk e morën respektin dhe dashurinë e merituar prej popullit të tyre pas luftës, sepse qëllimet e tyre të sinqerta dhe fisnike, si dhe guximi dhe meritat e tyre të pafundme u keqpërdorën nga disa shokë të tyre të luftës, që e quajtën veten komandantë.

Sepse pikërisht ata të vetëquajtur komandantë që më së paku e rrezikuan jetën e tyre duke qëndruar larg vijave të frontit, e shpallen veten heronj të gjallë dhe ia përcollën ndjenjën popullit se e gjithë bota dhe historia e saj sillej në atë kohë rreth tyre.

Por e vërteta ishte krejtësisht ndryshe:

Këta ishin njerëz që edhe gjatë luftës treguan karakterin e tyre jashtëzakonisht të lig, egoist dhe të pamëshirshëm, duke i keqpërdorur paratë e fituara me mund të mërgimtarëve tanë, të cilat i grumbulluan dhe sponsorizuan, për të armatosur Ushtrinë Tonë Të Shenjtë Çlirimtare, për t'u pasuruar.

Imagjinoni, kishte njerëz që mendonin për privilegje të tilla të mallkuara materiale në mes të një lufte në të cilën ishte e rrezikuar jeta dhe ekzistenca e një populli të tërë.

Dhe unë do të jem i sinqertë me ju.

Kushdo që mendon për gjëra të tilla të mallkuara materiale në mes të luftës dhe zjarrit, ku fëmijët, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit theren si kafshë me bajoneta pasi që dhunohen mizorisht, është në gjendje t'i vrasë me gjakftohtësi të paparë dhe tinëzisht edhe shokët e tij më besnikë gjatë rrugës.

Dhe pikërisht njerëzit që u sollën në këtë mënyrë të paskrupullt në luftë, vazhduan sjelljen e tyre djallëzore në paqe, duke i shkaktuar dëme të pamatshme jo vetëm popullit dhe shtetit të tyre por edhe Ushtrisë Sonë Të Shenjtë Çlirimtare.

Dhe logjikisht, fatkeqësia dhe padrejtësia e pagjykuar drejtë që ndodhi në luftë e solli fatkeqësinë dhe padrejtësinë në paqe, sepse atëherë populli i zgjodhi në pushtet ata që nuk kishin asnjë lidhje me luftën, përkundrazi, që u munduan në mënyrë paqësore dhe utopike t'i përmbushin premtimet e tyre joreale.

Mirëpo, mes vrasësve të shokëve të tyre besnikë, banditëve dhe përfituesve të luftës dhe atyre që tentuan me metoda utopike dhe paqësore t'i realizojnë qëllimet e shenjta të kombit tonë, madje duke e sabotuar pjesërisht luftën, populli vendosi për këta të fundit.

Nëse duam të jemi të pastër me veten dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, ne duhet ta dimë dhe pranojmë të vërtetën, në mënyrë që një herë e mirë të jemi gati të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të ecim përpara, e jo gjithmonë të kthehemi mbrapa.

Sepse vetëm ata që e dinë dhe pranojnë të vërtetën, mund të gjykojnë drejtë dhe të ecin përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat