Përplasje, akuza e diskutime, përfundon pas disa orëve debati për librat në Kuvend

Aktuale

Përplasje, akuza e diskutime, përfundon pas disa orëve debati për librat në Kuvend

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 07:34 Përditësuar në ora: 19:58 më 14.09.2023
Arberie Nagavci

​Përfundon debati për librat në Kuvend

Ka përfunduar debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës për furnizimin me libra shkollorë për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Pas pesë orëve debat, të zgjedhurit e popullit përfunduan diskutimet për këtë çështje.

Gjatë debatit, partitë opozitare akuzuan Qeverinë se ka dështuar të sigurojë librat shkollorë për fëmijët.

Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci arsyetoi vendimin për subvencionim të prindërve për sigurimin e librave shkollorë.

Rrahmani përplaset me Nagavcin në Kuvend për nxënësen me shami: A po keni frikë a po kërcënoheni nga dikush

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani derisa ishte duke folur për rastin e një nxënëse nga një shkollë në Pejë e cila nuk u lejua të vijojë mësimet për shkak se ishte mbuluar, i propozoi ministres të MASHTI-t ta largojë udhëzimin administrativ të cilin ai thotë se ministrja është duke e keqpërdorur.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rrahmani pyeti ministren “A po keni frikë a po kërcënoheni nga dikush, apo çfarë keni?”, tha ai.

“Ka tri javë që një vajzë në Pejë nuk është lejuar të shkojë në shkollë. Këto deklarata, unë nuk mund t’i kuptoj pse po i thua.

Largoje udhëzimin administrativ që jeni duke e keqpërdor. A po keni frikë a po kërcënoheni nga dikush, apo çfarë keni?”, u shpreh Rrahmani.

Lekaj–Nagavcit: Ministre, nga ju nuk kemi parë reformë, ndryshim e përmirësim të sistemit arsimor

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nga Ministrja aktuale e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk është parë ndryshim apo përmirësim i sistemin arsimor.

Ai e pyeti Nagavci se çfarë duhet të ndodh që ajo të jap dorëheqje.

“Ministre, nga ju kemi parë gjithçka, por nuk kemi parë nga ju nuk kemi parë reformë, ndryshim e përmirësim të sistemin arsimor.

Ministre, pyetja ime për ju është se sa duroni ju, në kuptimin parimor dhe moral, që të jepni dorëheqje”, u shpreh tutja ai.

Zemaj: Me qasjen e tanishme Qevera Kurti do ta drejtojë edhe dijen e mendimin

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për menaxhimin e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë për vitin e ri mësimor.

Ai, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ka theksuar se e ka një përshtypje se me qasjen e tanishme të përdorur nga Qeveria, do vijë një periudhe kur do të mundohen të drejtojnë edhe dijen e mendimin.

“Kjo qeveri në përmbajtje na doli shumë keqpërdoruese, jeni të paaftë me shpërndarjen e çorientuar të librave shkollorë, apo mos shpërndarjen. Si pasojë e paaftësisë suaj, prindërit, mësuesit e nxënësit, shkuan herë në një librari herë tjetrën qoftë në ditë pune dhe pushimi”.

“Pak halle të tjera kanë qytetarët dhe tash do të merren me dështimet dhe problemet zinxhirore të juaja. E hapët një aplikacion që vetëm krijuat huti. Për çmimin dështuat sepse po i paguajmë libra më shtrenjtë. Me qasjen e juaj të deritanishme do ta drejtoni edhe dijen edhe mendimin”, ka thënë Zemaj.

Dumoshi: Furnizimi me libra është dështim i radhës i kësaj qeverie

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, ka thënë se çështja e furnizimit me libra është dështim i radhës i Qeverisë Kurti.

Në debatin e sotëm parlamentar në Kuvend për këtë çështje, Dumoshi tha se në emër të ruajtjes së parasë publike, ekzekutivi shpenzoi më shumë me subvencionim e librave.

“Çështja e furnizimit me libra është dështim i radhës i kësaj qeverie. Pas një dekade ku një nga gjërat për prindërit dhe mësimdhënësit funksiononte mirë ka qenë furnizimi me tekste shkollore. Kjo qeveri bëri hapa prapa.

Në emër të mbrojtjes së parasë publike pasi dështoi të bëjë marrëveshje për çmime, ministrja doli në konferencë dhe tha që ministria nuk mundet me ble librat se shtrenjtë. Vërtet është vështirë me iu kuptua si ka mundësi që MAShT-i s’po ka mundësi t’i blejë librat, kurse prindërit me paret e MAShT-it t’i përballojnë”, tha ajo.

​Hoxhaj: Nagavci e ka mbajtur fjalimin përtej mesatares së saj 6.4

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se qeveria nuk ka vizion për sigurimin e teksteve shkollore falas. Teksa komentoi fjalimin e ministres Arbërie Nagavci, ai tha se “është përtej mestares 6.4”. Më tej, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës u shpreh se sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë një politikë për të krijuar barazi në shkollë. Në seancë të jashtëzakonshme për librat, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se kuvendi ka për detyrë që të debatojë për përmbajtjen e librave.

Hoxhaj: Nagavci e ka mbajtur fjalimin përtej mesatares së saj 6.4

“Unë e dëgjova me vëmendje ministren Nagavci. Mendoj që e ka mbajtur fjalimin përtej mesatares së saj 6.4. Se u mor shumë me këtë pjesën e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe nuk dihet se kush ishte ai kolegu i imi i Universitetit të Prishtinës që ka gabuar dhe ja ka qitur nja dy tri 7-she se krejt tjerat i ka 6-qe. Dhe fjalimi ke përtej kësaj, por me keqardhje po them që nuk po shoh vizion për këtë temë. Nuk pash unë se çfarë dëshiron zonja ministre dhe kjo qeveri në çështjen e teksteve shkollore falas. Unë kam pritur që në këtë vit shkollor do ta bëni një kthesë jo për mënyrën se si blihen librat”, deklaroi Hoxhaj.

Ai tha se subvencionimi i teksteve shkollore ngjason me sistemin jugosllav “të bonove”. Hoxhaj tha se ka pritur që këtë vit do të bëhet digjitalizimi i shkollave.

Hoxhaj në emër të PDK-së deklaroi se sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë politikë për të krijuar barazi në shkollë.

Hoxhaj: Sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë një politikë për të krijuar barazi në shkollë

“’Kur fillon shtatori dhe vjeshta nuk e dimë a duhet me i ble librat, a me i sigurua turshitë apo me i ble drutë për dimër’, këtë fjali ma ka thënë si deputet i ri ne vitin 2004 një familje në Gjakovë, e cila përballej me fenomenin e braktisjes së nxënësve nga shkollat. Dhe në atë kohë së bashku me Komisionin për Arsim, të të gjitha partive politika në njërën nga temat që kemi pasur ka qenë çfarë të bëjmë me sigurimin e teksteve shkollore falas. Sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë një politikë për të krijuar barazi në shkollë. Dhe për të tejkaluar një lloj hendeku të dijes edhe brenda për brenda shtresave në Kosovës, por edhe në raport me hendekun e dijes që e ka Kosova me vendet e rajonit dhe të BE-së”, u shpreh ai.

Më tej, Hoxhaj u shpreh se pesha e rëndë e çantave për nxënësit duhet të zgjidhet përmes digjitalizimit. 

Nagavci: Qeveritë e kaluara kanë keqpërdoruar miliona euro

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka arsyetuar vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore për këtë vit.

Në Kuvendin e Kosovës, Nagavci tha se ky veprim është në kuadër të pakos së reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar.

Ministrja u shpreh e ashpër edhe ndaj kritikave të opozitës, duke përmendur sipas saj keqpërdorimet që qeveritë e kaluara kanë bërë me sigurimin e librave.

Nagavci: Qeveritë e kaluara kanë keqpërdoruar miliona euro me librat shkollorë

“Dështimit të qeverive të kaluara jo vetëm për mirëqeverisje të procesit, jo vetëm për shpenzime pa asnjë llogari dhe keqpërdorim të qindra miliona euro, por edhe pa asnjë kujdes për cilësinë e teksteve mësimore...Rreth 125 milionë euro për tekste shkollore të cilat kanë përfunduar në stoqe në grumbull të librave dhe fletoreve të punës që janë gjetur në bodrumet e shkollave dhe që kanë mbetur të papërdorura dhe pa asnjë analizë. Në raportet publike dhe raportet e auditorit janë konstatuar se ka teprica në stoqet me tekste që së paku për 1 vit ka qenë vlerë e humbur më shumë se gjysmë milioni euro në stoqe shkollore. Të gjitha tekstet janë dërguar pa analizë dhe është keqpërdorur buxheti”, tha ajo.

Sipas saj për të shmangur këto praktika abuzive kanë marrë vendim për mos blerjen e librave shkollore direkt nga shtëpitë botuese.

Nagavci: Vendimi për subvencionimin e librave përmirëson cilësinë në arsim

“Kjo ka krijuar mundësi që ne të përfundojmë me çmime trefishë madje edhe mbi 100 për qind më shtrenjtë sesa çmimet e teksteve të njëjta në Shqipëri. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të legjislacionit i cili që nga fillimi i miratimit të buxhetit ka qenë i dizajnuar në atë mënyrë që tekstet të shihen si biznes. Ne kemi punuar intensivisht, kemi finalizuar ligjin për tekste mësimore dhe që do të adresojë të gjitha këto parregullsi dhe mbi të gjitha do të mundësojë tekste cilësore...Vendimi i fundit për të subvencionuar prindërit për blerjen e teksteve është një veprim nga pako e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar”, tha ajo.

Në anën tjetër, ajo tha se deri tani në asnjë komunë nuk kanë marrë njoftim se ka mungesë apo vështirësi me sigurimin e teksteve shkollore.

Nagavci: S’ka mungesë apo vështirësi në sigurimin e teksteve shkollore

Nga asnjë komunë ne nuk kemi marrë njoftim se kanë mungesë apo vështirësi me tekste. Vetëm javën e kaluar kemi pasur së paku tri vizita në po thuajse të gjitha komunat e Kosovës nuk ka informata që ka mungesë”, deklaroi Nagavci.

Këto deklarata Nagavci i bëri gjatë debatit parlamentar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e sigurimit të librave shkollorë.

Tekstet shkollore, Hoxha: Këtë prapakthim qytetarët nuk ia kanë borxh Kurtit

Ka nisur në Kuvendin e Kosovës, debati parlamentar lidhur me "dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024", i thirrur nga opozita.

Debati ka filluar me akuza të partive opozitare ndaj qeverisë dhe ministres Nagavci për çështjen e teksteve shkollore. 

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë që qytetarët nuk ia kanë borxh këtë prapakthim kryeministrit Albin Kurti duke iu referuar situatës së teksteve shkollore.

“Këtë degradim e këtë prapakthim besoj që qytetarët nuk ia kanë borxh as kësaj qeverie as kryeministrit Albin Kurit

“Ku jemi sot? Qeveria për të mbuluar këtë dështim në momentin e fundit improvizoi një zgjidhje tjetër të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për shkollat, mësimdhënësit, prindërit dhe fëmijët.

“Vendosi që tekstet mësimore për nxënësit e nivelit të parë të subvencionohen në shumë prej 80 eurove. Kjo kategori me mbi 110 mijë nxënës si dhe të nxënësve të nivelit të dytë që t’iu ofrojë jo vetëm tekste shkollore por subvencionim vetëm për materialet tjera”.

“Pra, me këtë nivel la pa tekste duke braktisur jo vetëm nxënësit dhe prindërit por edhe obligimin ligjor për sigurimin e tyre”.

Selmanaj për takimin në Bruksel: Me koordinim a pa koordinim?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai u shpreh se nuk dihet agjenda e këtij takimi, për çka pyeti se “a po mbahet me koordinim apo jo”.

Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Selmanaj u shpreh se Kosova është në ditën e 78 që është nën sanksionet e vendosura nga aleatët euroatlantik.

Selmanaj: Ky numër koincidon me 78 ditë të bombardimeve kundër Serbisë

“Ky numër i ditëve koinçidon me 78 ditë të bombardimeve kundër Serbisë. Qytetarë të republikës, krahasojeni dy situata: situata e parë më 1999, Kosova e okupuar dhe në luftë, Kosova me qeveri në ekzil, Kosova me shumë pak buxhet të inkasuar nga diaspora, Kosova pa asnjë ambasadë, Kosova pa asnjë konsullatë. Falë koordimit me aleatë nga burrështetasit pragmatik si presidenti Rugova, Kosova arriti t’i bind fuqitë euroatlantike që ta ndihmojnë çlirimin e Kosovës dhe ta bombardojnë Serbinë për 78 ditë rresht, deri në gjunjëzimin e plot të saj. Situata e dytë, Kosova në vitin 2023, Kosova në liri, Kosova shtet sovran dhe i pavarur, Kosova me qeverinë në Prishtinë, Kosova me buxhet tre miliardë euro, Kosova me 117 njohje ndërkombëtare, Kosova e anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, Kosova me 33 ambasada nëpër gjithë botën. Falë mos koordinimit me aleatët dhe politikave e sjelljeve të papërgjegjshme dhe aventureske të kryeministrit Kurti, miqtë tanë euroatlantik, po ata që e bombarduan Serbinë, përsëri janë bashkë, mirëpo kësaj here për të ndëshkuar politikën e kësaj qeverie”, u shpreh ai.

Më tej, Selmanaj tha se qeveria e ka shndërruar Kuvendin në spektatorin e fundit që kupton çfarë po ndodhë në Bruksel.

Selmanaj: Ky takim a po bëhet me koordinim a po koordinim?

“Edhe sa ditë na duhen neve që ekonomia e Kosovës të demolohet, të gjunëzohet nga sanksionet kundër Kosovës. Ajo çka është e konfirmuar është që kjo logjikë qeverisëse po punon kundër interesave kombëtare të Kosovës. Çdo shpjegim tjetër nuk ka vend. Sot po ashtu ndodhë një takim në Bruksel mes kryeministrit tonë Kurti dhe presidentit Vuçiq, më thoni ju a e dini kush agjendën se për çfarë takohen këta dy njerëz? Më thoni ju mua a e keni idenë ju më të vogël se cila është tema që do ta diskutojnë këta... Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim? Përgjigja është që me koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe me forcat politike në Kosovë jo. Në koordinim me kë?”, ka shtuar Selmanaj. 

​Tahiri - Qeverisë Kurti: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, po heshtni

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e kësaj partie që nuk do të marrin pjesë në asnjë votim. Ai ka hedhur akuza e kritika për qeverisjen tri-vjeçare të Qeverisë Kurti, ku mes tjerash deklaroi se angazhimi i PDK-së mbetet që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjatë seancës plenare, deputeti Abelard Tahiri u shpreh se produkt i kësaj qeverisje është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Dehariti, për çka tha se Lëvizja Vetëvendosje po hesht.

Tahiri: Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit

“Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit. Kjo është e pa tolerueshme se si heshtni ju dhe merrni mbështetje keqbërësit, kryerësit e kësaj vepre. Prandaj ne si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të ju mbështesim në asnjë rrethanë, në asnjë votim, në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në asnjë projektligj. Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt. Kjo legjislaturë të shkojë në shtëpi sa më shpejt, mandati t’i kthehet qytetarëve dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se për tri vjet qeverisje, produkt i pushtetit kanë qenë edhe keqpërdorimet dhe korrupsioni.

Tahiri: Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni

“Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni galopan në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Me kontrata njëburimore që janë burim i korrupsionit e që si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Nagip Krasniqi, arrin vlerën hiç më pak se rreth 75 milionë euro. Kontrata këto të cilat padyshim se s’kishte si të përfundonte ndryshe veçse ky zotëri të përfundonte në Dubravë, aty ku është sot”, deklaroi Tahiri.

Në mesin e kritikave dhe akuzave, Tahiri ka përmendur edhe zyrtarin e LVV-së, Faruk Mujku, për të cilin tha se është i arrestuar për korrupsion. Po ashtu, ka përmendur edhe hetimet për rezervat shtetërore.

Tahiri: Produkt i qeverisjes tuaj për këto tri vite është vjedhja e rezervave shtetërore

“Produkt i qeverisjes tuaj për këto tri vite është vjedhja e rezervave shtetërore, përmes mikut të kryeministrit, Ridvan Muharremi. Të cilit i besohen hiç më pak se 10 milionë euro për të blerë rezerva shtetërore. Pra, vidhet në vaj, vidhet në grurë, vidhet në sheqer. Produkt i qeverisjes suaj janë edhe kontratat njëburimore të cilat do t’i elaborojmë ditëve në vijim në trashëgimi kulturore, të cilat do t’i prezantojmë një nga një. Dhe qytetarët do t’i shohin se si vidhet buxheti në emër të restaurimit në trashëgimi, si vidhet në emër të kullave të dëshmorëve, e në emër të kulturës tonë”, u shpreh ai.

Veç tjerash, në deklarimin e tij Tahiri akuzoi pushtetin për bashkëpunimin me Milan Radojiçiqin.

Tahiri: Bashkëpunim i ngushtë me Milan Radojiqiq,

“Produkt i kësaj qeverisje është bashkëpunimi i ngushtë me njeriun i cili ndiqet nga institucionet ligjzbatuese në Republikën e Kosovës. Është bashkëpunimi me Milan Radojiçiqin, i cili njëherit është edhe në listën e zezë të ShBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar, nga i cili kërkohet mbështetja e mazhorancës, për njërin nga gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, e që fatmirësisht nuk e lejuam ne deputetët e opozitës”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri përmendi edhe ambasadorin Martin Berishaj, ku tha se i njëjti vazhdon të ketë imunitet diplomatik me përkrahje të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Ai shtoi se për “tri vite qeverisje anemike”, nuk janë shënuar momente suksesi e progres nga qeverisja aktuale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat