​Zhvillimet në veri, Osmani ndërpret vizitën zyrtare në Nju Jork

Aktuale

​Zhvillimet në veri, Osmani ndërpret vizitën zyrtare në Nju Jork

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 08:02
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës ndërsa një tjetër i plagosur.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi për KosovaPress se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Nju Jork, shkaku i zhvillimeve në veri të vendit, i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në Nju Jork, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë”, tha Kupina.

Ndërsa pak më herët, Osmani reagoi pas ngjarjes së rëndë në veri të cilin ajo e cilësoi si sulm ndaj Republikës së Kosovës dhe krim të organizuar dhe orkestruar nga bandat kriminale serbe.

Osmani u shpreh se sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat