“Përplasje” mes deputetëve, Selmanaj çohet në këmbë, Gashi nervozohet me ministrat “boll u çaraveshët qaty”

Aktuale

“Përplasje” mes deputetëve, Selmanaj çohet në këmbë, Gashi nervozohet me ministrat “boll u çaraveshët qaty”

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 07:03 Përditësuar në ora: 16:36 më 21.09.2023
Selmanaj- Kusari- Lila, Konjufca

“S’je mësuese e as drejtoreshë këtu”, Hajdar Beqa kapet me Doarsa Kica-Xhelinin

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka replikuar me kolegen e tij nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili pasi kjo e fundit s’është pajtuar me mënyrën se si Beqa është shprehur kur ka thënë se “i respekton më shumë femrat”.

Kica-Xhelili ka thënë se duhet thënë grua dhe jo femër dhe ka shtuar se të gjithë janë të barabartë.

Pas kësaj e ka marrë fjalën deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, duke i kërkuar deputetes së LDK-së që të mos merret me fjalimet e të tjerëve, meqë s’i është kërkuar këshillë.

 “I respektoj edhe burrat edhe gratë. Po e kam traditë familjare me i respektu gratë ma shumë. S’je msuse as drejtoreshë këtu me na mësu çka me thanë. S’tkemi kërku këshillë” , ka thënë ai.

“Boll u çaraveshët qaty”, Arben Gashi nervozohet me ministrat e Qeverisë gjatë fjalimit në Kuvend

Partitë opozitare kanë kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Në emër të tri partive opozitare, deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka paraqitur para Kuvendit propozimin për themelimin e këtij Komisioni.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, tha se kërkojnë hetim të thellë në lidhje me keqpërdorimet e mundshme me rezervat shtetërore.

Por ndërkohë që rendiste arsyet për një kërkesë të tillë, u përplas me ministrat e Qeverisë Kurti që ndodheshin në sallë.

“Boll u qaravesht qatu, se jemi duke folë për një çështje të rëndësishme”, tha ai duke iu drejtuar ministrave të pranishëm në sallë.

Seanca e Kuvendit është duke vazhduar. 

“Unë s’kisha nejt në Kosovë”, Driton Selmanaj çohet në këmbë për t’i replikuar Kusari-Lilës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është nervozuar gjatë diskutimit dhe replikave që ka pasur me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, e i cili ka përmendur përgjimin rreth bisedës që Kusari-Lila ka pasur me Milan Radojicicin.

Kusari-Lila ka thënë se janë interpretime „fashiste“ të njerëzve me agjendë ato që sipas saj thonë se ajo ka biseduar për pensionet veteranëve me njerëz të prapolitikës.

“Z. Selmani E boni një kollazh të përgjimeve të publikuara. Në cilën instancë është diskutu pensioni i veteranëve me dikënd të parapolitikës. Asnjë. Ato janë interpretime fashiste të individëve me agjendë. Ato s’kanë dalë nga ai diskutim. Ato janë interpretime mbi të cilat është ndërtu ky paragjykim”, ka thënë Kusari-Lila e tensionuar.

Pas saj e ka marrë fjalën deputeti Selmanaj, i cili është zgjuar në këmbë duke thënë se dëshiron ta shoh deputeten Kusari-Lila teksa flet.

Deputeti  i LDK-së i ka thënë Kusari-Lilës se po t’i kishte dalë atij një përgjim i tillë nuk do të kishte qëndruar në Kosovë.

“U çova në këmbë me e pa deputeten. Z.Deputete të kuptoj. Për besë mem pas dalë mue qato që tkanë dalë ty, unë në Kosovë s’kisha nejt. Keni ra në kurthën që ua keni ndërtu të tjerëve në vazhdimësi, përfshirë edhe mua. Por keni rënë vet, e ia pafshi hajrin kësaj pune edhe përgjimeve tjera që mund të dalin nesër“, ka thënë Selmanaj.

Gashi: Thaçi ia ka dorëzuar Komisionit Hetimor Parlamentar kontratën e kualifikuar si sekret shtetëror

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Komisioneve Hetimore të Kuvendit të Kosovës, i ishte bindur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, pasi, sipas Gashit, ish-presidenti kishte dorëzuar dokumente sekret të shtetit te Komisioni Hetimor Parlamentar.

“Ne kemi praktikë në këtë Kuvend, ku ish-presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar Komisionit Hetimor Parlamentar kontratën e kualifikuar si sekret shtetëror, kontratën e lobimit”, ka thënë Gashi, teksa ka kërkuar që të formohet Komisionin për Hetimin e rezerva shtetërore.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, e ka cilësuar si “hap të ngutshëm” kërkesën e LDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Sipas saj, kjo kërkesë nuk ka kuptim dhe synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë.

“Kjo kërkesë, përveçse se nuk ka kuptim, synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë. Partitë opozitare jo rrallëherë kanë dalë në mbrojtje të Prokurorisë së Shtetit, duke thënë se ne po iu cenojmë aktivitetin, derisa momentalisht po tregojnë mosbesimin përmbajtjesor ndaj punës së tyre, se mendojnë që përfaqësuesit e kuvendit mund të jenë hetues dhe prokurorë më të mirë se organet e rendit”, ka thënë Kusari-Lila.

Debati për rezervat shtetërore, Tahiri pyet se çka u bë me polakun

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka dhënë mbështetje inicimit të LDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor Paralamnetar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën e Kuvendit tha se kjo çështje duhet të trajtohet edhe në aspektin politik.

Tahiri ka pyetur edhe për një polak për të cilin thuhet se ka qenë i përfshirë në rastin e rezervave shtetërore.

“Po duam me pa këtë mega skandal pak edhe në perspektiven politike, sepse kur keni ardhë në pushtet ju keni thënë se do të ndalet gjakderdhja financiare. Ky skandal korruptim e ka lidh një njeri që e ka një furrë. Qysh mundet një njeri i caktun me betim politik, qysh ka mujt me hi. Ku mbet ai polaku, a e gjetë”, ka thënë Tahiri.

Polaku,Tomasz Tokarski të cilin e përmendi Tahiri, sipas raportimeve në media në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve hapi degën e kompanisë fiktive XANTO me emrin XANTO KOS L.L.C në vitin 2021.

Mahmut Halimi, avokati i njërit nga të dyshuarit për dallavere me rezerva, Ridvan Muharremi, kishte thënë se Tokarski ka qenë në Kosovë, por që organet e shtetit nuk janë marrë fare me të, përkundër që ishin njoftuar.

Një detaj që ka treguar avokati Halimi është se Tokarski ishte arsyetuar se ka vajzën e tij me kancer dhe kjo është arsyeja që nuk e ka kryer furnizimin me 120 mijë kilogramë sheqer dhe 200 mijë litra vaj përkundër që pagesat ishin kryer.

Më vonë, sipas avokatit, Tokarski ishte arsyetuar se nuk po arrin ta sjell mallin në Kosovë për shkak të bllokimit të mallrave që të kalojnë nga Serbia. Dhe pas një kohe, pronari i kompanisë XANTO nuk është lajmëruar fare.

Kusari-Lila: Rasti i Nagip Krasniqit s’ka të bëjë me shitjen e energjisë elektrike

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur akuzave të shefit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, rreth rastit të ish-shefit të KEK-ut Nagip Krasniqi.

Kusari-Lila tha se rasti s’ka të bëjë me shitjen e energjisë elektrike.

“Akuza e cila ende nuk është plotësuar për zotërin Krasniqi me shumë defekte, nuk ka të bëjë me tregtimin e energjisë, por ka të bëjë me një rast ekskluzivisht të remontit, ashtu edhe siç kemi arritur të marrim informacione nga mediat dhe materialet që janë publikuar”, tha Kusari-Lila.

“Prezumimi i pafajësisë është ajo çka duhet t’ia japim z. Krasniqi. Sepse kemi parë procese e procese e pastaj pafajësi në fund”, theksoi ajo.

Tahiri-Kusarit: Jologjike të thuhet se po shpenzohen 20 mijë euro për 10 milionë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se janë të gatshëm që të mos marrim fare mëditje nga puna në komisionin hetimor parlamentar për rezervën shtetërore, vetëm që ky komision të themelohet.

Ai madje ka kritikuar shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se po shpenzohen më shumë para sesa mungesa e rezervës që nuk ka arritur.

“Të thuhet se nuk duhet të shpenzohen 20 mijë euro për 10 milionë, është paradoksale, është jologjike”, ka thënë Tahiri.

“Është me rëndësi që të themelohet ky komision. Ne kemi pozicion politik dhe do të angazhohemi që vendi të shkojë në zgjedhje, por nuk heqim dorë nga mandati”.

“Duhet të hidhet dritë mbi 10 milionë euro”.

Selmanaj: Askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës po diskutohet për formimin e Komisionit për hetimin e keqpërdorimeve në rezervën shtetërore.

Me këtë rast deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, tha se arsyetimet që i dha shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, për pengimin e formimit të këtij komisioni janë banale.

Selmanaj tha se askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta.

“E vërteta na shërben të gjithëve. Po duam ta dijmë secili cent i qytetarët të Kosovës se ku po shkon?”, tha Selmanaj.

“Kush është Ridvani? Kush është Martini? Këtë po duam ta dijmë”, tha ai.

Arben Gashi bën propozimin për themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në emër të 41 deputetëve nënshkrues ka propozuar në kuvend themelimin e komisionit parlamentar për rezervat shtetërore.

Ai ka thënë se kjo iniciativë vjen pas dyshimeve të bazuara për abuzime të mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtuar nga Rozeta Hajdari.

“Konsiderojmë se duhet hetim parlamentar për ta parë se sa janë respektuar procedura dhe ligjet për rezervën shtetërore”, është shprehur Gashi.

Ai ka theksuar se kjo po bëhet me qëllim që eliminimit të defekteve të mundshme dhe dërgimin e tyre në institucionet e drejtësisë.

Ky komision është propozuar që t’i ketë 11 anëtarë.

​Dështon votimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të votuar projektin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Vetëm 72 deputetë kanë marrë pjesë në votim, që është numër i pamjaftueshëm sa i përket votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur këtë marrëveshje.

Derisa ka kërkuar votuat e deputetëve, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se projekti ndahet në tri faza dhe ndër të tjera përfshinë rinovimin e binarëve dhe riparimin e tuneleve.

Murati: Projekti i rehabilitimit përfshin rinovimin e binarëve dhe riparimin e tuneleve

“Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, i cili projekt do të lejojë operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti është i ndarë në tri faza, faze e parë është nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, faza e dytë nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe faza e tretë është nga Mitrovicas në Leshak, dhe përfshinë rinovimin e binarëve, riparimin e tuneleve dhe urave dhe instalimin pajisjeve të telekomunikacionet”, tha ai.

Ndërsa shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk ja vlen të votohen marrëveshje të tilla në kohën kur Kosovës i janë vendosur masa nga Bashkimi Evropian.

Tahiri: Kosova ka një kryeministër të izoluar

“Kjo javë është edhe java e Kombeve të Bashkuara, ku gjithë liderët nga mbarë bota marrin pjesë në javën e Kombeve të Bashkuara, përderisa Republika e Kosovës e ka një kryeministër të izoluar i cili pothuajse është prej të vetmëve nga vendet e Evropës dhe Ballkanit Perëndimor i cili nuk merr pjesë. Pra jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshje”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur kritik ndaj qeverisë së i përket masave të BE-së por ka bërë te ditur se deputetët e kësaj partie e mbështesin këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Hoti: Qeveria i ka sjell sanksionet

“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vite që ka nisur të realizohet, më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit së paku pjesës së financimit. Dëgjova kryetari ne komisionit për buxhet që bëri thirrje që ta votojmë të lëmë anash pezmin, ne e kemi pezmin me mënyrën si jeni duke e menaxhuar vendin, si i keni sjell sanksionet, por nuk kemi pezëm me projektet e rëndësisë kombëtare”, tha Hoti.

Pas dështimit në votim, kjo pikë e rendit të ditës është bartur në seancën e ardhshme.

Në këtë seancë ka dështuar të miratohet edhe propozim-rezoluta për punën 2 vjeçare të qeverisë. Në seancën plenare për këtë rezolutë kanë votuar 19 deputetë, 49 kundër dhe tre të tjerë kanë abstenuar.

Kjo rezolutë ishte hartuar në prill të këtij viti.

Para hedhjes në votim të kësaj rezolute, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se vazhdon problemi me zhvillim ekonomik si dhe saga me dialog.

“Ne më 21 shkurt në muajin e dytë të këtij viti kemi kërkuar që të debatohet për prioritetet e kësaj qeverie, fatkeqësisht asgjë nga rezoluta jonë që është ngritur nuk është arrit, vazhdon problemi me zhvillim ekonomik, vazhdon dështimi total i ligjit të pagave, vlerës së koeficientit, vazhdon saga me dialog”, ka thënë Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat